Ministri Hasani në Mal të Zi: Shqetësim për aktorë si Rusia që kërkojnë destabilizim të Ballkanit

9 months ago 38
13:36 18/01/2024

Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi në kuadër të turit ballkanit, ministri i Jashtëm Igli Hasani shprehu shqetësimin për rolin dhe ndikimin e disa vendeve si Rusia që kërkojnë të destabilizojnë rajonin e Ballkanit.

Në fjalën e tij në konferencë për shtyp së bashku me homologun malazez, ministri Hasani shprehu gjithashtu shqetësim për trazirat që kanë ndodhur në veriun e Kosovës.

Ai theksoi se rajoni i Ballkanit duhet të jetë i fokusuar në drejtimin euroatlantik.

“Agresioni i paligjshëm rus në Ukrainë e kriza në Lindjen e Mesme kanë prodhuar mjaft pasiguri në Europë e në botë e padyshim kanë pasur një ndikim të ndjeshëm edhe në rajonin tonë. I cili sot ndodhet në një nga momentet më delikate të viteve të fundit. Shqipëria, si një vend anëtar i NATO, e sheh me shqetësim rolin e aktorëve si Rusia, që kërkojnë të rrisnin tensionet e të shkaktojnë destabilizim të rajonit.

Jemi të shqetësuar edhe nga zhvillimet e paradokoshme në Veriun e Kosovës e nga shtimi i një retorike që vë në pikëpyetje orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor nga disa forca e grupime në vende të ndryshme të rajonit.

Jemi të shqetësuar edhe nga ngadalësimi i ritmit të reformave në disa prej vendeve të rajonit. Për Shqipërinë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe një orientim i qartë euro-atlantik. Është pikërisht ky vizion i përbashkët që qëndron në themel të miqësisë mes vendeve tona. Ne besojmë që vende si Shqipëria e Mali i Zi, që udhëhiqen nga ky vizion, kanë sot detyrimin të punojnë më shumë për të çuar përpara reformat integruese dhe bashkëpunimin rajonal”.

Ministri i Jashtëm foli edhe për procesin e anëtarësimit në BE të dy vendeve, duke përgëzuar ecurinë e reformave.

“Siç mund ta dini, në fund të vitit 2023 Shqipëria kaloi me sukses provën e shqyrtimit analitik të legjislacionit shqiptarë për të vlerësuar përputhshmërinë me acqui, si dhe procesin screening. Shqipëria tashmë është gati për Konferencën e dytë Ndërqeveritare sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, vendeve anëtare, reflektuar këto dhe në konkluzionet e Këshillit Evropian, të datës 12 dhjetor. Mali i Zi është një nga vendet e rajonit që ka avancuar më shumë në proceset integruese në BE. Ne shpresojmë që qeveria malazeze do ta përshpejtojë akoma më shumë ritmin e reformave sepse avancimi i çdonjërit nga vendet tona në procesin e integrimit është një kontribut i vyer për mbarë rajonin. Unë shpresoj vërtet, që eksperiencat e mira të Malit të Zi ti shërbejnë Shqipërisë, dhe ato të Shqipërisë ti shërbejnë Malit të Zi, për një të ardhme sa më të mirë e sa më të begatë”.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article