Kujdes Ballkanin!

3 weeks ago 13
Reklamë

Me shkas nga një udhëtim në Prijedor, Republika Srpska

Nga Aladin Stafa

Nëse do të na duhet të hedhim një vështrim në Europë për të gjetur një tokë gati të ndezur me frymë nacionaliste, kufij ndarës të padrejtë apo edhe krenari të shfrenuar, Ballkani do të vazhdojë të mbetet sic dhe ka qenë ndër shekujsh modeli që kërkojmë.

Ndryshe nga cfarë natyra i ka rezervuar këtij këndi jo të vogël të kontinentit, njeriu dhe lojrat e tij gjeo-politike kanë ushtruar të kundërtën. Hijet e së shkuarës duket të kenë lënë gjurmë në këtë rajon, duke mbajtur peng zhvillimin dhe të ardhmen që ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, është i destinuar të presë me dekada derisa brezat të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se e vetmja mënyrë për të ecur para është tejkalimi i mërive me fqinjin dhe padyshim bashkëpunimi me të.

Por a mund të bëhet kjo e mundur me një popullatë jo fort të kalitur prej kthjelltësisë së mendimit apo ftohtësisë në gjykim ?

Nuk ka asnjë dyshim që genocidet e herëpashershme, urrejtjet ndëretnike apo dhe zaptimi i territoreve, këto ngjarje të dhunshme që Ballkani i ka jetuar, të mund të fashiten lehtë prej memories kolektive. Kjo është dhe arsyeja pse ulja e tensionit me ´armikun`, fqinjin tonë të pangopur, të jetë gjithmonë një sfidë e radhës.

I gjithe ky kalvar problematikash filloi në të ashtuquajturën Konferencë e Paqes në Londër, mbajtur në vitin 1912. Një ngjarje që një shekull e ca më pas jo vetëm që nuk solli paqe, por përkundrazi ndezi luftra gjakatare, plagët e të cilave sot ende nuk janë mbyllur.

Tabloja më absurde shfaqet në Republikën e Bosnjë- Hercegovinës, një territor ku jetojnë tri etni të ndryshme pavarësisht se janë të gjithë sllavë. Dallimi i vetëm i tyre është ai i religjionit, si për të na treguar se feja ka qenë dhe do mbetet shkaktarja kryesore e shumë luftrave ndryshe nga cfarë ajo predikon.

Në fillim të viteve ’90 pas shkëputjes nga ish -Republika e Jugosllavise, tri etnitë kryesore në këtë territor, Bosnjë- Hercegovinë, janë ndarë cuditshëm. Ata janë: muslimanët që mbajnë titullin autoktonë, kroatët, të cilët përbëjnë grupin e tretë më të populluar pas boshnjakëve e serbve dhe serbët ose ata të cilët banojnë në një territor që quhet Republika Srpska.

Ne e dimë se këto tri etni zhvilluan për gati tre vite me rradhë nga 1992- 1995, një luftë mes tyre që u kthye në një konflikt ndërkombëtar dhe u quajt Lufta Boshnjake. Një masakër që la pas mbi 100 mijë të vdekur duke na dhënë edhe njëherë modelin se lufta brenda llojit qenka dhe lufta më e madhe që mund të ekzistojë.

Koha kalon. Plagët deri diku edhe shërohen por ndihet ndër biseda miqsh se gjetja e një gjuhe të përbashkët mes etnive vështirë se shihet. Ndryshe nga c’lexojmë politikisht emocionet nuk harrohen.

E ndoshta kjo është arsyeja pse vendi ende përfaqsohet nga tre krerë të ndryshëm, duke përfaqsuar tre kultura të ndryshme në tre kryeqytete të ndryshme; si Sarajeva, Mostari dhe Banja Luka.

Komike e njëkohësisht e trishtë se si udhëtimi në këto territore i përngjan hyrje- daljes nga një shtet në tjetrin, me krahina të shpërndara në mënyrë të parregullt dhe njerëz që luftojnë të tejkalojnë shqetësimet emocionale që sjell kjo ndasi fetare mes tyre, gjendjes jo fort të favorshme ekonomike dhe krizës shpirtërore se kujt identeti i përkasin dhe ndoshta paditurisë se si të prezantohen.

Dëshira e tyre padyshim të cilën nuk e thonë me zë të lartë, është pavarësia për cdo etni por kjo ende nuk është e lehtë. Konsideruar si një kuti e ´Pandorës`, kjo cështje do të sillte po aq probleme të mbartura për Ballkanin, sa cdo konflikt tjetër aty rrotull. E të cilat ne i njohim mirë.

Konflikte që do ta pezullonin procesin tonë të integrimit, të rajonit në tërësi duke rrezikuar vazhdimisht me ndezjen e tyre, lehtësisht ama për t‘u krijuar përsëri.

Ashtu si ndër shekuj Fuqitë e Mëdha qenë faktori kyc për fatin e shume vendeve, edhe në Ballkan pasojat e vendimeve të tyre lanë pas mëri e gjak, destabilitet e konflikte.

Ballkani mbeti rajoni i përcaktuar për të mos patur qetësi, e megjithatë me fat që ka ende njerëz të dashur që përtej vuajtjeve që sjell politika i mbijetojnë jetës prej natyrës dhe klimës që ai ofron.

E ndërsa koha ikën, me cështje ende të hapura mes tyre, popujt ballkanikë si shqiptarët, grekët apo dhe sllavët duket se presin një tjetër konferencë a samit. Këtë herë me shpresën që të jep e ardhmja. Që fatet e veta të mund t’i ndërtojnë po ata vetë.

Read Entire Article