Mandati i Olta Xhaçkës/ “GJK s’mund t’i imponojë deputetëve se si të votojnë”, Bardhi për deklaratën e Çuçit: SPAK të veprojë! Mos zbatimi i vendimeve, vepër penale

3 months ago 9

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në një deklaratë për shtyp, u shpreh se dënon deklaratën e kreut të grupit të PS Bledi Çuçi.

“Dënojmë me forcë deklaratën e Çuçit për Gjykatën Kushtetuese.

Nëse secili nga ne e lë në vlerësimin e tij nëse duhet të zbatojë një vendim gjykate, këtu ka rënë i gjithë sistemi kushtetues.

Thirrja për SPAK: Mos zbatimi i vendimeve të GJK është vepër penale e konsumuar nga përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës. Nuk mund të ketë drejtësi tjetër për opozitën e tjetër për mazhorancën”, tha ai.

Kujtojmë se Çuçi, në një deklaratë për shtyp pak më parë, foli mes të tjerash edhe në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai u shpreh se Kushtetuesja nuk mund t’i imponojë deputetët se si të votojnë, ndërsa shtoi se GJK tentoi të krijojë një normë të re.

“Çështja e raportit të Parlamentit me GJK mendoj se është raport që e përcakton qartë Kushtetuta. GJK ka autoritetin të shfuqizojë çdo ligj, vendi, akt të marrë nga Kuvendi nëse e gjykon që është në kundërshtim me Kushtetutën. Ka pasur një vendim të GJK që ka shfuqizuar 2 vendime të Kuvendit dhe Kuvendi pa dyshim nuk e diskuton vendimin por i shfuqizoi. Në rastin konkret ka një paqartësi mbi faktin nëse duhet që një deputet apo të gjithë duhet të votojnë në një formë të caktuar të detyruar nga një vendim jo nga ajo çfarë mendojnë. Ky është një debat që nuk ka gjetur zgjidhje as me vendimin e GJK. Përkundrazi GJK në gjykimin tonë ka tentuar të krijojë një normë të re ligjore, që nuk ia lejon Kushtetuta. Thjeshtë duhet të gjykojë normat ekzistuese. Deputetët kanë të drejtë të votojnë siç mendojnë. Ia njeh Kushtetuta. Madje deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij E parashikon neni 73. Kemi menduar t’i kërkojmë Komisionit të Venecias një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article