“Kthimi i të gjitha pengjeve izraelite është tani i pamundur”

10 months ago 39
23:21 05/12/2023

Kryeministri Netanyahu përplaset me familjarët, fillon lufta guerile në rrugët e Khan Younisit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hapur luftë në shumë fronte, i fundit me familjarët e pengjeve që ndodhen ende në Gaza. Mediat izraelite (Times of Israel) cituan të martën Netanyhu-n se tani për tani “nuk ka asnjë mundësi për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi. A mund ta imagjinojë ndokush se nëse ky do të ishte një opsion, do të refuzohej?”, një deklaratë nxiti zemërim të shumë njerëz.

Deklarata e kryeministrit u bë gjatë një takimi me pengje të liruar dhe familjarë të atyre që mbahen ende peng në Gaza. Sipas transmetuesit publik izraelit “Kan”, Netanyahu u tha gjithashtu të mbledhurve: “Hamasi ka kërkesa që as ju nuk do t’i pranonit.”

Dhe zyrtarisht Hamasi tha se nuk do të ketë negociata apo shkëmbim të të burgosurve derisa të ndalet agresioni kundër popullit të Gazës.

“Është e qartë se kryeministri Netanyahu nuk kujdeset për të burgosurit izraelitë në Gaza, as për familjet dhe as për jetën e tyre”.

Është e qartë se në këto kushte kryeministri Netanyahu ka zgjedhur luftën. Ushtria e tij po lufton tani në qendër të qytetit Khan Younis, kryesori i jugut të enklavës. Palestinezët e plagosur mbushën urgjencën e spitalit Al Nasser ku shkuan me çdo mjet të mundshëm pas një sulmi ajror izraelit ndaj shkollës Ma’en.

Spitali i mbingarkuar nga numri i lartë i viktimave, shumë prej tyre fëmijë, që po e marrin trajtimin në dyshemenë e urgjencës pasi nuk ka mbetur asnjë shtrat. Të paktën 43 persona u vranë që në mëngjes të martën, ndërkohë numri i përgjithshëm i viktimave arriti në 16 mijë. Luftimet po zhvillohen rrugë më rrugë të Khan Younis-it. Këtu Xhihadi Islamik palestinez publikoi video të luftimeve guerile.

Të mbuluara nga pluhuri, motrat e plagosura Lana dhe Maria Abu Safi u dërguan me urgjencë në spitalin e Martirëve Al-Aksa të martën, pas një sulmi izraelit në një fermë pranë Deir al-Balah në Gazën Qendrore.

6-vjeçarja Lana tha se i tha burrit që e çoi në spital se është shumë e uritur dhe e etur dhe donte të shihte nënën dhe motrat e saj.

Banorët e Gazës po largohen nga qyteti Khan Younis dhe po i drejtohen jugut të enklavës, Rafah-ut, duke kërkuar siguri nga sulmet izraelite. Të hënën Izraeli urdhëroi civilët të largohen më në jug.

Në të dy anët e rrugës në zonën al-Maëasi, në Rafah, tendat u vendosën në dy muajt e fundit për banorët e Gazës që u zhvendosën për shkak të ofensivës izraelite. Tani dhjetëra familje jetojnë në një zonë të largët ku nuk ka shërbime apo dyqane për të siguruar nevojat e tyre bazë.

Në Bregun e pushtuar Perëndimor situata vijon të ziejë. Këtu funerali i dy të rinjve 23-vjeçari Anas Al Faroukh dhe 22-vjeçari Mohamed Al Faroukh. Të dy palestinezët u vranë nga forcat izraelite gjatë përleshjeve në qytetin Sair.

Dhuna është rritur në Bregun e pushtuar Perëndimor paralelisht me luftën tetë-javore të Izraelit kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Forcat izraelite bastisën qytetin Jenin të Bregut Perëndimor pasditen e së martës. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se 5 persona u plagosën gjatë bastisjes.

Klan News


Read Entire Article