Marrëveshja për emigrantët kalon tek Siguria

10 months ago 10
15:41 06/12/2023

Balla: Personat me precedentë do kthehen pas

Demokratët bllokuan mbledhjen fizike të Komisionit të Sigurisë duke zaptuar karrigen e kryetarit Naço dhe kolegëve socialistë. Në rendin e ditës, mbledhja parashikonte Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrave të pritjes së azilantëve në Gjadër.

Socialistët që nuk mund të zvarrisin shqyrtimin e një dokumenti kaq të rëndësishëm për maxhorancën e tyre u mblodhën online dhe dëgjuan nga Ministri Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes detajet që përmban drafti.

Një prej të cilave, Ministri Balla siguroi se është dhe kontrolli i parashikuar si për pengimin e azilkërkueseve për të dalë jashtë kampit ashtu dhe ai i filtrave që do të pengojnë hyrjen e çdo personi mes azilkërkueseve që është me precedent penal.

“Në rastin që ne na rezulton që ky person të jetë i skeduar, atëherë ky nuk hyn dot në Shqipëri, por kthehet menjëherë mbrapsht”, u shpreh Balla.

Të dy ministrat folën dhe për përfitimet që mund të ketë vendi nga kjo marrëveshje që do të financohet 100 përqind nga qeveria italiane.

“Kjo infrastrukturë që do të ngrihet do të ngelet aty, dhe kemi plane për të zhvilluar në të ardhmen disa aktivitete në funksion të Forcave të Armatosura”, tha Peleshi.

“Qeveria italiane do të duhet të kontraktojë shërbime. Është një mundësi e mirë, për sipërmarrjet e zonës së Lezhës, Shkodrës apo gjithë Shqipërisë kudo që mund t’i ofrojnë këto shërbime”, shtoi Balla.

Ministrat kanë ripërsëritur se kapacitetet i qendrës në Gjadër do të jetë vetëm për 3000 persona dhe asnjë më shumë.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article