Marrëveshja për patrullimin e Policisë serbe në Ohër, a po bëhet Maqedonia e Veriut “vasale” e Serbisë “në sy” të partive shqiptare?

1 month ago 8
Reklamë

Serbia siç duket me strategji po zgjerohet nëpër shtetet ballkanike. Ajo së fundi, po bashkëpunon “ngushtë” me Maqedoninë e Veriut.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq pas takimit me homologun e tij nga RMV, Pançe Toshkovski, ka thënë se ka marrëveshje që nga muaji gusht, policët e Serbisë të patrullojnë në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas.

Daçiq tha se fillimisht kjo do të zbatohet në Ohër, pasi ka numër të madh të turistëve nga Serbia.

“Për këtë edhe jemi marrë vesh, që praktikisht nga muaji gusht të fillojmë me praktikën që deri tani nuk e kemi pasur, kjo është që një numër i policëve tanë, nuk kemi asgjë kundër që kjo të jetë edhe këtu tek ne, të jenë të pranishëm gjatë sezonit të verës, aty ku ka turistë tanë....”

Këtë jemi marrë vesh që ta bëjmë bashkë me Maqedoninë e Veriut, kjo do të thotë se kurdo që ka nevojë, në këtë rast bëhet fjalë për sezonin e verës, Ohrin, por edhe anasjelltas, çfarëdo që duhet, ne jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, theksoi Daçiq.

Por, nga ana tjetër kemi edhe arrestime të shqiptarëve të Kosovës, që janë në lista të Serbisë, në kërkim.

Ishte Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut e cila kishte konfirmuar se më 17 korrik ishte arrestuar një shtetas i Kosovës, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

“Me datë 17.07.2024 në ora 16:00 në vendkalimin kufitar Jazhincë, me të hyrë në shtet, zyrtarët policorë e kanë ndaluar B.R. (47 vjeçar) nga Kosova pasi gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai ishte i regjistruar me "Apsi" me kërkesë të Se c rbisë dhe ai i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme”, kishte deklaruar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

“Fjala ishte për Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ky bashkëpunim mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, a mund të përbëjë rrezik për shqiptarët e Kosovës që Serbia i kërkon për t'i arrestuar nga lufta e fundit?

Shabani: Është e pakuptimtë të ngriten tensione dhe hamendje tek qytetarët

Image

Amir Shabani

Njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Amir Shabani, gjithë këtë e quan të pakuptimtë dhe tentim për të ngritur tensione dhe hamendje tek qytetarët, sepse një gjë e tillë ka ndodhur qe 10 vite radhazi.

“Theksi i vënë në atë se vetëm policia serbe po patrullon në Maqedoninë e Veriut vjen nga opozita shqiptare në vend duke e shfrytëzuar atë si politikë ditore dhe kinse po luajnë rolin e një opozite konstruktive.

E vërteta është ashtu siç ka theksuar zv. ministri Iseni se bashkëpunimi në sferën e patrullimit të policëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor ka startuar nga viti 2014 dhe një gjë e tillë ka ndodhur 10 vite radhazi. Andaj, është e pakuptimtë të ngriten tensione dhe hamendje tek qytetarët, pasi që nuk patrullojnë vetëm policët serbë, por edhe ata malazezë, shqiptarë, boshnjakë dhe kosovarë”, deklaron ai.

Kelmendi: Maqedonia e Veriut është çelësi i luftës në Ballkan

Image

Muhamet Kelmendi

Njohësi i politikës, Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se qeveria aktuale e Maqedonisë së V. është bërë vasale e shtetit serb, që sipas tij, Maqedonia po del të jetë e varur nga Serbia.

“Maqedonia e Veriut është bërë me qeverinë aktuale sllavonacional-shoveniste të VMROS një vasale e shtetit serb. Nuk është këtu fjala vetëm për policinë serbe që këto ditë ka kaluar kufirin dhe po vepron në këtë shtet, por edhe për raportet në shume fusha dhe nënshtrimi.

Kudo po del në një pozitë të varur nga Serbia. Sllavo-maqedonët janë duke shkuar nga nënshtrimi ndaj Serbisë. Po fillon ripushtimi i kësaj pjese, si pikësynim i realizimit të botës sllavo-serbe. Këtë botë po e dëshiron edhe qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se Shkupi me qeverinë e VMROS kanë shkelur marrëveshjen e Ohrit, duke shtuar se tani nuk ka rrezik vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për ata shqiptarë të cilët jetojnë në atë vend.

“Shkupi me qeverinë e VMROS në fakt ka arritur të shkel tërë Marrëveshjen e Ohrit. Tash nuk është vetëm çështja e rrezikimit të shqiptarëve nga Kosova, duke i kapur dhe arrestuar, si në Serbi, por edhe të vet pjesës së kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Mosrespektimi i partisë së parë të popullit të dytë për nga numri i popullsisë formuese të shtetit, respektivisht të BDI-së, ka rrëshqitur shteti në një pozitë nënshtruese ndaj Serbisë. Këtë e ka bërë më të qartë edhe pranomi i partisë inekzistente serbe në qeveri, duke e bërë zëvendëskryeministër një serb. Marrëveshja e Ohrit u shkel.

BDI po kërkon riorganizimin territorial të shtetit maqedonas. Në diskutim është model belg dhe irlandez.

Modeli belg është model federativ i ndërtimit territorial dhe është shumë më i afërt dhe më mirë i  zbatueshëm edhe për këtë shtet multinacional.  Shpresoj se ky model do të zgjidhet nga BDI dhe me këtë model do të dalë para faktorit relevant të organizimit të shtetit në Maqedoninë e Veriut”, shprehet ai.

Në fund, Kelmendi kritikon këtë qeveri, duke thënë se kjo parti në pushtet po lejon sllavomaqedonët të veprojnë në drejtim të krijimit të kushteve që ky shtet të bashkohet me shtetin serb, dhe nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë e gjitha shpie te lufta.

“Duhet thënë gjithashtu se koalicioni i dytë i popullit të dytë për nga madhësia nuk është tërësisht i mbështetur në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo parti në pushtet po lejon sllavomaqedonët të veprojnë në drejtim të krijimit të kushteve që ky shtet të bashkohet me shtetin serb. Kjo është e papranueshme. Në Maqedoninë e Veriut nuk duhet lejuar asnjë organ serb të veproi. Lëshim, në këtë drejtim shpie te lufta. Ky shtet është boshti i tërë paqes a luftës në Ballkan. Për këtë do te ndizet flakë i tërë Ballkani”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article