Kurti: Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua

10 months ago 28
21:20 03/12/2023

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.”

Kështu shkruan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një postim në “Facebook” lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt. Kryeministri Kurti e vijon shkrimin e tij duke thënë se arrestimi i kriminelëve nuk mjafton.

“Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.”

Kryeministri Kurti shkruan se urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe të marrin dënimin maksimal.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.”

Për të parandaluar këto krime makabra, kryeministri Kurti thotë se duhet të punojmë secili e secila në çdo fushë që këtë kulturë patriarkale e mizogjene ta zhdukim.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu. E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin.”

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article