Kuvendi Kombëtar i PD-së, Berisha: Sot nuk kemi më gjykata popullore, por gjykata partiake që i bijen qeverisë

10 months ago 32
12:24 02/12/2023

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar u shpreh se kombi ynë është një komb shpresëhumbur, një komb që vajton të rinjtë që nuk gjejnë të ardhmen në këtë vend.

Gjithashtu Berisha u shpreh se sot në vendin tonë nuk ka më gjykata popullore pasi ato janë kthyer në gjykata partiake të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë.

Sali Berisha: Të dashur delegatë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, jemi në mbyllje të vitit 2023, fundi i vitit është gjithmonë kohë reflektimi, por sot ju ftoj të bëjmë një reflektim pak më të thellë sepse ky fundviti shënon mbylljen e një dekade që qeverisemi nga Rilindja, një dekade nga më të zezat në historinë e Shqipërisë. Një dekadë në të cilën humbëm votën e lirë, kombi humbi shpresën dhe një të tretën e gjakut të tij. Një dekadë gjatë të cilit, arritjet tona u shpërbënë, shteti ligjor u zëvendësua nga narkoshteti. Kjo mund të quhet ndryshe dekada e shkatërrimit.

Sot, kombi ynë është një komb shpresëhumbur, një komb që vajton të rinjtë që nuk gjejnë të ardhmen në këtë vend, një komb që rënkon sepse trupi i tij është kapluar nga metastazat e krimit, një komb që dergjet pasi është kombi më i plaçkitur ndër të gjitha kombet në Europë. Pronat private nuk grabiten më nga komunistët, por nga të ashtuquajturit investitorët strategjikë. Shqiptarët vijojnë të persekutohen jo më nga policia sekrete hoxhiste, por nga bandat e qeverisë dhe patronazhistët, nga organizatat kriminale në institucionet e narkoshtetit.Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi SKAP-in dhe gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale, brenda të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë.”

Ndër të tjera Berisha foli edhe lidhur me uljen e popullsisë në vend.

Sali Berisha: Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë dhe Tiranën e kemi shndërruar në një Beograd të dytë. Popullsia është ulur me 35 përqind në 10 vite. Me braktisjen masive dhe me dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë kombi ynë është një komb në vdekje, një gjë që as në komunizëm nuk ndodhi. Të gjitha këto dhe shumë të tjera, ashtu si në diktaturën staliniste, sërish ndodhin nën shëmbëllturën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe që kërkon të mbajë pushtetin me forcë mandat pas mandati dhe ky demon është Edi Rama.

Berisha gjithashtu u shpreh: Sot, ne jemi përsëri në kushtet e një diktature të re, por jo ideologjike me burgje e kampe, por jemi në mobokraci, në narkodiktaturë, në të cilën njëlloj si në diktaturën ideologjike, pushtetet ndodhen në dorën e një njeriu. Ky njeri e ushtron pushtetin jo me ligje, jo me Kushtetutë, por me banda, me krime, me mafien e drogës. Ai kalon nga mandati në mandat sepse paratë e drogës, fuqia e krimit, shndërrohen në vota, kurse vota shndërrohet në krime, në grabitje të pasurive dhe fondeve publike, në vrasje, burgosje të kundërshtarëve, korrupsion transnacional për të shkatërruar opozitën. Shndërrohen në frikë dhe tmerr dhe këto të fundit, njëlloj si në diktaturën ideologjike, shndërrohen në votë.


Read Entire Article