Ku u “zhduk” Edi Rama, “zbulohet” pse po hesht për apo kundër hapjes së Urës së Ibrit

1 month ago 7
Reklamë

U bllokua në vitin 1999, iu vendosën barrikada për t’u zëvendësuar me copa betoni e pemë, ndërsa tani Ura e Ibrit planifikohet të jetë urë lidhëse për qytetarët që ishin ndarë në jug e veri.

Autoritetet e Kosovës tashmë kanë nisur procedurat për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve, ndërsa këto veprime po hasin në kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë- Serbi.

Gjersa, i gjithë vendi “po vlon” nga deklarimet pro hapjes dhe kundër hapjes së Urës së Ibrit, ajo çka bie në sy është “heshtja” e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj një çështje të rëndësishme për Kosovën.

Bytyçi: Heshtja e tij është ndihmë e madhe për Serbinë

Image

Prof. Enver Bytyçi

Profesori dhe doktori Enver Bytyçi thotë se heshtja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në fakt dëshmon se ai është kundër hapjes së Urës së Ibrit.

Sipas tij, Ramës i duhet leja e Beogradit për hapjen e saj dhe sigurisht ata nuk i japin leje.

“Prej disa javësh zhvillohet një debat I madh për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e mjeteve të transportit, mallrave dhe shkëmbimeve të tjera midis veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës. Dihet tashmë historia e mbylljes së kësaj ure. Janë të njohura edhe vendimet që janë marrë në marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për hapjen e saj. BE financoi me 1.6 milion euro riparimin e saj dhe pati kërkuar hapjen e urës ë në vitin 2016. Tani kanë ndryshuar qëndrim. Në Bruksel thonë se Ura nuk duhet hapur. Të njëjtën deklaratë kanë bërë amerikanët. Ka edhe analistë dhe ndonjë politikan në Kosovë që thotë se ura nuk duhet hapur pa lejen e vendeve të QUINT-it. Por kryeministri i Shqipërisë nuk ka folur. Heshtja e tij në fakt dëshmon për faktin se Edi Rama është kundër hapjes së Urës së Ibrit. Si gjithmonë e ka alibinë e tij gati. “Ura nuk duhet hapur pa marrëveshje me ndërkombëtarët”! Po të fliste do të duhej gjithashtu të thoshte ato që ka thënë Peter Stano në Bruksel se “Çështja e Urës së Ibrit dhe hapja e saj janë objekt i dialogut me Serbinë”! Pra, i duhet marrë leje Beogradit për hapjen e saj. E ata janë të sigurt që Beogradi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk japin leje për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim. Që do të thotë ura të mos hapet. Të qëndrojë e mbyllur. Duke qenë se kryeministri Rama nuk mund të dalë nga korniza e deklarimeve, çfarë i përmenda më lart, ai ka zgjedhur të heshtë”, deklaron Bytyçi.

Tutje, sipas tij, Rama mund të dalë me ndonjë deklarim që hapja e Urës së Ibrit është e mirë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, por hapja e saj duhet të bëhet me marrëveshje.

“Heshtja e tij është ndihmë e madhe për Serbinë, sepse ajo e përdor këtë fakt për t’u thënë partnerëve perëndimorë, se “Edhe Shqipëria nuk është dakord të hapet Ura e Ibrit! Ndryshe Edi Rama do të kishte folur pro-hapjes së saj”! Megjithatë nuk është çudi që në ndonjë mëngjes të dëgjojmë cicërimën e Ramës e të thotë: “Hapja e Urës së Ibrit është e mirë e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë. Parimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kulturave është themelor. Por hapja e saj duhet të bëhet me marrëveshje. Ne në Ballkan nuk na duhen konflikte të reja. Askush nuk përfiton nga këto konflikte”! Të tilla fali kundërshtuese ai ka përdorur gjithmonë, në çdo deklarim e qëndrim për proceset që janë zhvilluar në Kosovë në këto katër vitet e fundit. Gjithnjë ka dalë kundër qëndrimeve të qeverisë dhe kryeministrit Kurti. Kundërshtoi konstituimin e kryetarëve të komunave dhe madje vendosi sanksione kundër Kosovës me anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive të të dy vendeve. Bëri përgjegjës për këtë Albin Kurtin se “Po trazon ujërat e destabilitetit në rajon”! Ideja e tij se “Shqipëria dëmtohet nga qëndrimet destabilizuese të Albin Kurtit” është ajo me të cilën motivohet Edi Rama për ta kundërshtuar dhe sulmuar qeverinë e Kosovës. Më pas Rama kërkoi më shumë se ndërkombëtarët, madje hartoi një projekt të modelit të Beogradit për themelimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Duhet bërë kjo që Kosova të ecë përpara ë të integrohet në strukturat euro-atlantike, thoshte. Presion të jashtëzakonshëm bëri ai për t’ia dhuruar Vuçiq një asosacion, pa këmbëngulur aspak që Beogradi ta njohë Kosovën shtet. Keni parë ndonjë deklaratë prej nëntorit të vitit 2014, me të cilën ai I kërkon presidentit të Serbisë njohjen de jure e de facto të Kosovës nga ana e Serbisë?! Në vizitën e tij të 2014-ës ai e bëri deklaratën e tij në Beograd, me qëllim që të fitonte mbështetjen e Kosovës për ta realizuar më pas ndarjen e saj pë kundërshti! Këtë e vërtetoi fakti se Rama, sipas zonjës Biserko, u mor vesh me Aleksandër Vuçiq gjatë një vizite në Nish në nëntor 2016 për ndarjen e Kosovës dhe u angazhua fuqishëm bashkë me Hashim Thaçin për këtë projekt”, pohon Bytyçi.

Rama vazhdon përpjekjet e tij për të realizuar sërishmi ndarjen e veriut nga Kosova, thotë Bytyçi, gjersa shton se ai punon, madje punon me mendjen e djallit dhe me gjithë përkushtimin e tij për ta shkatërruar shtetin e Kosovës.

“Një kryeministër shqiptar i angazhuar aq fort për ndarjen e Kosovës, nuk mund të kënaqet dhe të mbështesë forcimin e mëtejshëm të sovranitetit të saj. Por unë jam i bindur se zoti Rama vazhdon përpjekjet e tij për ta realizuar sërishmi ndarjen e veriut nga Kosova. Në këto kushte ai nuk do të përkrahë asnjë iniciativë që forcon karakterin unik të shtetit të Kosovës dhe paprekshmërinë e territorit të saj. Edhe më 24 shtator të vitit të kaluar, kur ishte rasti që ta mbështeste përpjekjen e institucioneve dhe policisë së Kosovës për suksesin e arritur në asgjësimin e bandës terroriste në Banjskë, nuk e bëri këtë. Përkundrazi foli për “tokë të askujt”, duke kërkuar një protektorat ndërkombëtar për katër komunat e veriut. Rama nuk harron. Rama nuk pushon! Rama punon! Madje punon me mendjen e djallit dhe me gjithë përkushtimin e tij për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. Mos prisni gjë të mirë prej tij. Edhe zërat kundër hapjes së urës janë më shumë produkt i ndikimit të Ramës sesa të Vuçiq!”, shton profesori.

Qarri: duket se Rama po pret të shoh ndonjë spektakël të mundshëm sipas qejfit të tij, për tu prononcuar

Image

Gani Qarri

Ndërsa, sipas analistit Gani Qarri, Edi Rama po pret të shoh ndonjë spektakël të mundshëm sipas qejfit të tij, për t’u prononcuar siç e ka zakon ai në favor të “sivëllait” Vuçiqit.

Greqizmi i Shqipërisë së Jugut, e veçanërisht në Himarë dhe pasojat që ia ka shkaktuar turizmit shqiptar, sipas Qarrit, janë arsyeja kryesore pse po hesht Rama

“Derisa Kosova po bënë përgatitjet e fundit për hapjen e urës së mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999, kurse KFOR-i, nga ana tjetër nuk është deklaruar pro dhe qëndron i pozicionuar me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s, në urë dhe përreth saj, duket se Rama po pret të shoh ndonjë spektakël të mundshëm sipas qejfit të tij, për tu prononcuar, siç e ka "zakon" ai, në favor të sivëllait Vuçiq dhe Serbisë hegjemoniste. Shto kësaj faktin tjetër se me lejimin e greqizimit të Shqipërisë së Jugut e veçanërisht në Himarë, e Edi Ramës i ka nxjerr shumë kokëqarje vetes, pa harruar qëndrimet e tij të hapura pro Serbisë, me të cilat ai ka shkaktuar edhe mos durim, për të mos thënë edhe armiqësi, të dukshme ndërmjet shqiptarëve, sa që, një numër i konsideruar i shqiptarëve të Kosovës, duke u ndjerë të tehuajësuar dhe përbuzur, në Shqipëri, këtë vit kanë zgjedhur që edhe pushimet, ti kalojnë në vende tjera. Prandaj, kjo është vetëm njëra nga pasojat që Rama i shkaktoi turizmit shqiptar e besoj se edhe arsyeja kryesore pse po hesht, Rama dhe Shqipëria në raport me ndonjë qëndrim pro apo kundër hapjes të Urës së Ibrit”, thekson Qarri.

Rama duhet të kuptojë se me deklaratat e tij megalomane kundër Kosovës po i bën dëme të dyja vendeve, thotë Qarri.

“Për aq më tepër, megjithëse ka filluar apo jo, ta kuptoj Rama, nuk e di, por do të ishte mirë, për atë personalisht dhe shumë më mirë për Shqipërinë, që as mos ti nënçmojnë dhe as të mos i fyejnë e ofendojnë shqiptarët e Kosovës dhe shtetin tonë të ri, sepse sot ka oferta shumë më atraktive për të bërë plazh dhe turizëm gjithandej dhe me kushte e çmime shumë më të volitshme se në Shqipëri, madje edhe pa ngarkesa me taksa ekstra për rrugë, siç u ka vendosur taksa astronomike Edi Rama vetëm kosovarëve, 20 euro vajtje ardhje për vetëm 30-35 kilometra autostradë, përderisa në Zvicër me 40 franga, e ke të paguar për gjithë vitin, taksën rrugore dhe s`ke nevojë, të paguash sa herë hyn e del nga Zvicra, siç ndodhë në Shqipëri. Andaj, nëse Edi Rama ende nuk ka filluar ta kuptojë se me deklaratat e tij megalomane kundër Kosovës po u bën dëm të pa riparueshëm të dyja vendeve, le ta kuptojë tani, e nëse as tani nuk ka marrë mend, vitin tjetër do të bindet plotësisht, se ai nuk është personalitet aq domethënës për shqiptarët e Kosovës, ata e kanë pasur në zemër dhe dashur Shqipërinë gjithmonë dhe jo Edi Ramën, e nëse Shqipëria mendon njëjtë si Edi Rama, edhe shqiptarët e Kosovës, do ta lënë paranë e tyre të fituar me djersë, në ato vende ku priten me dashamirësi dhe vlerësohen si mysafir me nderim”, përfundon analisti.

Read Entire Article