Diarre me gjak, verdhëz, hepatit akut dhe infeksione respiratore. Këto janë vetëm disa nga sëmundjet që po përhapen në Rripin e Gazës, ku Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se sistemi shëndetësor po shkatërrohet.
Ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit hyn në muajin e tretë, mjekët dhe grupet e ndihmës po ngrenë këmbanat e alarmit mbi situatën humanitare, ku Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara se më shumë njerëz mund të kthehen në viktima nga sëmundjet sesa nga bombat dhe raketat.
Territori bregdetar, të cilin grupi militant Hamas e kontrollon ka qenë nën rrethim të plotë nga Izraeli që nga fillimi i luftës së Izraelit me Hamasin, kur grupi palestinez nisi një sulm më 7 tetor mbi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë, sipas izraelitëve.
Pjesa më e madhe e Rripit ka mbetur pa ushqim, ujë të pijshëm, energji elektrike dhe furnizime mjekësore, ndërsa qindra mijëra palestinezë të zhvendosur grumbullohen në hapësira të vogla për t’u strehuar nga bombat e Izraelit.
Përveç shtetasve të huaj dhe një numri të vogël të palestinezëve të plagosur, pothuajse askush nuk ka mundur të shpëtojë nga Gaza, ku më shumë se 2 milionë njerëz janë të bllokuar.
Më shumë se 18,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga shpërthimi i luftimeve, tha të hënën ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi.
Mjekët vendas dhe OKB-ja kanë paralajmëruar për javë të tëra për shpërthime vdekjeprurëse, me OBSH-në muajin e kaluar që tha se kriza në Gaza është një “rrezik për epidemitë. ”
Në vërejtjet për vendet anëtare të OBSH-së, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të dielën se vetëm 14 spitale nga 36 në Gaza janë funksionale, me dy spitalet kryesore në jug që punonojnë me trefishin e kapacitetit të tyre.
Vetëm dy kanë mbetur që veprojnë në veri të Wadi Gazës, tha ai, nga i cili Izraeli u kishte kërkuar rreth 1.1 milion njerëzve që të evakuoheshin në jug, ndërsa filloi operacionin e tij tokësor më 13 tetor. Vetëm 1,400 shtretër spitalorë kanë mbetur, shtoi ai, me objektet mjekësore që po mbarojnë furnizimet ndërsa veprojnë si strehimore të improvizuara për të zhvendosurit.
Shefi i OBSH-së tha se kishte sinjale shqetësuese të sëmundjeve epidemike “përfshirë diarrenë e përgjakshme dhe verdhëzën”, duke shtuar se ka pasur gjithashtu raporte për nivele të larta të sëmundjeve diarreike dhe infeksioneve të frymëmarrjes.
Sëmundje të tjera të raportuara në Gaza përfshijnë fruthin, meningjitin, linë e dhenve dhe hepatitin akut viral, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza.
Richard Peeperkorn, Përfaqësuesi i OBSH-së në Territorin e Pushtuar Palestinez, tha të martën se ka nga 160,000 deri në 165,000 raste të diarresë tek fëmijët nën moshën pesë vjeç, që është “shumë më shumë” se në kohët normale.
Sëmundjet diarreike besohet të jenë shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek fëmijët nën pesë vjeç. Nëse nuk trajtohet, diarreja mund të zgjasë disa ditë, duke e lënë trupin pa ujë dhe kripëra të nevojshme për mbijetesë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka raportuar gjithashtu më shumë se 133,000 raste të infeksionit të traktit të sipërm respirator (URTI), një infeksion viral që mund të prekë hundën, fytin dhe sinuset, më shumë se 17,000 raste të morrave, rreth 35,000 raste të skuqjeve të lëkurës dhe më shumë se 1900 raste të helmimit nga ushqimi.
Ministria nuk ka raportuar asnjë rast të kolerës, por Médecins Sans Frontières (MSF) ka paralajmëruar vazhdimisht për një shpërthim të mundshëm kolere në mes të mungesës së ujit të pastër në zonat e mbipopulluara.
“Shumë janë duke pirë ujë të kripur ose të ndotur, i cili mund t’i bëjë njerëzit të sëmuren”, tha MSF në tetor.
Kolera është përhapur gjatë luftërave në Jemen, Siri dhe Sudan vitet e fundit.
Euro-Med Human Rights Monitor paralajmëroi muajin e kaluar se trupat pranë ose në burime ujore mund të çojnë gjithashtu në kontaminim, duke rritur rrezikun e kolerës dhe sëmundjeve të tjera gastrointestinale.
Sëmundje të tjera, duke përfshirë viruset e transmetuara nga gjaku dhe tuberkulozi, mund të rezultojnë nga dekompozimi i trupave të vdekur për periudha të gjata kohore, një dukuri e zakonshme në mes të luftës në Gaza.
Pasi Izraeli vendosi një bllokadë në Gaza më 9 tetor, zonës shpejt filloi t’i mbaronte ushqimi dhe uji i pijshëm. Furnizimet e karburantit janë pakësuar, duke e lënë popullsinë me pak ose aspak energji elektrike për të furnizuar objektet mjekësore, për të ruajtur ushqimin në frigorifer apo edhe për të ruajtur trupat e vrarë në luftime.
Izraeli tani po zgjeron operacionin e tij ushtarak më thellë në Gazën jugore, duke u thënë civilëve që të evakuojnë zonat ku ishin zhvendosur pas thirrjes së ushtrisë për të evakuuar veriun.
Pothuajse e gjithë popullsia e Gazës është zhvendosur, tha OBSH të dielën.
Ka pak vende për të lëvizur dhe qindra mijëra po lëvizin në zona më të mbushura me njerëz. OKB vlerëson se të paktën 60% e banesave të Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar që nga 24 nëntori.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të rifillojë të martën seancën e saj urgjente për situatën në Gaza, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim humanitar.
Stafi i OKB-së në Gaza ndihet i braktisur pas vetos së SHBA-së, tha të hënën Philippe Lazzarini, kreu i Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Ata “nuk mund ta kuptojnë” pse nuk është rënë dakord për një armëpushim pasi mijëra janë vrarë dhe zhvendosur, tha ai në qytetin egjiptian Arish, afër kalimit Rafah me Gazën.
Ditët e fundit, 60 deri në 100 kamionë kanë përdorur vendkalimin e Rafahut për të hyrë në Gaza, grupet e ndihmave thonë se është shumë i vogël për të zbutur krizën humanitare në territor.
Autoritetet izraelite thanë të hënën se dy vendkalime Kerem Shalom dhe Nitzana, do të përdoren për të ndihmuar në kontrollimin e ndihmave humanitare, duke vënë në dukje se nuk do të lejohet asnjë ndihmë direkte në Gaza nga cilido vendkalim në Izrael.
Ndihma do të kontrollohet në të dy vendkalimet dhe më pas do t’i dërgohet organizatave ndërkombëtare të ndihmës në Rripin e Gazës nëpërmjet Rafah në Egjipt, tha Izraeli./ CNN
Top Channel