Mirlind Daku i jep fitoren Rubin Kazan

10 months ago 20
11:30 11/12/2023

Golin e gjejnë dhe dy futbollistë të kombëtares U-21, Shpendi e Civeja

Futbollistët e Kombëtares Shqiptare dhuruan të tjera performanca pozitive me skuadrat respektive. Kuqezinjtë që aktivizohen në klubet europiane kanë marrë minutat e tyre, duke realizuar edhe gola.

Mirlind Daku ishte vendimtar me golin e tij ndaj Baltika. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare realizoi për skuadrën e Rubin Kazan në minutën e 7-të dhe në fund sfida përfundoi 0-1, me golin e Dakut që i dhuroi fitoren skuadrës së tij. Paraqitja e sulmuesit u vlerësua maksimalisht nga ekspertët, me 25-vjeçarin që u zgjodh lojtari më i mirë në fushë.

Në Itali, Berat Gjimshiti la pas dëmtimin e pësuar në takimin ndaj Torinos dhe u aktivizua nga minuta e parë ndaj Milanit. Kapiteni kuqezi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në fitoren e Atalantës ndaj Milanit 3-2 duke u vlerësuar si një prej lojtarëve më të mirë në fushë.

Në Angli, Armando Broja u aktivizua si titullar me Chelsean duke luajtur për 66 minuta në ndeshjen ndaj Everton. Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Frederic Veseli, Mario Mitaj, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi dhe Taulant Seferi. Ndërkohë kontributin e tyre si zëvendësues dhanë edhe Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Keidi Bare dhe Arbnor Muja.

Golat këtë fundjavë erdhën edhe nga lojtarët e Kombëtares U-21. Cristian Shpendi dhe Tim Civeja realizuan me skuadrat e tyre. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e dytë për Cesenan në transfertën e Recanatese, në minutën e 7-të. Ndërsa Civeja realizoi në fitoren 4-0 të skuadrës së tij Saarbrucken ndaj Freiburg II. Mesfushori kuqezi shënoi golin e katërt të sfidës në minutën e 92-të.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article