Marrëveshja e re Gjermani-Serbi/ Flet profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare

2 months ago 9
Reklamë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë ditës së djeshme bëri një vizitë në Serbi, ku u takua e zhvilloi bisedime me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Scholz shkoi në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje lidhur me shfrytëzimin nga ana e vendeve të BE-së dhe vetë Gjermanisë të litiumit në Serbinë Perëndimore, i cili është aq i nevojshëm për prodhimin e makinave elektrike.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, Aleksandër Vuçiq e quajti të vështirë pritjen e kancelarit Scholz, duke u hequr si gardian i interesave serbe.

Image

Enver Bytyçi

“Vuçiq nuk le rast, edhe në momente si kjo vizitë, pa bërë viktimën, që “po detyrohet” të bëjë lëshime ndaj Perëndimit. Kjo ishte karakteristika themelore e kësaj vizite. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Vuçiq u rehatua! Nuk ka më frikë se në Evropë do ta godasin për ndonjë aventurë anti-demokratike të radhës kundër opozitës serbe. Ndoshta do të marrë zemër e do të trimërohet edhe për ndonjë akt kriminal e terrorist në Kosovë, në Mal të Zi apo në Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë pikëpamje Vuçiq ngjan me kryeministrin e Shqipërisë. Të dy këta sillen me servilizëm të paparë me partnerët euro-amerikanë, thjesht për të garantuar pushtetin dhe për të evituar llogaridhënien para drejtësisë për krimet e tyre dhe bashkëpunimin me bandit kriminale kundër lirisë dhe demokracisë në vendet e tyre. Marrëveshja dëshmon se kur një lider politik është i kapur fillon e kapërcen nga një degë në tjetrën, derisa të ngelet i varur në ndonjë hallkë çengeli”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Vuçiq këtë litiumin që ua dha evropianëve dhe gjermanëve ua kishte premtuar kinezëve.

“Serbët bënë protesta të fuqishme se shfrytëzimi i këtij minerali shkakton dëme mjedisore të mëdha e sëmundje te popullata. Është fjala për një lëndë me të cilën prodhohen bateri. Serbët do të shohin nëse kushtet e shfrytëzimit ndryshojnë me teknologjinë evropiane, por ama rreziku për ndotjen dhe për jetën e qytetarëve nuk besoj se është larguar. Megjithatë unë e quaj hap pozitiv faktin që presidenti i Serbisë, nuk e di në çfarë rrethanash, u detyrua të thyejë një premtim me atë që ai e quan “Mik e vëlla kinez”, presidentin Xi!”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, marrëveshja e nënshkruar është një thyerje e madhe e marrëdhënieve kino-serbe.

“Kjo thyerje nuk do të duket në sipërfaqe, sepse kinezët kurrë nuk reagojnë publikisht. Por ata shkojnë me parimin se “Po më gënjeve njëherë, kurrë nuk do të bëhesh më i besueshëm” për ta! Nëse kemi parasysh këtë efekt në marrëdhëniet e Beogradit me Pekinin, mos harrojmë se edhe rusët nuk janë aq të lumtur me sjelljet e Aleksandër Vuçiq. Por se presidenti i Serbisë mund të shkojë aq larg sat ë prishë marrëdhëniet me Moskën, kjo nuk mund të pritet. Për mua është një sjellje taktike mashtruese në stilin me të cilin mashtrojnë liderët serbë e sidomos presidenti aktual”.

Por a është kjo marrëveshje një lajm i keq për Kosovën?

“Shumëkush e ka trajtuar vizitën e zotit Scholz në Beograd dhe marrëveshjen e nënshkruar për litiumin si “goditje për Kosovën”! Po jap një shembull: Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar Shqipëria me 3 milion banorë u përpoq që t’i diktojë Republikës Popullore të Kinës me 800 milion banorë sjelljen e saj me SHBA-të dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. U xhelozuan udhëheqësit komunistë shqiptarë pse Pekini kishte gjithashtu marrëdhënie të mira edhe me Beogradin e Jugosllavisë dhe Bukureshtin e Rumanisë. E donte gjithë marrëdhënien me kinezët për veten. Nuk ka pasur idiotësi më të madhe në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit komunist shqiptar sesa kjo”, shton Bytyçi.

“Me këtë dua të them se edhe në këtë rast komentet dhe diskutimet nisen jo rrallë nga ky lloj sentimenti. Nga frika se me këtë marrëveshje mund të bëhen lëshime për Kosovën. Se mos Kosova paguan ndonjë kosto, pasiqë mund të ndryshojnë qëndrimet gjermane ndaj saj. Pra, afrimi i Gjermanisë dhe BE-së me Serbinë shihet si rrezik për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo pikëpamje është shumë e rrezikshme për ne shqiptarët. Ne nuk duhet të lejojmë që historia të na përsëritet në mënyrë tragjike. Ne nuk mund të bëhemi influencues artificialë për të diktuar politikat e të mëdhenjve. Ne thjesht kemi në dorë dhe duhet të ndërtojmë sjelljen tonë në bazë të sjelljes së Fuqive të Mëdha, duke ndërtuar strategjinë e forcimit të miqësive me aleatët dhe partnerët”, shpjegon profesor Bytyçi.

Por si duhet të veprojë Kosova përballë ofensivës serbe?

“Nëse Serbia përdor influencat personale për ndërtimin e këtyre marrëdhënieve, Kosova duhet të përdorë mirëmenaxhimin e resurseve të saj e në veçanti të standardeve të demokracisë e të lirisë, që përkthehet në respektimin e shtetit të së drejtës. Nëse Vuçiq bën Pazar me pasuritë e tij për llogari të pushtetit të tij, liderët e Kosovës duhet të ofrojë në tregun euro-atlantik ofertën e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve si dhe shtetin demokratik të së drejtës. Pazaret janë të përkohshme. Liria dhe demokracia kanë ndikim të përhershëm. E përkohshmja kurrë nuk rivalizon me të përhershmen”, shprehet Bytyçi.

“Nëse me lidhjen e kësaj marrëveshje shohim forcimin e lidhjeve gjermano-serbe. Kjo mund të sjellë dobi edhe për Kosovën. Jo automatikisht një afrim i Serbisë me Evropën dhe Gjermaninë sjell dëme për Kosovën. Nuk duhet të funksionojë kështu logjika e arsyetimit të vizitës së kancelarit Scholz në Serbi!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Read Entire Article