Bllokime të trafikut, inflacion dhe kufizim të furnizimit me karburant vijojnë të raportohen nga Guinea 10 ditë pas një shpërthimi të papritur në depon kryesore të karburanteve në kryeqytetin Conacry, që ka shumëfishuar krizën dhe mjerimin ekonomik në vend.
Taksisti Mamadou Barka teksa pret të furnizojë makinë me karburant, thotë se gjendja e vështirë ekonomike dhe mungesat e karburanteve po bën të vuajë për ushqim familjen e tij.
“Jetojmë nga një ditë në tjetrën, pa karburant nuk punojmë dot dhe nëse nuk punojmë nuk ushqejmë dot familjen”.
Një tjetër taksist Amadou Sidibé, thotë se megjthë mangësitë e furnizimit zyrtarët kanë vendosur rregulla të ashpra duke ndaluar shitjen e karburantit me bidona.
“Pres këtu që prej orës 7 të mëngjesit, nuk jam furnizuar me asgjë, ka shumë vuajtje. Kam qenë në disa pika furnizimi dhe nuk kam gjetur gjë, nganjëherë kam gjetur vetëm 5 litra. Duhet të eci me të me makinë derisa mbarohet. Më pas vij në pikën e furnizimit në këmbë me bidon por ata nuk pranojnë. Thonë se duan të ndalojnë tregun e zi, por ne nuk kemi me se të ushqehemi”.
Mamadou Yaya Bah, i cili drejton një triçikël të vogël transporti mallrash tha se situata është e vështirë:
“Ka shumë vuajtje këtu vëlla, sepse dalim nga shtëpia në 5 të mëngjesit për të gjetur karburant. Më pas duhet të mbajmë radhë për 30 minuta për të na dhënë vetëm 5 litra karburant. Me 5 litra nuk mund të punojmë sepse triçikli harxhon shumë dhe shpesh mbushet plot me njerëz. 5 litra nuk na ndihmojnë.”
Peshkatari Mohamed Camara, tha se kriza e pashpjeguar e karburantit ka përfshirë të gjithë sektorët:
“Pasojat e kësaj krize na kanë lënë prapa me peshkimin, me aq pak karburant sa na japin nuk kapim dot peshk dhe rrjedhimisht çmimi tij në treg rritet. Kështu vendi nuk funksionon.”
Zyrtarët thonë se kriza është shkaktuar nga shpërthimi i depos së karburanteve por nuk kanë dhënë informacione sesi ndodhi aksidenti.
Top Channel