Lufta e Sali Berishës me Aleksandër Meksin, si u godit ish-kryeministri pasi refuzoi planin për bombardimin e Jugut

1 month ago 5
Reklamë

Historianët britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, në librin “Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit’, trajton edhe marrëdhëniet mes Sali Berishës, në atë kohë President dhe Aleksandër Meksit, kryeministër. Në kizën e viteve 1997, ndërsa Sali Berisha ishte i bindur se vetëm me forma ushtarake mund të shtypte revoltën popullore, Aleksandër Meksi kërkonte forma më të zbutura.

Në librin kushtuar çështjeve shqiptare, thuhet se Berisha ishte zemëruar se tepërmi me ish-kryeministrin, duke e shkarkuar me një egërsi të gjithë qeverinë e tij dhe duke e bërë Meksin kurban. Dy historianët theksojnë se Berisha donte të përqendronte gjithë pushtetin në duart e tij. “Tërbimi i Presidentit u drejtua kundër qarqeve të tij të vjetra të brendshme. Prej disa ditësh kryeministri Meksi ishte i shqetësuar për marrjen e masave të mëtejshme ekstreme dhe se si mund t’i shmangej një përplasjeje ushtarake. Me një egërsi tipike, Berisha e shkarkoi qeverinë “Meksi” më 2 mars duke e bërë kurban kryeministrin, ndërsa e mori të gjithë pushtetin vetë. Kjo ishte një taktikë legjitime, por ndërsa qeveria orvatej të mobilizonte ushtrinë kundër rebelëve, ushtria si një instrument i zgjedhur i shtypjes shtetërore, filloi të shkërmoqej dhe të shkonte drejt kapitullimit. Në kohën e krizës, Meksi mund të kishte patur një mendim më të saktë se Berisha, mbi pamundësinë e ushtrisë për të vepruar”, theksojnë dy historianët në librin “Çështja Shqiptare dhe Reformësimi i Ballkanit”.

Në vijim, në libër theksohet se situata e ushtrisë nuk ishte aspak mirë në vitin 1997, ndërsa Berisha fajësonte drejtuesit. Në mars, atëherë kur kulmoi revolta popullore dhe njerëzit ishin të vetëdijshëm se kishin humbur paratë e tyre në skemat piramidale, Berisha shkarkoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosovën, duke e zëvendësuar me këshilltarin personal, Adem Çopanin. “Shumë ushtarë ishin duke i braktisur repartet, ndërsa oficerët ishin të përçarë në disa klane politike. Në Tiranë, Berisha u ndesh me kundërshtimin e gjeneralëve të ushtrisë së tij dhe, për pasojë, në ditët pasardhëse shkarkoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosovën duke e zëvendësuar atë me këshilltarin e tij ushtarak, Adem Çopanin. Ky ishte fryt i zemërimit të Berishës për shkak të dështimit që patën drejtuesit e ushtrisë për të vënë kontroll situatën, por në të vërtetë, ushtria prej kohësh kishte marrë tatëpjetën dhe, në pranverën e 1997, në mos kishte kapitulluar, ishte e rrënuar. Nuk shtrohej çështja nëse ekipi drejtues i ushtarakëve ishte i aftë apo jo. Njësitë ushtarake ishin spastruar sistematikisht me pretendimin e Berishës (disa herë i drejtë), se ata ishin komunistë dhe si të tillë kishin lënë pas dore rezervat dhe organizimin”, thuhet në libër.

Besnikët e Berishës

Historianët nënvizojnë se në pranverën e 1997, ushtria shqiptare ishte e paaftë dhe e paorganizuar për të drejtuar sulme. Ajo ishte e huaj edhe për Presidentin e kohës, Sali Berisha, që të vetmit besnikë që kishte ishte policia sekrete e SHIK-ut. “Kryekëshilltari amerikan i ushtrisë, koloneli Denison Lejn, ishte larguar nga posti i tij në vjeshtë të vitit 1996, pasi ishte i deklaruar i padëshirueshëm në Shqipëri. Ai i kishte raportuar Pentagonit të vërtetën e rënies dhe shpërbërjen së ushtrisë shqiptare, e cila ishte përqendruar në fusha dhe kapanone, dhe për këtë ai ishte përplasur me gjeneralët pro-Berishës. Kriza në ushtri ishte krejtësisht e panjohur për botën e jashtme, edhe pse ata që ishin mirinformuar mbi Shqipërinë si dhe shumë ministra të jashtëm evropianë dhe ekspertë të mbrojtjes mendonin se Berisha mund të fitonte luftën për të qëndruar në pushtet duke përdorur metoda ushtarake. Ideja e një kryengritjeje popullore të suksesshme në kontinentin europian në fundin e shekullit XX ishte përtej logjikës diplomatike. Në të vërtetë ushtria ishte aq e tëhuajtur nga qeveria sa dhe shumica e popullsisë, veçanërisht në jug, ndaj praktikisht Berisha mund të llogariste si besnikë të tij vetëm policinë sekrete të SHIK. Gjeneral Kosova u fajësua se nuk pranoi që ushtria të hapte zjarr mbi qytetarët, pavarësisht se forcat e armatosura mezi kishin mundur të dislokoheshin në disa vende. Në zonat e jugut mundësia e politikanëve të Tiranës për të ndikuar në ngjarjet që ndodhnin kishte rezultuar e pafrytshme”, shkruajnë dy historianët, Pettifer dhe Vickers. Erneta Shevroja

Read Entire Article