Lulzim Basha, si justifikim i pafuqisë përballë Ramës

6 months ago 10
Reklamë

Në 2013 nuk u vodh gjë, PD-ja humbi. Në cilin moment ka pasur nevojë të vjedhë Rama zgjedhjet kur ka pasur Lul Bashën përballë?

Kështu u pyet deputeti demokrat Saimir Korreshi, gjatë një interviste për Vizion Plus.

Dhe përgjigjia e tij, tregon realisht pse opozita është në këtë gjëndje qesharake.

“Nuk po të them për 2017 që ai mori në tavolinë, por për 2021. Shoku Luli ishte. Ishte Lul byreku, por kishte dhe elementë të tjerë. 37 mijë vota janë diferencë mes PD dhe PS në zgjedhjet e fundit”, tha ai.

Pra, ashtu siç e kanë bërë zakon, tashmë për çdo gjë, fajin ua ka Lulzim Basha.

Edhe pse këta janë deputetë dhe presupozohet se duhet t’iu dëgjohet zëri në parti, paskan qenë gëk mëk para Lulzim Bashës, dhe ky i fundit vendoste me kokë të vet për të djegur mandatet e deputetëve apo për të bojkotuar zgjedhjet vendore. Sepse ky vendim, iu kushtoi humbjen e zgjedhjeve të mëpasme.

Lulzim Basha paska qenë aq diktator në parti, sa bënte çfarë të donte dhe nuk i pyeste fare këta.

Por paska qenë edhe tradhtor, dhe finok, sa këta nuk e paskan kuptuar se ai po ua fuste dhe bënte pazare me Ramën në kurriz të demokratëve.

Tani kur një gjë të tillë e thotë deputeti i Lushnjes, i njohur më shumë për karagjozllëqe, dikush mund të thotë hë mo se ky deputeti i shalqinit e ka thënë, nuk ia vlen të merret seriozisht.

Por në fakt, nuk e thotë vetëm ai.

E ka thënë Sali Berisha i pari dhe tani të gjithë përsërisin si papagaj, teoritë se Lulzim Basha vendosi i vetëm për djegien e mandateve të deputetëve dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore.

E thonë më së shumti, ata që frymëzuan dhe këshilluan edhe publikisht Bashën për të ndërmarrë këto veprime, me Sali Berishën të parin, për të vijuar më pas me ata gazetarë dhe analistë që paguheshin si këshilltarë të Bashës, dhe që sot janë akuzuesit më të mëdhenj të tij dhe mbështetës të tezave të Berishës.

Hapini televizionet dhe gazetat, dhe do të gjeni deklaratat e Berishës, kur thoshte se i pari idenë për djegien e mandateve e dha ai.

Apo deklaratat e këtyre analistëve parimorë, që i bënin presion Bashës nga mëngjesi në darkë, të digjte mandatet dhe të dilte nga sistemi.

Dhe sot, janë ata që ulërasin më shumë se të gjithë, se Basha u ble nga Rama, për të kryer këto veprime.

Epo me këtë logjikë, mund të thuhet se në fakt, janë blerë ata nga Rama, për të këshilluar Lulzim Bashën që të ndërmerrte ato akte të paprecedenta politike, që i kushtuan shtrenjtë Partisë Demokratike.

Se jo për gjë, po njerëzit nuk janë budallenj dhe nuk mund t’i hidhet faji për gjithçka Lulzim Bashës dhe këta të tjerët nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Basha ishte kryetari, por këta ishin deputetë, jo hunjë gardhi, që nuk i pyeste njeri. Dhe për më tepër që hoqën dorë me vullnet të lirë nga mandatet e deputetit, madje dhe duke deklaruar me krenari se po i jepnin një goditje të fortë Edi Ramës dhe sistemit politik.

Vetëm nëse iu vuri pistoletën në kokë Basha, dhe këta nuk kishin nga ia mbanin!

Po mirë, ja nuk e kishin Bashën në zgjedhjet e 14 majit. Pse nuk fituan? Se deri tani, përveçse një libri të publikuar nga Berisha, nuk kanë sjellë asnjë provë të qenësishme, se Rama iu ka vjedhur votat në atë shkallë, sa të ndikonte në humbjen e tyre. Se humbja ishte në shifra dramatike! (TEMA)

Read Entire Article