Në botën e Komploteve, Blushi tregon Shqipërinë!

10 months ago 21

Nga Ermal Peçi

Në fakt historia e botës është e mbushur me Komplote, të cilat kanë ndodhur që nga antikiteti e deri më sot. Etja për pushtet e fuqive të mëdha dhe natyra e tyre ekspansioniste ka në errësirën e historisë shumë komplote dhe intriga për të arritur tek qëllimi përfundimtar.

Kështu ka ndodhur në çdo etapë të historisë, e cila është e mbështjellë me mistere, të cilat fshehin të vërtetën dhe e fusin diskutimin në kalendat greke.

Mbretër, perandorë, politikanë janë zhdukur dhe kanë pësuar disftata si pasojë e komploteve që janë bërë në kurriz të tyre. Por le të kthehemi tek romani i Blushit, i cili realisht ka goditur me titullin “Komploti”, por edhe me brendësinë që ka libri në analizat sociale, politike dhe gjuha e pasur metaforike që i jep nuanca romanit.

Shqipëria është pasqyra më e mirë sesi komplotet zhvillohen, një vend i cili nuk ka pasur një kulturë fetare, por edhe institucionale është vendosur shpeshherë në sofrën e madhe të superfuqive botërore. Evropa e ka pasur shumë të vështirë të afrohej me Shqipërinë sepse ne na kanë munguar gjithmonë dy shtyllat komunikuese të Evropës feja dhe shteti. Kjo sofër është mundur që çdo herë t’i hiqte ndonjë pjesë territorit shqiptar duke ja dhënë fqinjëve tanë. Shqipëria fatkeqësisht është një nga vendet, i cili si fqinj kufitar ka po tokat e saj dhe shqiptarët i ndajnë kufijtë mes njëri-tjetrit.

  • foto galeri

Sikur mos ishte për SHBA-të kush e di si do shkonte halli i Shqipërisë së vogël në sofrën e madhe të fuqive botërore. Vetëm falë komploteve, një vend që njeh për Zot në tokë Amerikën, për 50 vite u sundua nga komunizmi dhe u ngritën buste për nder të Rusisë. Ata që e dinin se çfarë përfaqësonte ferri komunist u larguan me anije sepse nuk i bënin dot ballë komploteve të aksit Beograd-Tiranë ku Enveri hyri si triumfues. Këtu lind edhe ideja e referendumit në romanin e Blushit, se personi që e kërkon këtë referendum është Leon Troçki dhe spiunia ruse, e cila u arrestua para disa muajsh në uzinat e Gramshit dhe hedhin idenë se mes cilës duhet të zgjedhin shqiptarët midis Rusisë dhe Amerikës, por përtej kontekstit historik ky libër analizon dhe anën sociale të pasojave të demokracisë hibride, në të cilën pasiguria ekonomike, largimi i fëmijëve, braktisja e shumë zonave, pesimizmi, i cili ka zënë rrënjë në mendjet e shqiptarëve shpeshherë i shtyn të artikulojnë se në komunizëm ka qenë më mirë si pasojë e një sistemi që jo vetëm nuk po e kuptojnë apo nuk po përshtaten. Në “Komplotin” e Blushit, vetë autori ka huazuar pjesë dhe personazhe të veprave të tij të mëparshme, të cilat lidhen me “Hënën e Shqipërisë”, një libër ku koha i dha të drejtë për ngjarjet që po pasojnë në Shqipëri dhe “Kandidati”. Simon Shuter është mendja brilante, e cila vë në lëvizje gjithë ingranazhin shtetëror dhe ashtu siç e bllokon gjithë shtetin, por edhe i jep frymëmarrje. Këtë ai e bën me njerëzit më të pasur të Shqipërisë, të cilët kontrollojnë resurset kryesore si nafta. Nëpërmjet Shuterit, autori thotë të vërteta, të cilat në kafenetë e Bllokut dëgjohen rëndom, por në media nuk artikulohen. Të vërteta, të cilat zgjojnë shoqërinë për veset e elitës dhe sesi prodhohen në furrat mediatike gra, të cilat kënaqin epshet e pushtetit dhe ato marketohen si gra të forta për t’u bërë ministre, duke i lënë të jetojnë me ëndrra se ato mund të kenë pushtet në duart e tyre. Gjenden gra me burra të dobët ku në këmbim të pushtetit shuajnë epshet e shtetit të vërtetë. Shuteri është personi që brenda ditës të kthen nga hiç gjë në hero dhe ai është personi që mund të sabotojë kur ka arritur qëllimin e vet. Ajo që po prodhon sistemi jonë social-ekonomik dhe politik me largimin pafund të të rinjve, të cilët largohen dhe shërbejnë si një tren me lokomotivë për të tërhequr edhe të tjetë. Zona të braktisura, krah pune i munguar, tabelat, të cilat kërkojnë punëtorë të varura nëpër xhamat e bizneseve janë këmbanat të cilat po kumbojnë në Shqipëri, ku sipërmarrësit për të mbushur këtë boshllëk do të duhet të marrin emigrantë të ndryshëm, por kur emigranët e ardhur të krijojnë grupin social të tyre dhe ata do të duan të përfshihen në drejtimin e shtetit siç ka ndodhur në çdo vend të zhvilluar të botës. Në këtë pjesë të fatit të parashkruar që po i bëhet vendit tonë, luan rolin e tij Muhamed Durrani me origjinë afgane, i cili bëhet ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë dhe falë martesës me vajzën e ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit. Fenomene, të cilat janë të pashmangshme, të shartimit të racës kur vendi vetëm po boshatiset dhe mbi të gjitha kur dashurinë nuk e ndalon dot si një proces që ngjizet nga anët fizike dhe shpirtërore.
Autori në mendimin tim ka zgjedhur dy vende, të cilat në kontekste fetare kanë bindje të ndryshme, Shëngjinin dhe Kavajën, një vend katolik, i cili mbushet me afganë myslimanë dhe Kavaja, e cila ka një masë të madhe myslimane. Në këto dy qytete ndodh dhe grushti i shtetit e përmbysja e tij, por mbi të gjitha ai kërkon të zgjojë qytetarët për pasojat që mund të ketë një përplasje fetare fetare mes kulturave, të cilat ne nuk i njohim edhe pse Shqipëria në fakt është një vend, i cili njihet për tolerancën fetare, por nuk e shpëton dot asgjë nga radikalizmi fetar dhe përplasja e feve në një të ardhme.

Kosova është tashmë tema jo vetëm kryesore, por edhe më e rëndësishmja kur ngjarjet që po ndodhin në veriun e saj janë parashikuar nga Blushi para disa muajsh nga vetë autori. Tashmë ngrihen pikëpyetje mbi rolin e Shqipërisë që duhet të ketë përballë Kosovës si vëllai i madh, por dhe fakti i pozitës gjeografike, i cili është luajtur shpeshherë për rëndësinë gjeostrategjike vendodhja e Kosovës midis influencës së SHBA-ve dhe asaj Ruse, e cila kërkon të ketë përsëri influencën që ka pasur në Jugosllavi. Një ngjarje e rëndë, një operacion i mirëfilltë i shtetit serb mbi territorrin e Kosovës, në veriun e saj, e cila zhvendosi dhe vëmëndjen nga lufta në Ukrainë.
E fundit, por jo nga rëndësia është eutanazia. Një temë, e cila është e prekur pak në shoqërinë tonë, por që po artikulohet në vende të zhvilluara dhe që ka kundërshtar të fuqishëm fenë.
Në kulturën heleniste eutanazia kishte kup-timin e vdekjes së bukur e të lumtur, kurse në atë greko-romake eutanazia kishte kuptimin e vdekjes fisnike e të guximshme. Në Romën e vjetër nocioni i eutanazisë kishte domethënie praktike duke përcaktuar qëndrimin e njeriut kundrejt vdekjes. Në vendet e zhvilluara janë bërë disa sondazhe për të mbështetur eutanazinë, por që hasin në kundërshtimin e ashpër të fesë. Një temë që ngacmon mendjen njerëzore dhe i paraprin zhvillimeve, të cilat shpesh njerëzit kur ndodhen përballë një sëmundje të pashërueshme mendojnë si të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund jetës për mos t’iu bërë barrë askujt në jetë.

Romani i Blushit në asnjë moment nuk përcjell mesazhe politike, por është një roman që nëpërmjet personazheve të sajuar kërkon t’i thotë shoqërisë shqiptare të verteta, të cilat kërkojnë ta zgjojnë nga gjumi letargjik. Një roman me mesazhe të forta sociale mbi të gjitha se çfarë jemi duke i bërë vëndit duke e braktisur e duke mos reaguar, një roman që flet shqip mbi të ardhmen e asaj që mund të jetë Shqipëria pas 20 vitesh. Blushi ka shkruar një ronan ku në fillim të librit shkruan “Atyre që mund t’i pengojnë ngjarjet e këtij ronani të ndodhin vërtet” ai po i drejtohet shqiptarëve që janë të vetmit që mund t’i ndalojnë këto komplote, të cilat po bëhen në kurriz të tyre. Kërkon të zgjojë tek shqiptarët vetëdijen kombëtare, por dhe nervin qytetar për të pasur më shumë vendimarrje për fatin e tyre në shoqëri. Nëpërmjet romanit ai po kërkon të zgjojë dashurinë që duhet të kenë shqiptarët për vendin e tyre sepse në fund, DASHURIA është ajo që i jep fund KOMPLOTIT!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article