Kualifikimi i dytë në Kampionatin Europian/ Presidenti i FSHF, Duka për median turke ‘TRT’: Merita e të gjithëve

10 months ago 22
13:08 15/12/2023

“Shqipëria kushtet më të mira në Ballkan”

Kualifikimi i Shqipërisë për herë të dytë në finalet e një kampionati Europian erdhi si pasojë e punës së mirë të bërë ndër vite. Në një intervistë për median turke, ‘TRT World’ presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli për edicionin shumë të mirë të Shqipërisë në fushatën kualifikuese.

“Suksesi i Shqipërisë nuk erdhi rastësisht, nuk ndodhi brenda një dite apo një muaji, por si rrjedhojë e punës voluminoze që është bërë për vite me radhë. Pas kualifikimit tonë të parë në një Europian në 2016-ën dëshira jonë e madhe ishte që të ripërsërisim këtë sukses. Çdo ndeshje është një mësim, çdo fitore, humbje apo barazim ka përfitimet e saj. Suksesi nuk vjen vetëm nga fusha apo nga lojtarët. Sigurisht futbollistët kanë meritën kryesore por suksesi nuk është një drejtimësh. Kur flasim për një edicion të sukseshëm kualifikues dua të them që nuk është vetëm merita e lojtarëve por edhe e stafit që kujdeset për gjithçka, që çdo gjë të jetë perfekte.” 

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vlerësoi edhe investimet e bëra në infrastrukturë, ku veçoi qendrën stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” duke e cilësuar si më të mirën në Ballkan, ndërsa nënvizoi se në këtë kualifikim të Kombëtares në EURO 2024 kanë meritë të gjithë.

“Pas suksesit është një punë shumë e madhe nga Federatat, nga skuadrat, lojtarët dhe mbështetja nga çdo aktor në vend. Mbështetja nga tifozët, nga qeveria, të gjitha bashkë bëjnë që të arrihet një sukses i madh edhe për vende të vogla si Shqipëria dhe për vende të tjera në Ballkan. Mendoj se më e rëndësishmja është duke punuar pa pushim dhe me pasion.”

Përsa i përket finaleve të Europiani, Presidenti Duka tha se objektivi kryesor është kualifikimi në raundin tjetër.

“Për ne është një sukses i madh që jemi pjesë e Europianit dhe tani duhet të përgatitemi. Uroj që të gjithë lojtarët t’i kemi mirë me shëndet, në mënyrë që të përgatisim çdo gjë mirë. Ne kemi një grup shumë të vështirë me skuadra shumë të mëdha. Por besoj që të gjithë skuadrat në Europian janë shumë të forta. Çdo skuadër ka kualitet, edhe Turqia. Unë mendoj që Turqia ka kualitet për të arritur në finale, pse jo për të fituar edhe Europianin, po ashtu edhe Serbia, të gjitha ekipet. Për ne e rëndësishme është të bëjmë një performacë të mirë në grup dhe objektivi ynë është të kualifikohemi më tej. Shpresoj që ta arrijmë këtë objektiv, gjithsesi ne kemi arritur një sukses të madh dhe jemi pjesë e “Euro 2024”.”

Shqipëria do të luaj takimin e parë në Euro2024 më 15 Qershor ndaj Italisë kampione në fuqi e Europës. Katër ditë më pas ndaj Kroacisë, në një derbi totalisht ballkanas, teksa e mbyll fazën e grupeve përballë Spanjës, kampione e Europës dhe Botës.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article