Ndryshimi i rregullores së parlamentit, Bardhi: do të dërgohet për shqyrtim në Kushtetuese

10 months ago 25
10:58 14/12/2023

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e miratuar në seancën e sotme plenare për ndryshimin e rregullores. Gjatë fjalës së tij, Bardhi është shprehur se opozita do të vijojë aksionin e saj parlamentar në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

Gazment Bardhi: Besoj se sot e patë që kuvendi ashtu siç këto 2 muaj, është salla e rojeve private të Edi Ramës. Edi Rama ka nevojë për forca sigurie. Dua të ju informoj se sot në një atentat të vërtetë ndaj parlamentarizmit, është ndryshuar seti i rregullave që garanton bashkëjetesën mes palëve që bien ndesh me kushtetutën. Vendimi i sotëm i pezullimit pa asnjë shkak të mandatit të deputetëve të opozitës, do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk e njohim këtë, përveç dërgimit në Gjykatën Kushtetuese, nuk do i bindemi. Ne nuk i vëmë notë aksionit tonë, ne ishim në parlament në ushtrim të mandatit që na kanë deleguar qytetarët e këtij vendi.

Ne do ta vijojmë aksionin, nuk ka forca sigurie që mund të pengojnë opozitën të kërkojë respektimin e të drejtave të tyre kushtetutese. Nuk e di pse e kanë bërë 60 ditë, mund ta kishin bërë edhe 4 vjet dhe të kishin rënë rehat dhe të kishin shpallur diktaturën. Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë mandatin tonë që na kanë votëbesuar qytetarët. Sa herë që mazhoranca përshkallëzon veprime ndaj opozitës, është detyra jonë që të përshkallëzojmë veprimet tona.

Kujtojmë se një nga ligjet e miratuara në seancën e sotme është dhe ndryshimi i rregullores së parlamentit, që zgjat deri në 60 ditë përjashtimin e deputetëve që thyejnë kodin etik në parlament./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article