Mazhoranca e opozita votojnë sot rezolutën për Kosovën

1 year ago 16
15:47 12/10/2023

Rama: KFOR të kontrollojë veriun. Berisha: Kërkon ndarjen e Kosovës

Pas negociatash shumica dhe pakica ranë dakord që këtë të enjte në parlament të vinin me një rezolutë për të dënuar ngjarjen në veriun e Kosovës dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar. Por kryeministri Edi Rama deklaron se këmbëngulja e opozitës për dokumente të tilla është pa sens sa kohë që Shqipëria ndryshe nga Kosova mund ta thotë fjalën e saj në çdo organizëm ndërkombëtar ku është anëtare.

“Bota nga vijnë këto shkulme dëshpërimi politik ekstrem i përket një planeti tjetër, planeti “non grata””, tha Rama.

I rikthyer në parlament pas disa seancash ku nuk merrte pjesë e një fjalimi për më shumë se 1 orë e 30 minuta Edi Rama pranon se kjo çështje ishte një mundësi e mirë për të dhënë përgjigje shumë akuzave në adresë të tij këndej dhe andej kufirit.

Rama ju kërkon atyre që e akuzojnë ta shohin, vendimin për të mos u linjëzuar me deklaratën e BE për dialogun Prishtinë-Beograd si një qëndrim të fortë në mbrojtje të interesit të Kosovës dhe padyshim Shqipërisë.

“Për të dhënë një mesazh të qartë për peshën e rëndë të asaj ngjarjeje”.

Ai deklaron se pozicioni ku e ka futur lidershipi aktual Kosovën, e bën të vështirë përpjekjen e Shqipërisë, por kjo thotë ai nuk do ta ndalë qeverinë e tij pa i marrë leje Prishtinës të thotë atë që mendon dhe jo domosdoshmërisht duhet të sinkronizohet me Kosovën.

“Ku hyn këtu ajo shprehje që kur vëllai i vogël gabon, vëllai i madh duhet t’i thotë… jo mo jo, kur vëllai i vogël gabon, vëllai i madh i thotë rri drejt aty”.

Me Serbinë pavarësisht akuzave deklaron se do të ndiqet e njëjta politikë si aktualisht.

“Shqipëria nuk do të barrikadohet politikisht ndaj askujt përfshirë edhe Serbinë”.

Rama është i sigurtë se ka një fushatë kundër atyre që bën luftën në Kosovë, dhe pavarësisht divergjencave në të shkuarën me Haradinaj shprehet i neveritur nga sulmi virtual që po i bëhet me anën e një video ku shfaqet duke trokitur gotat me deputetë të Listës Serbe.

“Kush nuk ka mizë nën kësulë, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen”.

Opozitës i drejton një pyetje retorike pasi vetë thotë se e di arsyen perse asnjëherë nuk ka pasur një nismë apo rezolutë pro Hashim Thaçit, procesi për të cilin thotë se ka kosto për të gjithë kombin jo vetëm emrat që janë në bankën e të akuzuarve.

“Pse nuk janë sjellë deri më sot ndonjë draft-rezolutë për t’i bërë thirrje botës demokratike të hulumtojë burimin nga rrjedh procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit”.

Rama sqaron dhe i qëndron kërkesës që të ketë shtim të trupave të KFOR-it në veriun e Kosovës.

“Kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in duhet t’u shpjegojë shqiptarëve pse rrjeta e kufirit në veri është çarë nga të katër anët?”

Ai po ashtu e sheh planin Franko-Gjerman si rrugën e vetme të arritjes së paqes ndërsa duke cituar fjalët e Bill Klintonit ju kujton se ajo që po ndodh mes Palestinës dhe Izraelit është pikërisht dobësia e një lideri për të pranuar të bëjë paqe me armikun historik.

“Dhe të finalizosh paqen kërkon edhe më shumë kurajo sesa të nisësh luftën, përfundoi ai”.

Pas fjalimit të gjatë që kishte munguar në sallën e Kuvendit Rama u largua për të fluturuar drejt Londrës ndërsa Sali Berisha siguroi se fjalimin e tij e kishte shkruar Vuçiçi.

“Ne ramë dakord për një rezolutë, kurse kreu juaj Pashiqi, vëllai i Vuqiqit, bëri gjithçka për të vazhduar përçarjen midis shqipërisë dhe Kosovës”.

Berisha thotë se i vetmi qellim i Ramës ishte të godasë Albin Kurtin.

“Të portretizonte si djall me zile kryeministrin e Kosovës”.

Qëllimi final i Ramës sipas tij është ndarja e territoreve të Kosovës me Aleksandër Vuçiçin.

Tv Klan








Read Entire Article