Forcat speciale irlandeze publikuan sot pamjet e një aksioni sekuestrimi të një çisterne që mbante rreth 150 milionë dollarë droga, në një operacion madhor në brigjet e Irlandës.
Grupi i njësisë Army Ranger Wing shiheshin të zbrisnin me litarë nga helikopteri në kuvertën e çisternës MV Matthew mëngjesin e djeshëm, pasi anija ishte bërë objekt ndjekjeje nga disa agjenci prej të dielës.
Zyrtarët besojnë se mjeti përdorej nga narko-trafikantët për të trafikuar droga në Irlandë dhe më tej në vende të tjera evropiane .
Operacioni raportohet se nisi pas kapjes së një barke të mbetur në cekësirë më herët në ngushticën e St George, që besohet se ishte e lidhur me çisternën kryesore.
Kapja e dy mjeteve është aksioni më i madh i drogave në Irlandë teksa më shumë se 2,250 kilogram e dyshuar si kokainë u gjetën në bord, sipas autoriteteve, me një vlerë më shumë se 150 milionë dollarë.
Ministrja vendase e drejtësisë Helen McEntee tha se nuk kishte dyshime se drogat kishin destinacion tregjet irlandeze e evropiane dhe se kjo ishte një goditje e rëndë për bandat e krimit të organizuar.
Tre burra me moshë 31, 50 e 60 vjeç u arrestuan si të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar pas operacionit të disa agjencive të ligjit të Irlandës.
Hetuesit besojnë se anija me pronësi në Panama, është mjeti qendror i përdorur nga bandat amerikano-jugore për transportimin e drogave në Irlandë, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.
Ata shtonin se pas afrimit në brigjet e Atlantikut anija shpërndante ngarkesën e saj në barka më të vogla që shpërndaheshin në vende të ndryshme evropiane.
Çisterna gjigante u shoqërua në portin Cork’s Cobh ku turma njerëzish ishin mbledhur për të ndjekur operacionin.
Forcat speciale irlandeze të Army Ranger Wing zbritën me litarë në anijen e dyshuar na një helikopter ushtarak, që besohet se ishte hera e parë që përdorej kjo teknikë prej tyre.
Oficerët thanë se po punojnë me Interpol e Europol për të përcaktuar lidhjet e bandave në vendet evropiane.
Dy helikopterë e dy avionë u përfshinë në operacion si dhe trupat e marinës që gjurmonin anijen prej disa ditësh.
Top Channel