Marrëveshja me Italinë, Rama: Nuk shkel asnjë vlerë europiane, po ta bënte një vend tjetër nuk do ta zinit me gojë

9 months ago 50
18:58 18/01/2024

“S’duhet të jetë arsye për të ngritur konflikte të pakuptimta politike

Për kryeministrin Edi Rama mbështetja e Gjermanisë për marrëveshjen e emigrantëve mes vendit tonë dhe Italisë është shumë e rëndësishme. Mbi të gjitha për faktin sepse tregon që kjo marrëveshje nuk është në shkelje të vlerave europiane e njerëzore. Në konferencën për shtyp nga Bavaria, kreu i qeverisë shqiptare tha se emigracioni nuk mund të jetë ‘mallkimi i Italisë’ dhe se të gjitha vendet duhet të marrin pjesë në trajtimin e këtij problemi. Rama theksoi se fakti që Shqipëria po bën pikërisht këtë, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e politik.

“Së pari, më duhet të them se është shumë e rëndësishme të dëgjosh nga të dyja palët këtu në Gjemani, se ajo çfarë po bëjmë nuk është në shkelje të asnjë vlere evropiane dhe të asnjë vlere njerëzore, pasi nuk ishte e dukshme kur e nisëm këtë gjë dhe u përballëm me shumë kritika, sidomos nga miqtë e mi homologë socialistë në Evropë, ndërkohë që është shumë e thjeshtë në sytë e mi. Në qoftë se kjo marrëveshje do të ishte lidhur, po themi, midis Italisë dhe Republikës Çeke apo në qoftë se Shqipëria nuk do të ishte Shqipëria, por do të ishte, të themi Sllovakia, askush nuk do ta kishte zënë me gojë, do të kishte qenë gjëja me e natyrshme, – solidaritet evropian – dhe ka një marrëveshje nëse nuk gaboj, Emanuele e di më mirë sesa unë, brenda Bashkimit Evropian, që mbështetet tek koncepti i rishpërndarjes, apo jo, – ç’ka nënkupton se nuk mund të jetë mallkimi i Italisë që është toka e parë përtej detit Mesdhe që shihet nga Afrika dhe nuk mund te jetë mallkimi i Gjermanisë, që është Gjermania. Pra, të gjitha vendet duhet të marrin pjesë dhe fakti që ne po bëjmë pikërisht atë çfarë të shkruhet në marrëveshjen evropiane, një qendër pritjeje për të shqyrtuar çdo rast dhe për të kryer të gjitha procedurat bazuar në ligjet evropiane, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e  politik. Ka shumë konflikte politike bazuar në interesat e politikës së ditës kur vjen fjala për këtë temë e po kështu edhe për shumë tema të tjera dhe kjo është humbje kohe, kjo krijon huti mes njerëzve dhe kjo është të humbasësh horizontin për nga e ardhmja.

Për kryeministrin shqiptar, kjo nuk është çështje e së majtës apo të djathtës, por një çështje e asaj çfarë BE dhe Evropa do të jenë 10 vite prej këtej; si do të duken ky kontinent e këto vende në 2040, në 2050 e më gjatë. Dhe kjo për Ramën, është përgjegjësia e udhëheqjes dhe atyre që janë votuar për këtë.

“Ndaj po them, që për ne, besoj bëmë atë çfarë duhet të bënim sepse për ne BE nuk është një menu nga ku ti mund të zgjedhësh çfarë të pëlqen dhe lë atë çfarë nuk të pëlqen. Ndoshta do të donim që të kishim diçka tjetër për të bërë, por na duhet të përballemi së bashku. Nuk është diçka e lehtë, nuk është një temë mjaft e këndshme për t’u marrë sepse është objekt i kaq shumë diskutimeve, por duhet të japim kontributin tonë dhe nuk ka rëndësi nëse nuk jemi anëtarë të BE. Ne kemi detyrën të sillemi si anëtarë të nderuar, dinjitozë, të cilëve u besohet plotësisht, të këtij komuniteti”.

Duke theksuar se kjo është diçka e re dhe duhet parë sesi do shkojë, Rama tha se në një të ardhme mund të përfshihen edhe vende të tjera.

“Nuk ka rëndësi që ju jeni BE apo që ne jemi E pa B. Nuk ka rëndësi. Kjo është mënyra se si e shoh dhe sigurisht, kjo është një përpjekjeje. Markusi e tha shumë mirë, duhet të shohim, duhet të vëzhgojmë sesi ecën sepse kjo është diçka e re. Do të nxirren mësime, do të bëhen përshtatje dhe vendet e tjera më pas mund të përshihen, por ju po flisnit për Turqinë këtu. Pse po flisnit për Turqinë? Sepse Turqia është burimi i korridorit ballkanik, pra në qoftë se nga ajo anë do të ketë një valë tjetër, atëherë korridori ballkanik do të jetë si të thuash, korridori kryesor. Pra, pse të mos përpiqemi të shohim që tani një zgjidhje të përbashkët me korridorin ballkanik me vendet qe janë pjesë e tij me Maqedoninë e Veriut, Serbinë kryesisht, duke qenë se kalohet përmes tyre? Këto janë zgjidhje, të cilat së paku janë një përpjekje vullnetmirë dhe nuk e shoh këtë si një linjë partiake. Ne jemi qeveri socialiste, në Itali qeveria nuk është socialiste për të thënë më të paktën, por ky nuk është një problem socialist apo kristian-socialist, por ky është një problem evropian ndaj socialistët, kristianë-socialistët apo kristianë-demokratët apo të gjithë ata që kanë përgjegjësi për të përfaqësuar qytetarët e Evropës, duhet të punojnë së bashku për ta bërë këtë për qytetarët e Evropës sepse njerëzit në rrugë votojnë një të diel dhe pastaj për 4 vjet kanë të njëjtat probleme. Kështu që, nuk mund të merren me një debat të pakuptimtë dhe me politikën e ditës që humbet kohë dhe që i lë gjërat si janë e pastaj vjen një ditë, kur përballemi me një goditje, panikosemi dhe nuk dimë çfarë të bëjmë”.

Deklaratat, kryeministri Edi Rama i bëri në Kloster Banz të Bavarisë, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin bavarez, Markus Söder, Presidentin e EPP dhe liderin e grupit të EPP në Parlamentit Europian, Manfred Weber, si dhe Kryetarin e grupit parlamentar të CSU për Bavarinë, Klaus Holetschek./tvklan.al


Read Entire Article