Kurti: BE po na kërcënon

1 month ago 12
Reklamë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër vendeve partnere të Kosovës. Një ditë pas deklaratave të ambasadorit amerikan Jeffry Hovenier se me hapjen e urës rrezikohen ushtarët amerikanë, Kurti garantoi se konsultimet në lidhje me këtë çështje do të vijojnë me ndërkombëtarët.

“Besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë”, tha Kurti.

Qeveria akuzoi Bashkimin Evropian se po e kërcënon Kosovën pasi po planifikon të zbatojë një marrëveshje që parasheh hapjen e urës në Mitrovicë.

“Nga viti 2018 deri në vitin 2021 në raportet e BE-së thuhet se ura është gati dhe është mirë të hapet për qarkullim të plotë, të pa vonesë dhe pa pengesa. Duke qenë sponsorizuese e marrëveshjes dhe planit të zbatimit për hapjen e urës, BE duhet të na tregojë se çka ka ndryshuar nga viti 2023”, tha Elbert Krasniqi, ministri MAPL.

Në lidhje me protestën që mbajtën javën e kalur serbët në veri të Mitrovicës, u tha se ajo nuk ishte kundër hapjes së urës.

“Në mënyrë eksplicite janë shprehur se protestën e thërrasin për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vështirësitë për marrjen e pensioneve. Nuk ka të bëjë asgjë me urën. U bë përpjekje që të keqpërdoren, të instrumentalizohen, nga strukturat e Vuçiçit dhe Listës Serbe në veri të vendit”, u shpreh Krasniqi.

Qeveria refuzon të tregojë një datë se kur do të hapet ura në Ibër, por këmbëngul se kjo do të ndodhë pasi të kryhen edhe punimet për rivitalizimin e saj.

Read Entire Article