Ministri Manja: “21 Janari” ende në ajër për shkak të magjistratëve eunukë me certifikatë vettingu

8 months ago 12
11:31 21/01/2024

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka sulmuar ashpër magjistratët e Prokurorisë së Tiranës që nuk e kanë hetuar dhe nuk kanë dhënë drejtësi për ngjarjen e 21 Janarit 2011, kur 4 vetë u vranë në bulevardin përballë Kryeministrisë.

Në fjalën e tij gjatë pritjes me familjarë të viktimave në këtë 13-vjetor të “21 Janarit”, ministri Manja u shpreh se kjo ngjarje qëndron ende në ajër për shkak të paaftësisë së disa prokurorëve, të cilët e kanë kaluar vettingun.

“Përkujtojmë sot dëshmorët e një ngjarje që nisi si një reagim popullor kundër korrupsionit që përfundoi si një ngjarje tragjike në dyert e kësaj Kryeministrie ku pushteti vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Që nga ajo ditë nuk kemi ndaluar për asnjë çast së kërkuari drejtësi për viktimat e pafajshëm. Ne si opozitë në atë kohë iu premtuam një drejtësi të re dhe të plotë për viktimat  e 21 Janarit. Kontrata e Edi Ramës dhe PS me shqiptarët në 2013 që jo thjesht reformimi por rithemelimi i një drejtësie të pavarur. E premtuam dhe e bëmë. Sigurisht dhe me ndihmën e partnerëve tanë dhe tani po e mbështesim pa rezerva. Por a janë rezultatet e kësaj drejtësie të re në nivelin e pritshmërisë së publikut? Fakti që sot pas 13 vjetësh drejtësia për 21 Janarin si krim shtetëror është ende në ajër tregon qartë se brenda sistemit të ri të drejtësi ka magjistratë me certifikatë vettingu të paaftë profesionalisht që punojnë me mentalitetin e vjetër të mbylljes së dosjeve me procedurë apo me skadim të afateve të hetimit sepse kanë frikë të përballen me hetimin e dosjeve të rëndësishme”.

Familjarët e viktimave presin drejtësi, theksoi ministri Manja, i cili u shpreh se qeveria mund të ndërhyjë edhe në ligjin e procedurës penale që krime mos të mbeten të pahetuara dhe të mbyllen me prcedurë për tejkalim afatesh, si në rastin e “21 Janarit”.

“Bashkëshortja dhe vajza e Aleksit, familjarët e Hekuranit, Ziverit dhe Faikut nuk mund të rrinë peng i disa magjistratëve eunukë brenda sistemit që duke tundur në dorë një certifikatë vettingu përpiqen t’i vënë kapak floriri me procedurë të vërtetës për 21 Janarin. Paaftësisë së tyre duhet t’i dalë përzot vetë sistemi i drejtësisë, ndërsa metodat e tyre të vjetra të punës do të hasin në murin e fortë të ligjvënësit, që po qe nevoja do të prekim dhe procedurën penale me qëllim që asnjë krim mos mbetet pa u ndëshkuar për shkak afatesh kohore. Drejtësia nuk mund të jetë çështjte dëshire magjistratësh brenda sistemit. Ne i kemi dhënë njëherë e e mirë dhe përgjithmonë duart drejtësisë së vjetër si veprim dhe si mentalitet. Në rrafshin njerëzor, e di brengën e familjes Nika për mungesën e drejtësisë për Aleksin. Vendosja e drejtësisë do t’ja u lehtësojë sadopak dhimbjen”.

Ministri Manja pret hetim të plotë për “21 Janarin” si krim shtetëror, siç u evidentua edhe në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“21 Janari kërkon nga drejtësia që të bëhet drejtësi e plotë dhe do të thotë që autorët të shkojnë para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin e merituar nga drejtësia.Këtë e kërkon Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me një konkluzion të qartë që autoritetet në Shqipëri dështuan të hetojnë 21 Janarin si krim shtetëror. Tani presim drejtësinë e munguar por jo nga magjistratë frikacakë, por nga magjistratë që e konsiderojnë të verbër përballë individëve dhe që merren me faktin penal dhe provat e nuk hezitojnë t’i bien çekicit të drejtësisë. Tani nuk ka më asnjë alibi për sistemin e ri të drejtësisë”.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article