Kuc i lumtur me çmimin si mesfushori i vitit në Kosovë: Jam i nderuar, meritë e gjithë bashkëlojtarëve

10 months ago 48

Redaksia e Sportit në Telegrafi, portalit lider në vend, ka shpallur fituesit e çmimeve për lojtarët më të mirë të Superligës së Kosovës në futboll për vitin 2023.

Gjatë vitit 2023, shënoi periudha të mbushura me rivalitete dhe garë të fortë mes ekipeve, si në gjysmën e fundit të sezonit 2022/23 ashtu edhe në pjesën e parë të edicionit 2023/24, ku futbolli kosovar vazhdoi të tregojë zhvillim dhe përmirësim të qëndrueshëm.

Përveç sukseseve të mëdha ekipore, lojtarët e Superligës treguan rritje individuale dhe performanca të larta, ku veçohet suksesi i ekipit kampion, Ballkani, që u përfaqësua për të dytin vit radhazi në arenën ndërkombëtare, edhe kësaj radhe në Ligën e Konferencës.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuc është shpallur mesfushori i vitit nga redaksia e sportit në Telegrafi.

Mesfushori nga Mali i Zi është në vitin e tij të pestë në futbollin e Kosovës dhe padyshim se është njëri nga lojtarët më kualitativ të viteve të fundit.

Këtë e ka dëshmuar edhe në vitin e fundit, duke qenë njëri nga më meritorët në titullin e fituar nga Ballkani dhe kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës.

Edvin Kuc gjatë vitit 2023 ka zhvilluar plot 42 ndeshje në të gjitha garat, ku ka shënuar 9 gola, ku nuk i munguan as asistimet.

Ai fal paraqitjeve shumë të mira e ka fituar një vend edhe në Përfaqësuesen e Malit të Zi, ku në vitin 2023 u ftua për herë të parë, madje shënoi edhe tre gola.

Kuc ka thënë për Telegrafin se ka pasur një vit jashtëzakonisht të mirë, derisa e vlerëson çmimin e marrë dhe mbështetjen e parezervë që mediumi ynë ia jep atij dhe gjithë sportistëve në vend.

“Faleminderit Telegrafi Sport për këtë çmim, faleminderit për gjithë mbështetjen që ma keni dhënë në pesë vite prej ditës së parë që jam këtu. Është meritë e gjithë bashkëlojtarëve ky çmim dhe gjithë klubit që ka meritë për këtë nivel që kam”, thotë Kuc.

“Besoj që Ballkani si klub, edhe ne si lojtarë do të rritemi edhe më shumë dhe do ta bëjmë krenarë gjithë Kosovën”, ka thënë Kuc. /Telegrafi/

Read Entire Article