Letra e Osmanit për liderët e partive politike, Ramabaja zbërthen prapaskenat: Ja kur mund të mbahen zgjedhjet!

2 months ago 11

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në letrën,e cila u është dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes Osmani.

Në lidhje me këtë letër dhe kërkesë të Osmanit, ka folur për “Bota sot” prof.dr. Sadri Ramabaja.

Si fillim, ai tha se presidentja e ka respektuar ligjin dhe obligimin e saj.

Image

Sadri Ramabaja.

Krahas kësaj, Ramabaja tha se nëse nuk ka marrëveshje politike, zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 14 dhjetori i 2024-ës.

“Presidentja ka respektuar afatin kushtetues dhe obligimin e saj.

Në takimin në fjalë, më 31 korrik, liderët e partive parlamentare, respektivisht të dërguarit e tyre, do të duhej të shprehnin kërkesat dhe sugjerimet që kanë lidhur me datën e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve.

Konform Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, neni 4, paragrafi 2, "Zgjedhjet nuk mbahen më heret se gjashtëdhjetë (60) ditë dhe mbahen në jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit."

Kjo d.m.th se, pa një marrëveshje politike paraprake, nuk mund të mbahen më herët se 14 dhjetori i 2024-ës dhe jo më larg se 14 janari i 2025”, deklaroi profesori.

Po ashtu, ai u shpreh i lumtur që mandati i kësaj qeverie po shkon deri në fund.

Mirëpo, profesori tha se do ishte mirë që partitë të merren vesh që zgjedhjet të mos mbaehn në dimër, pasi do dëmtohej procesi zgjedhor, shkak i motit dhe rrethanave.

“Unë pres se, në takim me presidenten, partitë politike do të arrijnë ujdinë që zgjedhjet mos të futen në stinën e dimirit, kur ndeshtrashat e mundshme që imponon stina, do të mund ta dëmtonin procesin.

Sidoqoftë, me rëndësi është që ky mandat qeverisës po shkon në fund. Kështu, realisht po i hapet rruga etablimit dhe normalizimit të skenës politike, duke dëshmuar praktikisht maturimin politik të shtetit dhe shoqërisë sonë dhe duke shprehur gjakimin e ligjshëm për funksionalizimin e mirëfilltë të Republikës”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

Read Entire Article