Çdo vend duhet të merret me “racizmin” brenda vetes. Dhe kështu as konkursi i Miss Universe nuk mund të shmangë polemikat për ngjyrën e lëkurës së grave që marrin pjesë.
Gjithçka nisi nga ajo që ndodhi në Zimbabve, ku konkursi për Miss-in më të bukur në shtet (që më pas do të marrë pjesë në edicionin botëror duke përfaqësuar vendin e saj) u fitua nga modelja 21-vjeçare Brooke Bruk-Jackson. Vendimi shkaktoi protesta të ashpra brenda kufijve të kombit afrikan.
Fyerjet për fituesen e Miss Zimbabve ishin të panumërta. Një valë histerie shpërtheu kundër saj dhe organizatorëve të konkursit të bukurisë.
Arsyeja sigurisht që nuk lidhet me pamjen e saj fizike, duke qenë se ajo është padiskutim një vajzë e bukur, por më me ngjyrën e lëkurës së saj, e cila është e bardhë dhe, që sipas shumë njerëzve, nuk mund të përfaqësojë Zimbabvenë, ku 98% e popullsisë janë me ngjyrë.
Amanda Mpofu dhe Nokutenda Marumbwa, të dyja me ngjyrë, dolën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë, dhe shumë argumentuan se njëra nga të dyja duhej të kishte fituar në vend të triumfueses lëkurë bardhë.
Bruk-Jackson ka lindur në Harare, kryeqyteti i Zimbabvesë. Megjithatë, reagimi në vend ishte kundër saj. Një stuhi protestash bëri që modelja të çaktivizonte komentet në postimin e saj të fitores, në Instagram. Por gjithsesi kritikat vazhduan. Ndër komentet më të ashpra mund të veçohen:
“Ajo nuk na përfaqëson, duhet të ishte me ngjyrë “, “është jashtëzakonisht tragjike dhe zhgënjyese ” dhe ” të parët e mi po kthehen përmbys në varre!!!! ”
Pas disa ditësh heshtje, Brooke Bruk-Jackson, e sulmuar egërsisht në komente, thjesht e kufizoi veten duke thënë se “ngjyra e lëkurës nuk duhet të përcaktojë një person”.
Kritikat vazhduan gjithsesi, pavarësisht se nuk mungonin ata që lavdëronin bukurinë e vajzës që, thoshin se ajo, fitoi me meritë, si një përpjekje për të zbutur, në mos për t’i shuar polemikat e lidhura me përfaqësimin e saj në Miss Universe, që do të mbahet më 18 nëntor.
Top Channel