Lavrov e Vuçiq ‘kthejnë sytë’ nga Kosova, vjen paralajmërimi i fortë për BE-në - kërkohet të ndryshohet kjo gjë

1 month ago 13
Reklamë

Nuk është sekret se Serbia ka lidhje të ngushta me Rusinë, ku në çdo rast kur kanë mundësi përkrahin politikat e njëra-tjetrës, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën.

Ngjashëm ndodhi edhe së fundi, ku ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, përdori Kosovën për ta kritikuar qasjen e Perëndimit për luftën në Ukrainë dhe mosnjohjen e “referendumit” në Krime në vitin 2014.

Lavrovi ka thënë se Rusia nuk ka iluzione për qasjen e vendeve perëndimore ndaj zgjidhjes së krizës ukrainase, pasi siç thotë ai, duhet kujtuar se Perëndimi “duartrokiti” kur Kosova u shkëput pa referendum dhe se nuk zbatoi të njëjtën qasje për Krimenë.

“Në vitin 2014, Krimea mbajti referendum të hapur, transparent me praninë e vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë dhe Perëndimi i hodhi poshtë ato rezultate, duke thënë se ishte shkelur parimi i integritetit territorial. Megjithatë, kur më parë Kosova u shkëput pa asnjë referendum, Perëndimi duartrokiti dhe në të njëjtën kohë e orkestruan atë shkëputje, duke thënë se në këtë mënyrë shqiptarët e Kosovës e realizuan parimin e vetëvendosjes së popullit. Pra, këtu nuk kemi iluzione se si do të vazhdojë të veprojë Perëndimi”, ka thënë ai të shtunën.

Lavrovi edhe në të kaluarën ka bërë vazhdimisht krahasime mes Kosovës dhe territorit të aneksuar nga Ukraina, Krimea.

E natyrisht, menjëherë këtyre deklaratave të Lavrovit iu dha mbështetje edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ashtu është, nuk ka dilemë, nuk do të doja të flisja për të qenë në perëndim, çfarë do t’u thosha rusëve, le të përgjigjen. Dhe për sa më përket mua, Lavrov ka të drejtë, sepse kur morën Kosova prej nesh i kanë mbushur gojët me të drejta dhe fate të njerëzve në jetë, dhe në lidhje me Krimenë i referohen Kartës së OKB-së, e cila nuk na dha asgjë të re që kërkuam”, tha Vuçiq.

Siç duket, përkëdhelja që po ia bën Serbisë, BE-së po i kthehet si ‘boomerang’ nga Rusia.

A është sinjal që ndërkombëtarët duhet të ndrrojnë qasje ndaj Serbisë, ku me këtë rast të ashpërsojnë ‘gjuhën’ e tyre dhe të shtojnë presionet ndaj saj?

Shabani: Deklaratat e tilla dhe gjasat e rrezikut të sigurisë në rajon mund të shkojnë duke u rritur

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.

Image

Amir Shabani

Si fillim, ai tha se nuk ka aspak dyshim që, Rusia po e përdorë Kosovën për përfitime në betejën me Ukrainën.

Sipas tij, kjo ‘goditje’ BE-së i vjen si pasojë e neglizhencës së treguar ndaj Kosovës dhe mos angazhimit për anëtarësim të saj.

“S’ka dyshim se ky narrativ që e përdor Rusia ndaj Evropës duke përdorur Kosovën si kritikë ndaj Perëndimit, është një nga llojet e shfrytëzimit të poenëve në betejën e saj me Ukrainën.

Fakti se me këtë tenton ta godet edhe BE-në ndodh si pasojë e neglizhencës së vet BE-së në angazhimin e saj të duhur për ta anëtarësuar Kosovën, fillimisht lobimi për NATO, e më pas në BE”.

Krahas kësaj, Shabani tha se nëse BE vazhdon me këtë qasje, atëherë gjasat e rrezikut të sigurisë në rajon mund të shkojnë duke u rritur.

“Kam cekur edhe më herët se nëse BE-ja e bën të "vdekur" me apo pa qëllim politikën e zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën, deklaratat e tilla dhe gjasat e rrezikut të sigurisë në rajon mund të shkojnë duke u rritur”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Mehazi: Inatet politike shoviniste ruse të Ministrit të Jashtë Lavrovit ndaj Krimesë janë të njëllojta sikurse inatet shovistete gjenocidiale serbe të Milosheviqit në Kosovë

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” tha se mosnjohja e referendumit rus në Krime nga shtetet perëndimore është e arsyeshme.

Image

Sulejman Mehazi

Sipas tij, okupimi i Krimesë nga ana e Putinit, është i ngjashëm me okupimin e Millosheviqit e Kosovës, në të kaluarën.

 “Nëse Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, krahason problemin politikë të Krimesë me Kosovën atëherë pse zotëria i Rusisë nuk e njeh Kosovën, por me këmbëngulje mohon pavarësinë e Kosovës. Mosnjohja e referendumit rus në Krime nga shtetet perëndimore është e arsyeshme për shkak se referendumi në Krime është i dhunshëm e okupues njësoj sikurse Millosheviqi që okupoi, gllabëroi dhe dhunoi autonominë e Kosovës gjatë ish-Jugosllavisë. Pikërisht okupimi i Kosovës nga Millosheviqi çoi në këmbë SHBA-të, BE-në e NATO-n për të çliruar Kosovën nga thundrat nacionaliste-shoviniste gjenocidiale serbe”, nënvizoi profesori.

Po ashtu, ai shtoi se Krimeja mund të krahasohet me Kosovën vetëm nëse forcat e NATO-s reagojnë kundër Rusisë në Krime.

Krahas kësaj, përmendi edhe rrezikun e përhapjes së luftës ruse-ukrainase edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Inatet politike shoviniste ruse të Ministrit të Jashtë Lavrovit ndaj Krimesë janë të njëllojta sikurse inatet shovistete gjenocidiale serbe të Milosheviqit në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, prandaj shtetet perëndimore dhe amerikane kundërshtojnë "referendumin e dhunshëm rus" në Krime. Krimeja mund të krahasohet me Kosovën vetëm nëse forcat e NATO-s reagojnë kundër Rusisë në Krime, sikurse që reaguan në Kosovë kundër Serbisë së Millosheviqit, për ndryshe lufta ruse-ukrainase mund të përhapet në tre shtetet e Ballkani Perëndimor: Kosovë, Bosnjë-Hercegovine dhe Mal të Zi”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Read Entire Article