“Mund të mos jenë të lehta, por duhet të...” - Mësohet për çfarë kompromise të dhimbshme e ka fjalën emisari gjerman

2 weeks ago 23
Reklamë

“Ne duam që të krijojmë një diçka më të madhe në tetor në Berlin dhe në javën vijuese do të jem në gjithë rajonin, pas Prishtinës, për të përgatitur rezultate konkrete për popujt në Ballkanin Perëndimor që të ecim përpara së bashku, do të thotë rezultate konkrete për jetën e secilit qytetar në gjithë rajonin”, kështu ka deklaruar emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ai pas këtij paralajmërimi, është shprehur se duhet kompromis dhe vullnet për marrëveshje politike, të cilat siç tha ai, mund të mos jenë të lehta për Serbinë, por as për Kosovën.

“Por, për këtë na duhet kompromisi dhe nganjëherë edhe vullneti për të bërë koncesione, për t’u pajtuar mbi marrëveshje politike, që mund të mos jenë të lehta për Serbinë, apo mund të mos jenë të lehta për Kosovën”, u shpreh ai.

“Po largohem paksa i brengosur që nuk kemi arritur në atë moment ende, nëse nuk arrijmë rezultate më të mira për të ecur drejt samitit më 24 tetor, jam i brengosur se nuk do të arrijmë qëllimin tonë për të dhënë një sinjal të fuqishëm që bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët rajonal dhe procesi i Berlinit është formati që arrin të sjell rezultate konkrete për njerëzit në këtë rajon”, ka pohuar emisari para gazetarëve.

Njohja e Kosovës

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se Serbisë do t’i kërkohet jo vetëm njohja de facto, por edhe njohja de jure e Kosovës, ky quhet në BE e perëndim kompromis i dhimbshëm.

Sipas Bytyçit, ekzistojnë zëra që Beogradi do ta pranojë këtë kompromis.

Image

Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, vizitoi të enjten Kosovën dhe u takua me personalitetet më të larta të vendit. Në përfundim të kësaj vizite ai paralajmëroi se “një gjë e madhe do të vijë” në samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Berlin nga fundi i tetorit, në mos gaboj, më 24 tetor të këtij viti. Dhe në vazhdim ai tha se në këtë samit do të duhet që Serbia të bëjë lëshime, por edhe Kosova kompromise. Për të formalizuar qëndrimet e deriatëhershme, Serrazin lajmëroi gjithashtu se javën e ardhshme do të vizitojë të pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në fakt ai kot që i viziton të pesë vendet e rajonit, sepse nëse bëhet fjalë për Kosovën e Serbinë, atëherë dihet se kryeministri i Shqipërisë e kryeministri i Malit të Zi, ndoshta edhe ai i Maqedonisë së Veriut, janë në një linjë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kësisoj Sarrazin mund të vizitojë Beogradin e ta konsiderojë se ka vizituar edhe Tiranën, Podgoricën e Shkupin. Por le të kthehemi te termi kompromise. Çfarë ka parasysh Sarrazin me termin kompromis dhe a do të mundet ta realizojë atë. Se në Berlin do të paraqitet një projekt i ri, përtej marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të vitit të kaluar, kjo duket krejt e mundshme. Cili do të ishte ky projekt? Unë besoj se Serbisë do t’i kërkohet jo vetëm njohja de facto, por edhe nohja de jure e Kosovës. D.m.th synohet që Beogradi të shpallë njohjen juridike të shtetit të Kosovës. Ky quhet në BE e Perëndim kompromis i dhimbshëm i Serbisë. A do të pranojë Beogradi këtë kompromis? Disa shenja janë se po”, deklaron profesori.

Ndërsa, për Kosovën asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas Bytyçit, mund të jetë kompromis i Sarrazin.

“Megjithatë forcat anti-Kosovë në Serbi janë të shumta. Por presidenti Vuçiq dhe përfaqësuesit e BE-së e SHBA-ve kanë kuptuar tashmë se qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj janë të gatshëm ta mbrojnë Kosovën me çdo çmim. D.m.th se shqiptarët dhe liderët e tyre janë të gatshëm të luftojnë për shtetin dhe territorin e Kosovës. Unë do të thosha se kjo është arritja më e madhe e lidershipit Kurti-Osmani. Dëshmuan vendosmëri e këmbëngulje deri në atë masë, sa të thuhet se “shqiptarët nuk thyhen e për këtë arsye duhet t’u kërkojmë një kompromis, të cilin ata e pranojnë. Cili kompromis do të kërkohet. Këtë e zbuloi Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në të njëjtën ditë në Serbi. Ai tha se “do të vëzhgojë dhe nuk do të tolerojë abuzimet e qeverisë së Kosovës me minoritetin serb në Kosovë” dhe vuri theksin te krijimi i asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si kusht për të garantuar të drejtat e pakicës serbe. Sarrazin me siguri që krijimin e asosacionit e konsideron kompromis të duhur për Kosovën”, thekson Bytyçi.

Tutje, ai ka sqaruar si mund të jetë asociacioni i përshtatshëm për Kosovën, gjersa ka shtuar se në Beograd kanë filluar ta kuptojnë se Kosova është e humbur.

“Tani shtrohet pyetja: A është e mundshme që të krijohet Asosacioni në këmbim të njohjes juridike e faktike të Serbisë për shtetin e Kosovës? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do të dalë një variant tjetër i saj, a është i nevojshëm një asosacion i tillë. Nëse qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit në Kosovë arrijnë që deri më 24 tetor të kenë integruar serbët në institucionet e vendit. Nëse do të fillojë të funksionojnë gjykatat dhe prokuroria në veri të vendit. Nëse gjithçka do të shkojë edhe më tej në drejtim të integrimit pa dhunë e në paqe. Nëse serbët do të fillojnë të ndjehen mirë në bashkëjetesën me shqiptarët. Atëherë asosacioni mund të konsiderohet i panevojshëm. Por Serbia nuk do të lejë gur pa lëvizur që serbët e Kosovës të dëshmojnë se “nuk pajtohen me qeverisjen e Prishtinës”! E nëse Beogradi ia arrin këtij qëllimi, atëherë presioni për krijimin e asosacionit do të jetë shumë i madh. Sarrazin duket se ka hasur në kundërshti sa i përket kësaj kërkese në takimin me zotin Kurti, kur shprehej skeptik se mund të arrihej ndonjë kompromis. Ndërkohë në Beograd duket se po vetëdijësohen se përfundimisht Kosova është e humbur për Serbinë, madje kanë filluar ta pranojnë se “Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë”!”, nënvizon profesori.

Më së pari Serbia duhet ta pranojë njohjen e plotë, edhe juridike dhe Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, thotë profesori dhe sipas tij, pas kësaj vijnë masat e tjera dhe prej këtij momenti serbët në Kosovë do ta mësojnë përfundimisht se fati i tyre është i lidhur me shtetin e Kosovës.

“Do të shohim retorikën që do ta shfaqin politikanët gjatë muajit shtator dhe atëherë do të kemi mundësi të besojmë se do të ketë apo jo ndonjë kompromis substancial. Nëse në Beograd dhe mediet serbe nuk do të përdoret retorika anti-Kosovë si deri më sot, atëherë ka mundësi që të pranohet shteti i Kosovës. Ndryshe, nëse i fryhet miteve nacionaliste për Kosovën si deri më sot, atëherë do të thotë se nuk do të ketë kompromis. Më së pari Serbia duhet ta pranojë njohjen e plotë, edhe juridike dhe Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Pas kësaj vijnë masat e tjera. Prej këtij momenti serbët në Kosovë do ta mësojnë përfundimisht se fati i tyre është i lidhur me shtetin e Kosovës. Në këtë moment fillon kthesa e integrimit të njëmendtë të tyre në institucionet e vendit. Dhe pikërisht kur të fillojë kjo, atëherë mund të fillojë një konsultim i sinqertë me serbët në Kosovë, se çfarë ata duan si garanci shtesë për respektimin e të drejtës së tyre. Ajo që unë kuptoj edhe nga deklaratat e Macron në Beograd, bëhet fjalë për respektimin e të drejtës fetare të besimit, të drejtës së përdorimit të gjuhës, të ushtrimit të traditës e kulturës serbe. Nuk është vështirë të provohet se këto të drejta garantohen edhe me planin Ahtisaari dhe kushtetutën e sotme të Kosovës. Dhe ky argument do ta nxirrte jashtë loje kërkesën për asosacion”, përfundon Bytyçi.

Nevoja për unitet

Por, skeptik shprehet analisti Leon Duhanaj, që sipas tij esenca e problemeve dhe zgjidhjeve mbetet e njëjta.

Sipas tij, për Kosovën, nuk duhet të ketë alternativë orientimi dhe bashkëpunimi euro-atlantik, të gjitha idetë tjera, janë në kundërshtim me interesin kombëtar.

Image

Leon Duhanaj

“Në çfarëdo nisme, e cila mund të organizohet nga faktori ndërkombëtarë, esenca e problemeve dhe zgjidhjeve opsionale, për mendimin tim to të mbetet e njëjta. Ajo çfarë vite me radhë po bisedohet. Shumica e marrëveshjeve të arritura por në masë të madhe të pazbatuara, mund të ripaketohen, në mënyrë që të duken me të kapshme për palët. Në esencë, shqiptarët duhet ta dinë një fakt, se çdo gjë që e kanë fituar, e ka ë realizuar duke qenë bashkëpunues dhe të harmonizuar me miqtë ndërkombëtarë. Për Kosovën, nuk duhet të ketë alternativë orientimi dhe bashkëpunimi euro-atlantik, të gjitha idetë tjera, janë në kundërshtim me interesin kombëtar. Për ketë tashmë besoj që jemi të bindur të gjithë, sidomos pas këtyre viteve qeverisje të Kurtit, i cili e bëri pikërisht të kundërtën, duke e dëmtuar rëndë interesin e Kosovës në ketë raport”, deklaron Duhanaj.

“Pra, Kosova me Kurtin dhe qasjen e tij kundër idesë euro-atlantike, ka mbetur e izoluar ndërkombëtarisht, madje edhe nën sanksione, çfarë nuk do ta paramendonim as në ëndrrat me të këqija. Në këtë kontekst, e gjitha që mund të thuhet është se faktori ndërkombëtarë, e di se nëse synohet zgjidhje, duhet të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe garanci të forta ndërkombëtare, qoftë edhe të shoqëruara me presion, nëse duhet të kenë edhe zbatim. Për Kosovën, duhet të mbretërojë ideja e Kosovës shtet siç është edhe me Kushtetutën e saj, asgjë më shumë, asgjë me pak. Për ta mbrojtur këtë, duhet të kemi unitet jo kombëtar e jo përçarjeje. Për të arritur unitet, kërkohet vullnet i përgjithshëm, por mbi të gjitha i Kryeministrit Kurti, i cili gjerë me tani, ka vepruar në kundërshtim të plotë me ketë ide. Në këtë ko tekst, mendoj se duke parë sjelljet e Kurtit gjerë në ketë ditë, nuk mendoj që do ta bëj një hapë drejtë pajtimit, përkundrazi, do të bëj përpjekje që ta egërsojë edhe më shumë diskursin duke pasur parasysh procesin zgjedhor që po ofrohet. Pra, nuk pres ndonjë ndryshim të shpejtë në ketë raport, përpos që ndoshta do të kemi akterët të ri”, përfundon analisti.

Read Entire Article