Modi pretendonte se ishte dërguar nga vetë Zoti – çfarë do të thotë fitorja e zbehtë e tij për Indinë dhe botën

3 months ago 14
Reklamë

Aleanca e krahut të djathtë, hindu-nacionaliste e kryeministrit, Narendra Modi pritej të siguronte një supershumicë në zgjedhje – dhe bashkë me të fuqinë për të miratuar ndryshime radikale pa pasur nevojë për votat e opozitës. Për kritikët dhe kundërshtarët e Modit, India ishte duke u shndërruar shpejt në një shtet, de fakto njëpartiak.

Por, siç ka treguar fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, BREXIT në Britani të Madhe dhe shumë ngjarje të tjera në vitet e fundit, sondazhet dhe analistët shpesh mund të gabojnë “rëndë”, shkruan cnn.

Duke shkuar në këtë garë zgjedhore, Modi ka vendosur një objektiv për të fituar 400 vende në dhomën e ulët të parlamentit (Lok Sabha). Por, ndërsa rezultatet filluan të zbardhen të martën mbrëma, shpejt u bë e qartë se partia në pushtet nuk do të ketë mjaftueshëm deputetë as për të formuar një shumicë të thjeshtë.

Në vend të kësaj, për herë të parë që nga ardhja në pushtet një dekadë më parë, Modi do të mbështetet te partnerët e vjetër të koalicionit lokal për të mbetur në pushtet.

Në atë që partitë opozitare e përshëndetën si një fitore për pluralizmin, votuesit në demokracinë më të madhe në botë kundërshtuan pjesërisht vizionin popullist të 71-vjeçarit për një komb hindu, duke e zvogëluar me 63 vende – gjegjësisht partia Bharatiya Janata Party (BJP) ka 240 deputetë, shumë më pak se 272 vende që nevojiten për shumicën parlamentare.

Partitë opozitare fituan 235 vende, ndërsa partnerët e koalicionit të partisë në pushtet siguruan 52 vende.

Rezultati i zgjedhjeve është një moment “përulësie” për liderin që pretendoi se ishte dërguar nga vetë Zoti dhe udhëheqja e të cilit vlerësohet nga mbështetësit në sondazhe si e pakundërshtueshme.

“Paaftësia e BJP-së për të siguruar një shumicë të plotë ka tronditur autoritetin e Modit”, pohoi analisti politik, Pratap Bhanu Mehta. Modi “nuk është histroia… Sot ai është thjesht një tjetër politikan, të cilit populli ia dha të drejtën për ta udhëhequr”.

Fitorja e Modit të martën e bën atë liderin e parë që nga kryeministri indian, Jawaharlal Nehru që siguron një mandat të tretë pesë-vjeçar, transmeton Telegrafi.

Që nga marrja e pushtetit në vitin 2014, Modi ka arritur një nivel popullariteti që nuk është parë në dekada, falë një sërë programesh ushtarake dhe sociale, të përziera me një markë të mrekullueshme të nacionalizmit hindu në një vend ku rreth 80 për qind e popullsisë janë ndjekës të besimeve politeiste (adhurimi i më shumë se një perëndie.).

Nën udhëheqjen e Modit, vendi me 1.4 miliard banorë është bërë ekonomia më e madhe, me rritjen më të shpejtë në botë dhe një fuqi moderne globale, duke përparuar në teknologji dhe hapësirë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre sukseseve, varfëria dhe papunësia e të rinjve vazhdojnë – veçanërisht në zonat rurale – dhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është zgjeruar.

Modi ka folur për një vizion të Indisë në 1000 vitet e ardhshme dhe dëshiron ta kthejë atë në një komb të zhvilluar deri në vitin 2047.

Ai i ka bërë të qarta ambiciet për ta transformuar vendin laik kushtetues në një shtet të parë hindu dhe së fundi inauguroi një tempull madhështor në vendin e xhamisë së përdhosur.

Tani, ai mund të duhet të “ngadalësojë pak të gjitha planet ambicioze”, tha komentuesi politik me bazë në New Delhi, Arati Jarath.

“Për ta shtyrë Indinë drejt rrugës për t’u bërë një vend hindu me një zë të madh në skenën botërore, ai do të duhet të ecë me kujdes. Ai po përballet me sfida në shtëpi”, tha ai.

BJP është akuzuar prej kohësh për përdorimin e agjencive shtetërore për të mbytur kundërshtarët.

Nën sundimin e Modit, media dikur e trazuar e Indisë është zbutur dhe në prag të zgjedhjeve, liderët dhe partitë e opozitës janë përballur me një sërë sfidash ligjore dhe financiare.

Arrestimi në muajin mars i Arvind Kejriwal, lider i njohur i Partisë Aam Aadmi, kryeministër i Delhit dhe kritik i Modit, ndezi protesta në kryeqytet dhe nxiti pretendimet për një “komplot” politik nga partisë së tij – pretendime të mohuara nga BJP-a.

Lirimi i Kejriwal me kusht muajin e kaluar ka nxitur opozitën të luftojë kundër BJP-së, duke bashkuar një grup liderësh politikë dikur të ndarë shkaku dallimeve ideologjike në atë që ata e përshkruan si një “luftë bëj ose vdis për të shpëtuar kushtetutën e vendit”.

Kritikët thonë gjithashtu se dekadat e sundimit të Modit ka çuar në rritjen e polarizimit fetar, me islamofobinë që margjinalizon pjesën më të madhe të më shumë se 200 milionë myslimanëve të vendit dhe dhunën fetare në një komb me një histori të gjatë tensionesh.

Gjatë fushatës, Modi u akuzua vazhdimisht për përdorimin e mesazheve islamofobike për të “ndezur” bazën e votuesve.

Ai shkaktoi një grindje mbi gjuhën e urrejtjes kur akuzoi myslimanët – të cilët kanë qenë pjesë e Indisë për shekuj – si “të infiltruar”.

Rezultatet e së martës dukej se treguan se një numër i madh votuesish hodhën poshtë një retorikë të tillë të paturpshme.

Ndërsa rezultatet e humbjes së peshës së BJP-së u bënë të qarta të martën mbrëma, Modi doli jashtë selisë së partisë së tij. I mbuluar me petale trëndafili, i stolisur me një kurorë dhe duke folur në mes të brohoritjeve përkrahëse – Modi! Modi! Modi! – ai nuk pranoi humbjen.

“Sot është një ditë e lavdishme”, gjëmonte ai dhe shtoi se “NDA do të formojë qeverinë për herë të tretë”, duke iu referuar koalicionit të krahut të djathtë të udhëhequr nga BJP dhe Aleanca Demokratike Kombëtare. /Telegrafi/

Read Entire Article