Ky është momenti dramatik kur një çift shpëtoi një vajzë trevjeçare dhe nënën e saj nga një makinë që po fundosej mes kaosit të “Stuhisë Henk” duke i nxjerrë në një vend të sigurt.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, Liam Stych pa se makina ishte bllokuar në ujëra në Hall Green, Birmingham dhe me guxim hyri në thellësi përpara se të thyente një dritare të veturës.
Një video dramatike tregon heroin e patrembur – i ndihmuar nga partnerja e tij – që varet nga ura dhe thyen xhamin e pasmë pas së cilës ai i shpëtoi të rrezikuarit.
Policia e West Midlands e përshëndeti veprimin e Liam duke e quajtur një ‘hero lokal’ – por babai modest i dy fëmijëve këmbënguli se ai veproi vetëm ‘në bazë të instinktit’.
Ai tha: “Ne po ecnim mbi një urë dhe dëgjova një grua që bërtiste nga brenda një makine. Ajo bërtiste ‘Më ndihmo, më ndihmo…!’. Pjesa e përparme e makinës së saj po futej poshtë në ujë, kështu që unë u përkula nga ura, por u kujdesa që të mos i shtoja më peshë makinës në rast se ajo fundosej”.
Veprimi i tij vjen pasi Britania e Madhe u godit nga era dhe shiu gjatë natës, me 300 paralajmërime për përmbytje në vend në Angli dhe Uells.
Një person është konfirmuar se ka vdekur në stuhi pasi makina e tyre u shtyp nga një pemë. /Telegrafi/