Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tash e katër vite po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, me pretendimet se të dyshuarit kanë kryer krime lufte.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.
Që nga ajo kohë, ky proces gjyqësor është përballur me zhvillime të ndryshme dhe dëshmi të shumta.
Së fundi, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) bëri të ditur se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dymbëdhjetë dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas njoftimit të ZPS-së, deklaratat e tetë dëshmitarëve do të paraqiten me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë.
“ZPS-ja njoftoi se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dymbëdhjetë dëshmitarëve. Gjithashtu, ZPS-ja do t’i paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë”, thuhet në njoftim.
Por, si pritet të ndikojë largimi i këtyre dëshmive në mbarëvajtjen e këtij procesi gjyqësor?
Halilaj: Ne duhet ta kemi besimin e plotë dhe te japim kontributin maksimal në përkrahje të kësaj gjykate
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.
Gazmend Halilaj
Së pari, ai u shpreh se të gjitha zhvillimet që po ndodhin në Hagë, i sheh si normale, pasi është një betejë juridike dhe mund të pritet edhe largime të dëshmive ose provave.
“Si qytetar dhe si profesionist e shoh krejt normale atë që është duke ndodhur në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Tani, atje po zhvillohet një betejë juridike dhe natyrisht deklaratat që organi i akuzës i sheh si jo kredibile, është normale të kërkojë që të njëjta të mos i shërbejnë vërtetimit të gjendjes faktike dhe është në dorën e prokurorit të kërkojë që të njëjtat mos të shërbejnë si prova”.
Gjithashtu, Halilaj potencoi se edhe kur mund të ketë një vendim final mbi këtë rast, ku tha se kohëzgjatja e këtij procesi varet në disa faktorë, të cilët i shtjelloi më poshtë.
“Ndërsa, sa i përket çështjes së procedurës lidhur me kohëzgjatjen deri në vendimin final, konsideroj që janë shumë faktorë dhe secili e ka ndikimin e vet, por sipas gjasave diku në vitin 2026 mendoj që mund të vendoset në shkallën e parë, pastaj kemi procedurën sipas ankesave në gjykatën e shkallës së dytë, e pastaj edhe me mjetet e jashtëzakonshme, kuptohet nëse shkalla e dytë nuk e prish me kthye në rivendosje, nëse eventualisht cilado shkallë më e lartë e kthen në rigjykim apo rivendosje, procesi fillon rishtazi.
Kemi raste kur në pjesën finale të gjykimit ndodh diçka që ndërrohet kryetari i trupit gjykues dhe detyrimisht procesi kthehet në pikën zero”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, avokati shtoi se, ajo çka ka rëndësi është fakti se duhet të kemi besim në Gjykatën Speciale, pasi vendi nuk ecën para mbi krimet e pazbuluara.
“Ajo që është me rëndësi, është se procesi po zhvillohet para një gjykate të pavarur, duke u respektuar të drejtat në tërësi të palëve në procedurë dhe kjo është një shpresë për vendosjen e drejtësisë përkitazi me viktimat e të mbijetuarit dhe familjarët e tyre.
Ne duhet ta kemi besimin e plotë dhe te japim kontributin maksimal në përkrahje të kësaj gjykate.
Mbi të gjitha Kosova nuk mund të ecën para mbi krimet e pazbuluara”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Haziri: Ky proces pritet të zgjatë apo të përfundojë pas katër viteve
Nexhat Haziri
Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri nuk e di saktë se si mund të ndikojë largimi i 12 dëshmive, por që vlerëson se kjo është në kompetencë të gjykatës.
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” theksoi se nuk dihet nëse këta dëshmitarë të larguar janë nga pala mbrojtëse apo pala akuzuese.
“Vendimi për refuzim të 12 dëshmitarëve nga Gjykata Speciale, sigurisht është marrë në bazë të vlerësimit mbi kredibilitetin e këtyre dëshmitarëve dhe besueshmërisë së dëshmive dhe fakteve të cilat i kanë paraqitur apo dhënë këta dëshmitarë. Dhe, kjo është e drejtë e gjykatës e që nuk e dimë nëse mund të ndikojë negativisht apo pozitivisht në vendimin përfundimtar ndaj të akuzuarave, pasi nuk dimë nëse këta janë dëshmitarë të prokurorisë apo palës mbrojtëse”, tha ai.
Gjithashtu analisti pret një proces të gjatë gjykuese, kjo duke marrë parasysh zhvillimet dhe dinamikat e fundit në Hagë.
Ai parashikoi që ky gjykim të përfundojë pas 4 viteve.
“Ndërsa, se kur potencialisht mund të pritet përfundimi i këtij procesi në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, them se është vështirë e parashikueshme, bazuar edhe në dinamikën e zhvillimit të procesit në këtë gjykatë deri më tani, por edhe të numrit të madh të dëshmitarëve që ka pala akuzuese, por edhe ajo e mbrojtjes. Ky proces pritet të zgjatë apo të përfundojë pas katër viteve, pasi që në fillim është parashikuar që procesi do të zgjas nga 7 deri në 8 vite”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.