“Kurti të jetë i kujdesshëm”, eksperti i sigurisë thotë se shërbimet sekrete ruse dhe serbe do ta eskalojnë situatën nëse hapet Ura e Ibrit

1 month ago 8
Reklamë

Ҫështje e hapjes së Urës së Ibrit, është ndër më të përfolurat e ditëve të fundit. Qeveria e Kosovës ‘zgjoo’ ndërkombëtarët me përmendjen e kësaj ҫështje.

Derisa, Qeveria tha se synon të hap urën mbi lumin Ibër, faktori ndërkombëtar e quajti si një veprim të gabuar dhe të njëanshëm nga ana e Kosovës.

Madje, Bashkimi Evropian paralajmëroi edhe masa të reja ndëshkuese për Kosovën, nëse ndërmerr një hap të tillë.

Ish kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri bëri thirrje për organizimin e një tubimi në përkrahje të hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve. Po ashtu, ai ka organizuar në Facebook një lloj "sondazhi" se kush është pro këtij tubimi. Si mund të komentohet kjo iniciativë e Bahtirit ku pro tubimit kanë votuar 1800 persona.

Mirëpo, nëse zbatohet kjo, si mund të jetë ҫështja e sigurisë në këtë zonë, që thuajse asnjëherë tjetër nuk është e qetë?

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Ai thotë se ҫdo veprim i cili shkakton pasiguri është veprim kundër SHBA-ve sepse, janë ndër shtetet që garantojnë siguri, paqe dhe zhvillim dhe përpjeket për të cënuar angazhimin e SHBA-ve janë përpjekje direkt kundër tyre dhe nuk kanë të bëjnë me ҫështje lokale.

Image

Bedri Elezi.

Elezi: Kosova, përfaqësuesit e saj, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësuesit e qeverisë, si dhe institucionet e tjera duhet të kenë kujdes të shtuar.

“Edhe në rast konkret, operacionet që kanë të bëjnë me hapjen e urës mbi lumin Ibër janë veprime të cilat pikërisht kanë të bëjnë me ҫështjen e josigurisë, apo përpjekjet për të justifikuar aktivitetet e dhunshme të palës serbe të cilët kanë për qëllim kryesor eskalimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe Ballkan, në mënyrë që edhe më tutje të vazhdojnë të mbeten partner i vendeve anëtare të NATO-së, shteteve të cilat promovojnë demokracinë, sigurinë, zbatimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si një shtet që ka mundësi, kapacitete, dhe ndikimin ne veriun e Kosovës dhe katër komunat me shumicë serbe, për të siguaruar apo për të përcjellur siguri”, vlerëson Elezi.

Sipas ekspertit, në rast se veprimet tona, të Kosovës janë të tilla, të cilat mund të shkaktojnë tensione, apo josiguri, në anën tjetër faktorizojmë palën tjetër që është Serbia, të performojë josiguri dhe njëkohësisht të bëhet subjekt i fuqive të mëdha, siҫ janë SHBA, NATO dhe BE për të diskutuar me ta përrreth krijimit të kushteve për siguri.

“Prandaj, rasti konkret në Republikën e Kosovës, hapja e urës mbi lumin Ibër, janë përpjekje të cilat parë nga aspekti I krijimit të jetës integruese, janë përpjekje që duhet të jenë, sepse urat shërbejnë si mjetet që lidhin, vendet, popujt, që krijohen pikërisht për bashkimin e vendeve dhe jo ndarjen e tyre, mirëpo në rastin konkret, referuar situatës së sigurisë, referuar faktit se, qytetarët serbë mund të shfrytëzojnë përpjekjet e Kosovës, për hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe shtrirjen e sovranitetit në atë zonë si provokim. Dhe njëkohësisht mund të nxisin reagimet e serbëve në atë pjesë duke u mbështetur nga serbët e tjerë qoftë brenda Kosovës ose jashtë saj, si dhe nga Serbia zyrtare dhe Rusia. Prandaj Kosova, përfaqësuesit e saj, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësuesit e qeverisë, si dhe institucionet e tjera duhet të kenë kujdes të shtuar, që veprimet e tyre të mos jenë asnjëherë veprime që do të angazhojnë në aktivitete të josigurisë nga pala serbe dhe njëkohësisht të mos justifikojnë veprimet e Serbisë në drejtim të cenimit të marredhënieve të SHBA-së, BE-së me institucionet e Kosovës”, vlerëson ai.

Eksperti Elezi thotë se, ҫdo veprim i cili cenon përpjekjet e Kosovës sot, për zhvillim, drejtësi, siguri dhe njëkohësisht dhe ushtrim bashkëpunimi me shtetet mike të saj, konsiderohet si një veprim i cili mund të realizoj skenare për eskalim të sigurisë dhe këto skenare janë në dobi dhe janë të hartuara nga Intelegjenca e Shërbimeve sekrete serbe.

“Ҫdo eskalim i sigurisë, mund të jetë skenar i sekreteve serbe-ruse, të cilat tanimë marrëdhëniet me shtetet, si SHBA, BE dhe NATO, e kanë pikërisht tek presioni apo tek përpjekja për të sjellë siguri në rajon e veҫmas në zonën që thamë në veriun e Mitrovicës, përkatësisht në katër komunat me shumicë serbe dhe ne kështu po i krijojmë kushte Serbisë dhe aleatëve të saj, për të treguar kapacitetet e tyre, qoftë politike apo të tjera me miqtë tanë ndërkombëtarë”, vlerëson ai.

Shkodra: Qeveria Kurti po ndërmerr kësi veprimesh, e keni parasysh se është vit elektoral dhe ajo dëshiron që të maksimalizoj voten e vet

Lidhur me temën e hapjes së urës mbi lumin Ibër ka folur edhe njohësja e politikës, analistja Magbule Shkodra. Ajo thotë që qeveria po proklamon këtë ide, edhe pse vendet e QUINT-it nuk e përkrahin.

Image

Magbule Shkodra

“Qeveria siç të gjithë jemi në njohuri që ka kohë që po e proklamon idenë e hapjes së Urës së Ibrit, por duhet thënë se nga partnerët tanë ndërkombëtarë, siҫ e dini takimi i QUNIT-it dhe në emër të tyre foli ambasadori i SHBA-së, foli hapur dhe shumë qartë e tha se një veprim të tillë nuk e përkrahin për këtë moment. Në aspektin ligjor është në rregull, Qeveria Kurti po dëshiron të ndërmarr një veprim i cili është ligjor, mirëpo gjendja faktike nuk është në rregull”, vlerëson ajo.

Analistja Shkodra thotë se askush nuk dëshiron që në njëfarë mënyre të krijohet një situatë e papritur, që do ta cënonte sigurinë e vendit dhe për më tepër edhe sigurinë në rajon. Prandaj edhe shtetet e QUINT-it po insistojnë që në asnjë mënyrë në këtë kohë të merren veprime të njëanshme.

“Unë shpresoj që kryeministri Kurti e ka marrë këtë mesazh shumë serioz, do ta respektojë dhe nuk do të bëjë veprime siҫ ka bërë në të kaluarën, duke u kritikuar pastaj për veprim të njëanshme. Këto veprime të njëanshme që i ka bërë në të kaluarën, sic e dini kanë ndikuar edhe në ftohjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, dhe kjo gjë nuk do t’i ndihmojë aspak Kosovës”, thekson ajo.

Po ashtu, ajo thotë se në anën tjetër Serbia ka filluar të flas dhe proklamojë në njëfarë mënyre se si edhe mbyllja e postave që u bë në pjesën veriore dhe tani ideja për hapjen e urës, cenon komunitetin serb atje dhe në një mënyrë po jepet një imazh shumë i gabuar për Kosovën, kinse ne jemi kundër komunitetit serb.

“Prandaj po e ceki edhe njëherë se Qeveria Kurti duhet të jetë shumë e kujdesshme me veprimet të cilat i ndërmerr. Arsyeja pse Qeveria Kurti po ndërmerr këso veprimesh, e keni parasysh se është vit elektoral dhe ajo dëshiron që të maksimalizoj votën e vet, me këso veprime të cilat për konsum të brendshëm do të ndikojnë në vota, por mund të jetë edhe ideja e gabuar e tyre sepse ҫdo qytetar që fillimisht mendohet se cenohet siguria e tyre, ata do të tërhiqen dhe nuk do ta ketë përkrahjen. Prandaj, po shpresoj që Qeveria Kurti nuk do të ndërmarr asnjë veprim pa u koordinuar me faktorin ndërkombëtar”, vlerëson Shkodra për ‘Bota sot’.

Read Entire Article