Manastirliu me mësuesit e shkollave 9-vjeçare në Tiranë: Rishikim i rregullave të portalit, rritje pagash për mësuesit

11 months ago 16
Reklamë

28 Shtator, Tiranë- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar dëgjesën e radhës në shkollën 9-vjeçare “Murat Toptani” në Selitë me mësues të kësaj shkolle dhe të shkollës “At Zef Pëllumbi” në Tiranë, në kuadër të turit të dëgjesave publike me mësues, prindër dhe nxënës.
Duke vendosur theksin tek orientimi i nxënësve në arsimin profesional, Ministrja Ogerta Manastirliu, foli për fuqizimin e bërthamës së këshillimit në shkolla me ekspertë të fushës, për të identifikuar në kohë prirjet e fëmijëve.
“Ne duam që të ndryshojmë edhe kurrikulën e arsimit profesional për ta bërë atë më praktik për nga pikëpamja e përzgjedhjes së zanatit, ndërkohë duam që të ngremë në shkolla bërthamat e këshillimit të karrierës, ku të mos jenë thjesht me një mësues që mund të ndjekë nxënësin në shkollë, por duam që t’i realizojmë me tre figura të rëndësishme, që është mësuesi kujdestar, mësuesi i edukimit qytetar dhe psikologu ose punonjësi social”,- u shpreh Ministrja Manastirliu, teksa tha se bërthama e këshillimit të karrierës do të shtrihet edhe për klasat e 6, 7 dhe 8, përpos klasës së 9 që është aktualisht.
 
Gjatë takimit në shkollën “Murat Toptani”, mësuesit e arsimit special ngritën pretendimin për rishikimin e rregullave të portalit, teksa Ministrja Ogerta Manasitrliu tha se do të vlerësohen, me synim përmirësimin e tyre.
“Portali ‘Mësues për Shqipërinë’, një instrument që ka siguruar transparencë dhe meritokraci patjetër që është konsoliduar, por duhet ridimensionuar. Duhet ridimensionuar për ta sjellë më afër kontekstit aktual, duke e parë se si mund të organizohen më mirë testimet e portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, në nivele rajonale, se si mund të bëhen më shpejt procedurat për sa i përket gjithë atyre kategorive të mësuesve dhe që përfshihen në portal, si mund t’i jepet më shumë mbështetje mësuesve të cilët kanë eksperiencë më të madhe, mjeshtrave, dhe se si mundet të mbështeten ata që sapo futen në sistem”,- tha Ministrja Manastirliu, teksa konfirmoi mbështetjen e qeverisë për rritjen e pagave për mësuesit edhe në vitin 2024.
 
Mësuesit e shkollave 9-vjeçare kanë dhënë një sërë sugjerimesh dhe kërkesash mbi rritjen e numrit të nxënësve në shkollat më në periferi të qytetit, për forcimin rrjetit të internetit në shkolla, përmirësimin e sistemit SMIP dhe rritjen e stafeve me mësues zvëndësues në shkolla.
Ministrja Manastirliu, do të vijojë bashkëbisedimet e hapura me prindër, mësues dhe nxënës në të gjithë vendin, për të marrë sugjerime dhe për të ndarë problematika, me qëllim përmirësimin më tej të sistemit arsimor në vend.

Read Entire Article