Mblidhet Kuvendi i PD, Berisha votëbesohet si kryetar. Mungon grupimi i Bardhit

10 months ago 19
15:25 02/12/2023

I shoqëruar nga familjarë të tij, Sali Berisha iu drejtua për votëbesim në krye të Partisë Demokratike delegatëve të Kuvendit Kombëtar, pas disfatës në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku opozita arriti të marrë vetëm 7 bashki, kundrejt 54 që fituan socialistët.

Përpara demokratëve që e mbështesin, ish-Kryeministri foli për një aksion pa kthim gjer në fitore me atë që e cilësoi narkoregjim të Edi Ramës.

“Narko regjmi i Edi Ramës do zgjojë luanin e fjetur tek shqiptarët sepse kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për ekzistencën e kombit shqiptar.”

Kundërshtarin e tij politik e akuzoi se në një dekadë qeverisje rilindi diktaturën, minoi demokracinë dhe pluralizmin në vend duke rikthyer burgosjet politike të opozitës.

“Nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Ramën që mu propozua nga kryekëshilltarët e Lulzim Bravës unë u dezinjova në non-grata dhe sot kam një dhëndër të burgosur politik.”

Ndonëse arriti t’i bëjë bashkë në parlament deputetët e grupit parlamentar të Gazment Bardhit, këta të fundit nuk iu bashkuan punimeve të Kuvendit Kombëtar. Megjithatë Berisha i falenderoi për nisjen e mosbindjes civile kundër Edi Ramës.

“I përshëndes deputetët kudo që janë, në këtë sallë dhe kudo që ndodhen, me mosbindje civile, e zhyti në ilegalitet parlamentin e krimit, parlamentin e diktaturës.”

Me të njëjtin motiv ftoi që betejës pa kthim që pritet të zhvendoset edhe në sheshe t’i bashkohen jo vetëm demokratët dhe opozitarët.

“Aksionin pa kthim në mosbindje civile, ne do fitojmë.”

I bindur në fitore, Berisha tha se opozita do e çojë vendin drejt një qeverie teknike.

“Krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira për shqiptarët”.

Fjalën e tij përpara 1203 delegatëve e mbylli me një batutë duke kujtuar një episod kur në Kuvendin e dy viteve më parë u rrëzua në podium.

“Prapë i paskan lënë edhe disa shkallë këtu, por Sali Berisha nuk rrëzohet kurrë më.”

Kuvendi Kombëtar, i cili u përshëndet edhe nga deputetë të ‘Forza Italia’ miratoi një rezolutë ku i bëhet thirrje qytetarëve të bashkohen në një front të vetëm për të ndërmarrë të gjitha sakrificat që dikton koha.

Gjithashtu u votua edhe një ndryshim në nenin 63 të statutit, ku në raste të veçanta, me propozim të Kryesisë së Partisë ose të një të katërtës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ky i fundit mund të miratojë ndryshime statutore, të cilat hyjnë menjëherë në fuqi dhe janë ekzekutive.

Tv Klan


Read Entire Article