“Lamtumirë gjeni!”, Askush si Ismail Kadare -  falë tij nuk do të ketë kurrë mort gjuha e letërsia shqipe!

2 months ago 16
Reklamë

Kombi shqiptar është në zi.

Shqiptarët, humbën një nga personat me ndikimin më të madh në historinë e letërsisë dhe publicistikës.

Shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Ismail Kadare, vdiq sot në moshën 88 vjeçare, në Tiranë.

Kadare, është kolosi më i madh i letërsisë shqiptare. Autor i dhjetëra romaneve, poezive dhe eseve, ai është ndër shqiptarët më të njohur në botë, me veprat e tij të përkthyera në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të botuara anembanë.

Gjithashtu, Ismail Kadare, ka qenë disa herë me radhë kandidat për çmimin Nobel për letërsinë, ndërkohë që janë të shumta vlerësimet prestigjioze ndërkombëtare për veprën e tij, si International Booker Man Prize, Prince of Asturias Aëard, Jerusalem Prize, Neustadt International Prize, Nonino, Park Kyong-ni.

Ndër veprat më të njohura të tij veçohen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romani i tij i parë i botuar në vitin 1963, “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi” apo dhe “Darka e gabuar”.

Me gjithë këtë bagazh dhe ndikim të papërsëritshëm, Kadare po dyshim që është një humbje e madhe për shqiptarët dhe letërsinë shqiptare në veçanti.

Nuk do ketë, një të dytë, si Kadare, prandaj jemi me fat që kemi pasur një gjeni si ai.

Shahu: Kadare është i vetmi shkrimtar shqiptar i këtij planeti që i flet përjetësisht njerëzimit në 45 gjuhët kryesore të botës

Image

Rexhep Shahu

E për humbjen e Kadaresë dhe veprat që la pas, në një bashkëbisedim për “Bota sot’ foli publicisti shqiptar, Rexhep Shahu.

Së pari, ai e vlerësoi atë si shkrimtarin shqiptar më të madh të të gjitha kohërave, dhe si shqiptarin e vetëm në planet që i “flet përjetësisht njerëzimit në 45 gjuhë”.

“Shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Ismail Kadare, sot shkoi në përjetësi në moshën 88 vjeçare. Kadare është i vetmi shkrimtar shqiptar i këtij planeti që i flet përjetësisht njerëzimit në 45 gjuhët kryesore të botës. Po bëhet gati një shekull që ai është sundimtari absolut në letrat shqipe dhe do të duhet mbase një shekull tjetër që të vijë një gjeni i ngjashëm me Kadaren. Kadare është shpëtimtari i shpresave të shqiptarëve, letërsia e tij në diktaturë na bënte të shpresonim për një të ardhme ndryshe”, deklaroi publicisti.

Gjithashtu, Shahu potencoi se Kadare ishte luftëtar i betejave e polemikave për çështjen kombëtare.

Sipas tij, çmimi Nobel do të jetë i varfër pa Ismail Kadarenë, derisa foli për veprat e këtij të fundit.

“Ai ishte tiran për mediokrit, lehësit, antishqiptarët që cenonin identitetin evropian të shqiptarëve. Ishte luftëtar i epërm i betejave e polemikave të serta për çështjen kombëtare shqiptare. Me Skënderbeun, Nënë Terezën, Pjeter Bogdanin e Ibrahim Rugovën, ai i jep dinjitet e krenari pasaportës shqiptare. Veprat e Kadaresë janë lexuar e do të lexohen sa të jetojë libri. Bota do të dalë prej marrëzisë një ditë, do të shpëtojë dija prej celularit e do t'i kthehet librit. Atëherë Kadareja do të bëhet edhe më i fuqishëm. 15 herë i nominuar për çmimin Nobel dhe zagarët lehën aq shumë kundër Kadaresë sa u shurdhua Nobeli. Por, sot e gjithmonë çmimi Nobel do të jetë i varfër pa Ismail Kadarenë, siç është i varfër për Tolstoin e mjaft gjeni të tjerë”.

Ndër të tjera, publicisti tha se ndonëse ne jemi komb i vogël, fati na buzëqeshi dhe na dha një gjeni si Kadare, që fal tij nuk do të ketë kurrë mort gjuha e letërsia shqipe.

“Shkrimtari i shquar, Ismail Kadare shkoi në përjetësi dhe sa të ketë libër e letër, ai do ta bëjë krenar kombin e njeriun shqiptar kudo të jetë.  Shqiptarët nuk e kemi një Hygo që të mbajë fjalim në vdekjen e Balzakut. Faleminderit përjetë Kadare që na mësove, na emancipove, na e fute letërsinë e vogël shqipe në Evropë me letërsitë e kombeve të mëdha. Ne jemi komb i vogël me gjuhë të vogël por fati deshi të kemi një gjeni si Kadare që i flet botës në 45 gjuhët kryesore të saj. Falë Kadaresë nuk do të ketë kurrë mort gjuha e letërsia shqipe. Lamtumirë gjeni”, përfundoi Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Azemi: Ismail Kadare, bashkë Martin Camajn, është “karrikuesi” më i fuqishëm i letërsisë me elegancën fjalëformuese të gjuhës shqipe

Image

Emin Azemi

Ndërsa, publicisti dhe shkrimtari, Emin Azemi në ditën e vdekjes së Kadaresë, tha se këtë të fundit mund ta trajtojmë në tri aspekte.

Si fillim, ai tha se Kadare do të mbetet në historinë e letërsisë shqipe si shkrimtar që i priu thyerjes së klisheve të të shkruarit.

“Shkrimtari Ismail Kadare është trajtuar dhe do të trajtohet nga shumë aspekte, por sipas mendimit tim, janë tre aspekte që e karakterizojnë individualitetin e tij krijues.

E para, ai bashkë me një brez shkrimtarësh (Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Vehbi Skënderi, Risto Siliqi etj.) do të mbetet në historinë e letërsisë shqipe si shkrimtar që i priu thyerjes së klisheve të të shkruarit, si në poezi, ashtu edhe në prozë. Realizmi socialist i ngjante një djerrine të tharë dhe të pagjak, por Ismail Kadare ishte një oazë e gjelbër, plot me freski dhe jetë në atë shkretëtirë, që ia ndryshoi përgjithësisht imazhin letërsisë shqipe brenda dhe jashtë. Falë kësaj oaze, shumë shkrimtarë tjerë, sidomos në Kosovë, zhvilluan talentin e tyre duke patur si referencë letërsisë e Kadaresë”, vlerësoi shkrimtari.

E dyta, Ismail Kadare, bashkë Martin Camajn, është “karikuesi” më i fuqishëm i letërsisë me elegancën fjalëformuese të gjuhës shqipe dhe me shtresat shumë kupimore - idiomatike të saj. Janë bërë përpjekje që të përpilohen fjalorë të ndryshëm dhe studime të shumta nga ky kontribut madhor i Kadaresë, por është shumë pak në krahasim me rëndësinë që ka letërsia e Kadaresë në zgjerimin e “mushkërive” të gjuhës shqipe në frymëmarrjen e komunikimit tonë kulturor.

E treta, askush si Ismail Kadare nuk e afirmoi më mire në botë vertikalen shpirtërore të shqiptarëve. Veprat e tij të përkthyera në mbi 40 gjuhë, artikuluan dhe argumentuan qenësinë e një kombi, të cilin sherret e politikës e kishin lënë në margjina. Vetëm pasi u lexua vepra e tij, bota i njohu më mire shqiptarët dhe e kuptoi më qartë fatin e këtij kombi të ndarë si mos më keq”, shpjegoi shkrimtari Azemi.

Po ashtu, Azemi përmendi edhe kontributin e Kadaresë dhe kauzën e tij për Kosovën.

Në këtë pikë, ai solli një fragment të një letre që Kadare ia kishte shkruar presidentit të atëhershëm të SHBA, George Bush.

“Për rrjedhojë, Kadareja edhe personalisht në komunikim me burrështetasit e botës (me George Bush plakun, Jacques Chirac etj) kishte vënë në dispozicion autoritetin e tij në favor të kauzës së Kosovës, duke dhënë alarmin se regjimi serb po i vërsulej për ta asgjësuar njërin prej popujve më të lashtë të kontinentit evropian.

“Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjik, të krejt kontinentit evropian: shqiptaret. Ky është i vetmi popull në historinë e Evropës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë. Ky gjymtim e kjo shtypje dyfish, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim. Zoti Presidenti SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu. Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e  Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë”, i shkruante Kadare më 11 shtator 1991, Presidentit të atëhershëm të SHBA, George Bush”.

Krahas kësaj, publicisti soli edhe pjesën e letrës së Kadare ia kishte shkruar presidentit francez, në kohën kur serbët po bënin kërdi në Kosovë.

E për këtë, vlerësoi se emri dhe vepra që la pas, Kadare, do të jenë edhe një peng për ndërgjegjen tone.

“Shatë vjet më vonë, kur soldateska serbe po bënte kërdi në Kosovë, Ismail Kadare i drejtohet sërish me letër, një presidenti tjetër.

“Në sytë e Europës e të Perëndimit të krishterë, qytetërimi i të cilit, bazohet sot më tepër se kurrë mbi vlerat e lirisë e të drejtave të njeriut e të popujve, po kryhet një krim me përmasa të padurueshme. Një shtet i egër stalinist, po djeg e po rrënon fshatra e qytete, vret gra e fëmijë, shpërngul me dhunë qindra e mijëra njerëz e kryen spastrim etnik, pa u ndëshkuar prej askujt. Cili shtet në Evropë do të guxonte të masakronte me tanke, helikopterë dhe flakëhedhëse shtetasit e vet?... Kjo, që po ndodh sot në Kosovë, nuk është as rastësi dhe as surprizë. Ky krim është përgatitur prej kohësh, dhe Evrope dhe SHBA, janë paralajmëruar me kohë për të. Megjithatë veshi është bërë i shurdhër…”, i shkruante Kadare (më 26 gusht 1998), mes tjerash, Presidentit të atëhershëm francez, Jacques Chirac.

Tani kur Kadare na mbetet në mendje vetëm si si imazh, si kujtim, emri dhe vepra që la pas do të jenë edhe një peng për ndërgjegjen tonë në formë detyrimi ndaj vlerave që la ai trashëgim, duke i ranguar ato në rrafshin më sipëror të mbamendjes sonë kolektive”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.

Read Entire Article