“Ndarjet nuk kanë për t’u ndalur deri në…”, analisti flet për çarjen e mundshme brenda Vetëvendosjes/ Çfarë ‘fati’ mund të ketë partia e re?

2 weeks ago 34
Reklamë

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, mund të kenë edhe një subjekt të ri për të votuar.

Gjatë ditës së sotme, në media ka qarkulluar lajmi se subjekti i ri që pritet t’i shtohet skenës politike dhe sipas raportimeve ai do të krijohet nga çarja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Grupi i deputetëve që identifikohen si të lidhur me fenë islame si dhe figura të tjera politike, aktive në të kaluarën, pritet të themelojnë partinë e re politike.

Ky grup udhëhiqet nga deputetët Eman Rrahmani e Visar Korenica, dy deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq, subjektit të ri pritet t’i bashkohen edhe ish-kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Sumi dhe ish-kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani.

Ata tashmë kanë punuar dhe e kanë zgjedhur emrin e partisë.

Iniciativa për themelimin e subjektit të ri politik ndërlidhet edhe me dorëheqjen e asambleistit më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Rahovec, Ilir Pallqës.

Pallqa, në një letër publike të martën, njoftoi dorëheqjen e tij nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e akuzoi kryetarin e partisë, Albin Kurtin, për linçim të besimtarëve të fesë myslimane në strukturat e partisë.

“Këto lëvizje, duke linquar besimtarët dhe duke mos qëndruar prapa fjalëve të thëna dikur, i kanë dhënë një mesazh një pjese të elektoratit dhe të shoqërisë, mesazh të cilin grupi i Deçanit e ka marrë përzemërsisht. Ky grup ka përkrahjen publike edhe nga disa “përfaqësues” të VV-së në media, dhe jo vetëm”, shkroi Pallqa në letrën publike të dorëheqjes.

Dalja e parë publike e subjektit të ri politik pritet të bëhet në shtator të këtij viti.

Lëvizja Vetëvendosje edhe në vitin 2018 kishte pasur dorëheqje të deputetëve dhe anëtarëve të saj, rikujtojmë se të dorëhequrit e asaj kohe kishin formuar partinë e re, Partia Socialdemokrate.

Partia e tyre nuk ka arritur të kalojë pragun në zgjedhjet e fundit, ndërsa rreth një partie të re të shkëputur nga Vetëvendosje dhe fatit të tyre, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Skënder Zogaj.

Ai thotë se se përpjekja e partive për ta luftuar njëra- tjetrën armiqësisht, rezulton në rezultat të dhimbshëm dhe vetëmashtrues.

Sipas tij, rezultatet partiake në Kosovë janë minore.

“Skena politike e Kosovës edhe 24 vjet pas luftës ende ndodhet në pikën fillestare të konsolidimit sepse, në periudhën e pasluftës të gjitha partitë politike e kanë harruar rolin e tyre, nga lakmia për të rrëmbyer pushtetin! Dhe këtë synim e kanë zhvilluar me përpjekje të serta e me çdo kusht, duke luftuar njera tjetrën armiqësisht, gjë që, rezultati i tyre ka qenë dhe mbetet i dhimbshëm, vetëmashtrues! Po themi kështu sepse rezultatet partiake janë minore, e këtë e vërteton shtetësia e Kosovë që po ballafaqohet me probleme të shumta politike, të cilat po e mbajt peng zhvillimin e Kosovës! Pra arsyet për pakënaqësi janë evidente në të gjitha partitë politike, brenda të cilave ka divergjenca të shumta e të mëdha!”, shprehet Zogaj.

Image

Skënder Zogaj

Humbësen kryesore, Zogaj e cilëson LDK-në, gjersa thotë se PDK ka përjetuar thellë ndarjen e NISMA-s, ndërsa në VV ishte agresive ndarja e PSD-së.

“ Humbësja kryesore është LDK-ja brenda së cilës fraksionet e kanë dërmuar dhe po vazhdojnë ta trondisin. Edhe PDK-ja e ka përjetuar të thellë ndarjen e NISMA-s. Nga VV ishte agresive ndarja e PSD-së me Dardan Mulliqin. Ky është realiteti normal demokratik, sepse në një vend si Kosova arsyet për mospajtime janë shumë të arsyeshme, prandaj, në këtë garë ndarjet nuk kanë për t'u ndalur deri te një stad tjetër zhvillimor kur partitë politike të kuptojnë se reformat janë kushti ekzistencial i suksesit, e jo ndërluftimet propagandistike urrejtje ndërpartiake deri në armiqësi”, deklaron analisti.

Sipas tij, nëse ndodh ndarje brenda VV, ndodh për shkak se fitorja pompoze që ka aktualisht është vështir të zotërohet.

“ Nuk jam i informuar me tendencat e reja për ndarje brenda VV, por nëse ndodh kjo nuk më habit fare, sepse fitorja pompoze që ka aktualisht, është vështirë të zotërohet. Idetë e reja qarkullojnë dhe ato godasin sikur sunami, e bëjnë të veten. Ndonëse, nuk mendoj se janë të shëndetshme kur ndodhin për qëllime të marrjes së pushtetit! Përkundrazi, marrja e pushtetit disa parti i degjeneron! Qytetarët e Kosovës është mirë të mendojnë më thellë për fatin e tyre dhe të vendit të vet”, përfundon Zogaj.

Read Entire Article