Një biznesmen amerikan dhe ekzekutuesi i tij janë akuzuar për vrasjen e një sipërmarrësi teknologjie nga Kanadaja dhe bashkëshortes së tij, të cilët u ekzekutuan nga vrasësi me pagesë në ishullin Dominica ne Karaibe.
66 vjeçari Daniel Langlois, dhe partnerja e tij Dominique Marchand, të dy nga Quebec, Kanada, u gjetën të vdekur brenda automjetit të tyre në rezortin që zotëronin në ishullin Dominica në fundjavë.
Langlois ishte krijuesi i programit të animacionit Softimage, që përdorej në televizion e kinematografi.
57 vjeçari Jonathan Lehrer është akuzuar për vrasjen e çiftit, së bashku me ekzekutuesin e vrasjes, Robert Snyder.
Lehrer dhe gruaja e tij drejtojnë kompaninë e prodhimit të çokollatës Bois Collette Inc, e cila gjendet pranë rezortit të çiftit Langlois, Coulibri Ridge.
Langlois e Marchand ishin zënë në pritë nga vrasësi që i qëlloi për vdekje dhe më pas i vuri zjarrin automjetit të tyre, sipas policisë, të cilët besojnë se sipërmarrësi u vra për një konflikt rruge me Lehrer.
Langlois e Lehrer ishin përfshirë në një konflikt për përdorimin e rrugës publike Morne Rouge, e cila kalon përmes pronës së prodhuesit të çokollatës.
Palët kishin nisur një betejë ligjore për çështjen në 2019 kur gjykata vendosi se rruga është publike dhe mund të përdoret lirisht nga vizitorët e Langlois.
Në dokumentet e gjykatës në 2019, rrjeti DailyMail.com, shkruan se Langlois akuzonte se Lehrer i pengonte përdorimin e lirë të rrugës publike prej katër vitesh.
Duke folur me rrjetin Journal de Montreal (JDM), babai i prodhuesit të çokollatës Lehrer, Robert refuzonte se djali i tij është përgjegjës.
“Jonathan është një biznesmen i suksesshëm, jo një vrasës, ai nuk është i dhunshëm”, tha babai të akuzuarit.
Policia në Dominica tha se zjarri në makinë kishte bërë të pamundur identifikimin e trupave të viktimave dhe ata po mbështeten në prova rrethanore për t’i lidhur me çiftin e zhdukur.
Banorja vendase Jacqueline Dupigny tha për DailyMail.com se çifti i ndjerë kanadez ishin shumë të dashur në ishull dhe se të gjithë do t’i marrë malli për ta.
“Ishin të huajt më të sjellshëm në ishull. Ata e mbronin tokën rreth tyre dhe stafin e trajtonin me shumë respekt”, tha gruaja.
Langlois kishte shitur kompaninë e tij te Microsoft në vitin 1994 për $200 milionë dhe më pas kishte krijuar fondacionin Daniel Langlois për Artin, Shkencat e Teknologjinë.
Vitin e kaluar ai hapi rezortin bashkë me Marchand, në një tokë rreth 100 hektarë në ishullin mes Guadeloupe e Martinique.
Langlois kishte qytetari të dyfishtë kanadeze e dominikane.
Hetimet vijojnë.
Top Channel