Kurti ngre alarmin: Radoiçiç dhe grupi i tij janë takuar më 10 Nëntor në Rashkë, përgatiten për sulme të tjera ndaj Kosovës

11 months ago 49
18:35 19/11/2023

Kryeministri i Kosovës ka ngritur alarmin se më 10 Nëntor, në Rashkë të Serbisë janë takuar Milan Radoiçiç, i cili akuzohet për sulmin terrorist në Kosovë, me grupin e tij paramilitar dhe politikanë serbë të Kosovës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti shkuan se takimi është udhëhequr nga Radoiçiç dhe është diskutuar për zgjedhjet e parakohshme të 17 Dhjetorit në Serbi.

Por sipas Kryeministrit Kurti, në atë takim janë bërë përgatitje për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.


REAGIMI I KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI:

Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiç dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.

Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.

Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.

Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.

Millan Radoiçiç, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës.

U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit.

Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës.

Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit.

Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rrit nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.

/tvklan.al


Read Entire Article