Kuvendi i heq imunitetin Berishës, ish-kryeministri: Veprim antikushtetues

9 months ago 12
12:09 21/12/2023

Parlamenti votoi vetëm me votat e shumicës pro dy raporteve të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, një i relatores socialiste Klotilda Bushka dhe i demokratit Enkeled Alibeaj, për të autorizuar SPAK-un të procedojë me arrestimin e Sali Berishës.

Edhe pse e kishte të drejtën të fliste përpara parlamentit për të vërtetën e tij, Berisha e refuzoi këtë të drejtë. Por një qëndrim të shkurtër e mbajti në përfundimin e seancën, e cila zgjati sërish vetëm 8 minuta.

“Parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vite më parë. Ju garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk mund të realizojë qëllimet, shkatërrimin e opozitës”.

Kjo seancë prodhoi të njëjtat pamje dhe situatë kaotike si ato të 2 muajve të fundit. Përplasje mes deputeteve dhe Gardës në hyrje në parlamentit, përpara nisjes së seancës… Por dhe gjatë seancës ku u ndezën sërish flakadanët shumëngjyrësh.

E ndërsa seanca kishte të parën në rendin e ditës kërkesën për autorizim nga SPAK-u, ajo që mbyllte axhendën e kësaj seance ishin ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, çështja që ka futur parlamentin në këtë situatë.

Demokratët i kanë kundërshtuar që në fillim këto amendime pasi sipas tyre ato pengojnë opozitën në ngritjen e komisioneve hetimore.

Kjo ishte seanca e fundit për këtë vit. Sesioni i ardhshëm duhet të nisë të hënën e parë të javës së tretë të janarit. Nuk dihet nëse kjo kohe do t’ju shërbejë palëve për të negociuar dhe për të rikthyer jetën normale parlamentare.

Tv Klan



Të ngjashme

Read Entire Article