Marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, Italia miraton 12 milionë euro fonde për vitin 2025

1 month ago 28

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot se komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, miratuan amendamentin për alokimin e fondeve në kuadër të ratifikimit dhe zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë për Sigurinë Sociale, e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024 dhe pritet të miratohet nga parlamenti Italian.

Për vitin 2025 u miratua një fond prej 12 milionë eurosh; 13.6 milion euro për vitin 2026; 13.1 milion euro për vitin 2027; 15.1 milion euro për vitin 2028; 17 milionë euro për vitin 2029; 19.3 milionë euro për vitin 2030; 21.3 milion euro për vitin 2031; 23.4 milion euro në vit për të gjitha vitet e mëpasshme duke filluar nga viti 2032.

Projektligji u miratua nga Parlamenti i Shqipërisë më 16 maj.
Objekti i kësaj marrëveshjeje përfshin përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, duke përfshirë sigurimet për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, si dhe sigurimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësisë.

Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.

Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article