“Mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën” - Analistët: Ja pse duhet koordinimi me partnerët ndërkombëtarë për hapjen e urës mbi Ibër!

1 month ago 10
Reklamë

Ura e cila bashkon Mitrovicën e veriut me atë të jugut është e ndaluar për automjete.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit vazhdon të mbetet krye-temë këto ditë në Kosovë.

Duket se ndërkombëtarët në Kosovë dhe vendorët janë ndarë në dy taborre sa i përket hapjes së urës mbi lumin Ibër.

Ndërkombëtarët janë kundër, kurse vendorët, përjashto opozitën, kanë thënë se ura do të hapet dhe se kjo është çështje e brendshme, i takon Kosovës.

Ku dërgojnë mospajtimet, a mund të kemi ndonjë tentim të “pakoordinuar” me ndërkombëtarët nga Qeveria për hapjen e urës?

Dashevci: Situata e sigurisë në pjesën matanë lumit Ibër është relaksuar shumë 10 muajt e fundit

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se urat nuk janë për ndarje, por për bashkim, madje ai thotë që në 10 muajt e fundit situata matanë Ibrit ka qenë relaksuese dhe e qetë.

Image

Arben Dashevci

“Urat janë për bashkim dhe janë simboli i lëvizjes së lirë të qytetarëve pa dallime etnike.

Në rastin e urës mbi lumin Ibër kjo urë ka shërbyer përpara si ndarje dhe ka shkaktuar probleme të ndryshme nga ata që shkaktuan edhe sulmin e Banjskës, pra, Mbrojta Civile (Rojet e Urës) dhe Brigada e Veriut.

Këto dy organizata janë të shpallura si terroriste nga organet tona shtetërore.

Këta kriminelë ose shumica dërmuese e tyre nuk ndodhen më në Republikën e Kosovës.

Situata e sigurisë në pjesën matanë lumit Ibër është relaksuar shumë 10 muajt e fundit, ka qarkullime ditore të këmbësorëve dhe nuk ka incidente etnike në asnjë rast, sepse shumica dërmuese e atyre që kanë shkaktuar probleme nuk janë më në Republikën e Kosovës”, shprehet eksperti.

Tutje, ai vlerëson se tani, aktualisht kurrë nuk ka qenë koha më e përshtatshme për hapjes e urës, por gjithmonë duke shtuar se ky vendim duhet të merret në koordinim me partnerët e vendit tonë.

“Sipas mendimit tim dhe në aspekt sigurie kurrë nuk ka qenë kohë më e përshtatshme dhe relaksuese se tash për hapjen e kësaj ure në fjalë.

Kurdo që hapet kjo urë dhe unë shpresoj sa më shpejt të hapet por sipas mendimit tim duhet të jetë në koordinim të plotë me aleatin tonë të përjetshëm SHBA-të, BE-në.

Mos-koordinimi zbeh marrëdhëniet tona si shtet me aleatët tanë, kurse koordinimi që unë shpresoj shumë që do të ketë, sjellë partneritet shumë më të fortë me aleatët.

Pra, unë besoj që do të ketë dhe duhet të ketë koordinim me aleatët për rastin e urës në fjalë, dhe nuk do të ketë tentim të pakoordinuar”, thekson Dashevci.

Elezaj: Ky do të ishte ky gabimi i radhës i qeverisë Kurti

Analisti Rexhep Elezaj thotë se edhe mund të ketë tentim pakoordinuar me ndërkombëtarët për hapjen e kësaj ure, duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit Kurti në media, duke thën se kjo urë mund të hapet edhe në fund të muajti tetor.

Image

Rexhep Elezaj

Në vazhdën e prononcimit, Elezaj vë në fokus mos-koordinimin me ndërkombëtarë dhe pastaj pasimin e masave ndëshkuese për këtë.

“Po, unë mendoj se do të ketë tentim të pakoordinuar me ndërkombëtarët, mbase do ketë edhe hapje të urës mbi Ibër nga ana e qeverisë Kurti, diku në fund të muajit tetor, sepse këtë e ka paralajmëruar vet kryeministri në disa paraqitje të tij për media, duke u thirrur në sovranitetin e Kosovës, se çështja e hapjes së urës mbi Ibër është çështje e brendshme e saj, dhe se për këtë veprim nuk kemi nevojë ta pyesim askënd.

Nëse ndodhë ky veprim, sipas mendimit tim dhe disa analistëve shqiptarë, do të ishte ky gabimi i radhës i qeverisë Kurti, kur është fjala për sigurinë në veri, ku siç dihet serbët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës akoma nuk janë integruar plotësisht në sistemin dhe rendin kushtetues të Kosovës, gjë që në vetvete paraqet rrezik potencial për eskalim të ri të situatës në veri.

Është kështu për faktin, ngase siç e dimë të gjithë, për shkak të mos koordinimit të veprimeve të qeverisë Kurti me faktorët ndërkombëtarë vitin e kaluar, ka ardhur deri tek vendosja e disa masave ndëshkuese nga ana e BE-së ndaj Kosovës, siç ka pasur edhe acarim të marrëdhënieve mes qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë, të cilët disa herë janë prononcuar duke thënë, se qeveria e Albin Kurtit nuk është koordinuar gjithherë me ne/ata, siç kanë qenë deklaratat e z. G. Oscobar dhe ndihmës sekretarit të shtetit, J. O’Brien, se “nëse A. Kurti nuk na konsideron partnerë, atëherë as ne nuk e konsiderojmë si partner tonin”, gjë që ky acarim Kosovës i ka sjellë dëme në arenën ndërkombëtare, duke mos arritur të anëtarësohet në KiE, pikërisht për shkak të mungesës së përkrahjes amerikane”, shprehet Elezaj.

Tutje, analisti thotë se Kosova nuk e ka luksin të ndërmarrë veprime në veri, duke mos u koordinuar me miqtë amerikanë.

Sipas tij, hapja e urës po mos të jetë në koordinim me ndërkombëtarët, atëherë mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën.

Prandaj, Kosova në asnjë rrethanë nuk e ka luksin dhe nuk guxon të ndërmerr veprime në veri pa u koordinuar paraprakisht me miqtë tanë amerikan, kur dihet fakti, se shtetësia dhe pavarësia e Kosovës ende nuk janë përmbyllur deri në fund, siç është anëtarësimi i saj në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare, dhe se përmbyllja e këtij procesi kërkon edhe më tutje ndihmën dhe përkrahjen amerikane, siç na kanë ndihmuar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në vitin 1999 dhe 2008.

Këtij rrëfimi historik për Kosovën, duhet shtuar faktin, se pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në fillim të vitit 2022, situata politike dhe e sigurisë në Evropë, sidomos në Ballkanin perëndimorë, ka ndryshuar për të keq, për shkak të ndikimit rus në Ballkan, si dhe për shkak të politikës shoviniste dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Bosnjës dhe Kosovës, gjë që në rastin tonë si një shtet i vogël, siguria e Kosovës nga çfarëdo sulmi ushtarak të Serbisë në Kosovë, varet nga mbrojtja amerikane e cila për shqiptarët është jetike.

Prandaj, çdo veprim në veri të Kosovës si dhe hapja eventuale e urës mbi Ibër pa koordinim me vendet e QUINT-it, në rend të parë me amerikanët, mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën”, përfundon ai për “Bota sot”.    

Read Entire Article