Mesazhi i një “keqkuptimi” midis Vjosës dhe Albinit!

4 months ago 9

E përdora fjalën “keqkuptim” në thonjëza, sepse është më shumë se keqkuptim. Vjosa Osmani reagoi ndoshta pa takt në mesin e këtij muaji që lamë pas sa i përket angazhimit të qeverisë së Kosovës për ta dërguar një draft-statut të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. Ky zotim i shprehur përmes një letre të ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ishte sipas presidentes i pa konsultuar me kreun e shtetit.

Por çfarë ishte zotimi i qeverisë për dërgimin e projektit në GJK? Ishte një çështje parimore, apo një çështje teknike? Gjithkush prej nesh duhet të kuptojë se ai zotim ishte thyerje e qëndrimit të mëparshëm. Ishte parimisht i gabuar. Ishte një çështje e cila duhej patjetër ta kishte dakordimin e presidentes së Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka dilemë. Të marrësh përsipër një veprim politik si ai për dërgimin e një projekti të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese do të thotë t’i hapësh rrugë krijimit të këtij asociacioni. Hapja rrugë e krijimit të tij bie ndesh me parimin bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku është thënë shprehimisht se ato do të duhet të zbatohen në bllok, jo sipas konjukturave dhe interesave të palëve. Prandaj në thelb presidentja ka të drejtë.

Sigurisht që një situata e tillë erdhi për shkak të presionit të paprecedent të “miqve” të Kosovës, të cilët e kushtëzuan pranimin në Këshillin e Europës me dërgimin e projektit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Por hapi i qeverisë edhe në praktikë rezultoi i pakuptimtë dhe madje deri diku fyes. Sepse evropianët e mëdhenj të Francës, Gjermanisë dhe Italisë i thanë jo dërgimit të një projekti nga qeveria. I kërkuan Kosovës të fillojë të implementojë projektin e Lajçak, d.m.th të Aleksandër Vuçiq. Nëse Vjosa Osmani ishte kundër këtij projekti dhe kundër asociacionit, atëherë e drejta dhe legjitimiteti i reagimit të saj dyfishohet. 

Por le t’i ikim kësaj çështjeje për të shkuar te marrëdhënia midis presidentes dhe kryeministrit.

Është shumë normale që këto marrëdhënie të mos jenë gjithnjë të ngushta e miqësore. Në politikë krijohen aleanca sipas interesave dhe konjukturave. Mundet që për Vetëvendosjen partia e Lëvizjes Guxo të mos jetë ajo që ishte më parë. Mundet dhe që ky koalicion të mos përsëritet në zgjedhjet e ardhshme. Të gjitha këto janë dinamika normale. Por shteti ka institucione dhe institucionet duhen respektuar. Komunikimi gjithashtu duhet të jetë institucional. Edhe sikur në dy pozicionet përkatëse të jenë kundërshtarë politikë.

Kosova i ka dhënë kreut të shtetit autoritet të lartë sidomos në marrëdhëniet me jashtë. Kushtetuta kërkon pjesëmarrjen e presidentes (tit) në çdo vendim sa i përket këtyre marrëdhënieve. Mos-konsultimi në këtë fushë është injorim i institucionit, është naivitet institucional. Çdo përpjekje për ta justifikuar mungesën e komunikimit dhe vendimmarrjen e përbashkët është i kotë. Askush nuk mund ta tolerojë një sjellje të tillë. Për më tepër që sjellje si kjo dëshmojnë një lloj autoritarizmi në ushtrimin e funksioneve shtetërore, ndërkohë që Kosova sot ka namin e mirë të të qenit republika më demokratike e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Mos e cenoni këtë imazh pozitiv e të merituar!

Thjesht dhe për këtë shkak nuk ka asnjë lloj komoditeti për të anashkaluar njëri-tjetrin. Mbi të gjitha, Kosova ka më shumë nevojë se çdo shtet ballkanik për marrëdhënie harmonie midis politikanëve. Jo vetëm në mes atyre që janë në pushtet, por edhe me opozitën. Nëse qeveria nuk komunikon me presidenten e vendit, e cila është në të njëjtën godinë me qeverinë, atëherë si mund të presim të komunikojë me opozitën dhe me qytetarët?! E njëjta gjë vlen edhe për presidenten, nëse neglizhon komunikimin me qeverinë.

Megjithatë asnjë përgjegjësi nuk është e njëanshme, vetëm e njërës palë. Kurrë nuk ndodh që në një konflikt njëra palë të ketë plotësisht të drejtë dhe pala tjetër të jetë krejt e pastër. Mos-komunikimi në këtë rast nuk është i momentit, i rastësishëm. Shkak, mesa duket është ftohja e marrëdhënieve midis Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Dhe ne nuk e dimë pse. A e ka tejkaluar presidentja të drejtën e vet në adresë të Kurtit, apo ka ndodh e kundërta? Kjo ftohje marrëdhëniesh nuk besoj se vjen për shkak të çokave të rastit. Duhet të ketë diçka parimore, diçka që ne nuk e dimë. Dhe presidentja, në vend që të përpiqet të zgjidhë keqkuptimet e çështjet e pazgjidhura midis palëve, lëshoi pa takt kritikën e ashpër, madje edhe në adresë të bashkëkryetares së partisë që presidentja e ka themeluar.

Ka një problem, të cilin opinioni nuk e di e nuk e njeh. Mos-komunikimi e mos-sqarimi i çështjeve krijon pështjellim tek qytetarët. Por problemi më i madh lidhet me faktin se e pëson Kosova dhe imazhi i saj. Shkurt, institucionet duhet të respektojnë njëra-tjetrën. Ky respekt rregullohet me kushtetutë dhe me ligj. Nëse zbatohen ato, edhe keqkuptimet zgjidhen.

comment

Read Entire Article