Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët/ Kushtetuesja shqyrton sot kërkesën e grupit të PD

9 months ago 24
10:11 18/01/2024

Marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për emigrantët do të shqyrtohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese me dyer të mbyllura.

Shqyrtimi në Kushtetuese i kësaj marrëveshje ka ardhur pas kërkesës së bërë nga deputetët që mbështetin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin për deklarimin të saj të papajtueshëm me Kushtetutën.

Deputetët pretenduan se marrëveshja është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës që bie ndesh me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Mungesa e konsultimeve dhe bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, ishte një tjetër argument që sipas opozitës është në kundërshtim me nenin 35 të Konventës së Gjenevës.

Në argumentet e tyre, deputetët firmëtarë sqaronin se protokolli shkel dhe cënon të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë iu njeh të huajve, kufizon në mënyrë të padrejtë lirinë, si dhe cënon parimin e barazisë.

Trupa gjykuese e Kushtetueses vlerësoi se kërkesa e bërë nga deputetët që mbështetin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe pezulloi ratifikimin nga ana e parlamentit të marrëveshjes për emigrantët që ishte parashikuar për t’u votuar nga Kuvendi.

“Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.

Kujtojmë se Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është nënshkruar në 6 Nëntor në Romë nga kryeministrat Rama e Meloni. Plani i të dy qeverive ishte që në muajin Qershor të ishte gati infrastruktura në Shëngjin e Gjadër në mënyrë që të niste mbërritja e refugjatëve./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article