NË EUROPË PARA ‘2030‘

3 months ago 28
Reklamë

Nga Aladin Stafa/

Teksa pritjes për të parë Kombëtaren për të dytën herë në një kompeticion europian po i vjen fundi, adrenalina dhe kureshtja e një populli të tërë sa vjen dhe shtohet. Me sytë dhe zemrën që do të jenë të fokusuar aty për t’u dhënë shqiptarëve tanë mbështetjen e duhur.

E ndërsa vite më parë këto arritje na dukeshin një ëndërr e largët, sot mund të themi me plot krenari se ja dolëm. Për një vend të vogël si Shqipëria, e cila po zhvillohet dita-ditës, mundësi të tilla duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Dhe jo vetëm në aspektin sportiv por edhe të një performance më të gjerë kulturore, politike dhe po aq të një mendësie, për t‘i treguar ´europianëve´ se koha tanimë ka ardhur.

Ne e dimë se vitet e fundit fati na ka buzeqeshur brenda dhe jashtë fushës së blertë duke tërhequr vemendjen e të huajve për të mos anashkaluar asesi një faktor të rëndësishëm në rajonin e trazuar të Ballkanit, nga ku polemikat duket se nuk do të kenë fund.

Por nëse tabloja e përgjithshme duket pozitive, lista e lojtarëve të ftuar nga trajneri Silvinjo para një jave ndezi një diskutim të gjerë mes specialistëve të fushës dhe jo vetëm. Shumë zëra ishin kundra lënies jashtë të dy emrave që nuk u bënë pjesë e rrugëtimit; Uzuni e Cikalleshi.

Po si arriti Silvinjo të ndërmerrte një vendim të tillë ?

Është e rëndësishme të kuptojmë se menaxhimi i një kombëtareje ndryshon rrënjësisht nga ai i klubeve dhe është pikërisht performanca e lojtarëve në klubet respektive që bën të mundur ftesën në Kombëtare.

Për më tepër, duke u nisur nga fakti që grumbullimet janë jo dhe aq të shpeshta brenda një viti kalendarik, puna e trajnierit të kombëtares patjetër është më e madhe sesa e një trajneri klubesh duke krijuar kështu afeksionin e duhur me lojtarët e tij, për të ruajtur balancën por dhe për të vëzhguar me shumë kujdes progresin e tyre.

Futbolli vitet e fundit ka evoluar ndjeshëm duke anuar më shume nga pjesa taktike sesa ajo teknike, duke i dhënë kështu një rëndësi më të madhe statistikave në letër. Gati- gati të mendosh se futbolli sot është edhe një shkencë ekzakte.

Golat dhe minutat në fushë sot luajnë një faktor të rëndësishëm megjithëse një mendje e mprehtë që sheh përtej skenës nuk mjaftohet me kaq. Ashtu si në cdo fushë të jetës edhe futbolli ka politikat dhe grupet e tij të interesit ku me ndërhyrjet e drejtëpërdrejta apo të tërthorta krijon herë pas here një valë të gjatë polemikash në publik.

E nëse për Cikalleshin ky kapitull u mbyll tashmë, për Uzunin mund të themi që u hap rruga e një versioni të dyte ´Djimshiti´, ku vetëm koha do të mundet ta përcaktojë. Nëse një skuadër humbet, sigurisht përgjegjësia i shkon trajnierit, por nëse ajo fiton suksesi i dedikohet lojtarëve.

Pikërisht për këtë arsye cdo zgjedhje e bërë kalon në një lupë debatesh tekniko-taktike ku fusha e blertë mbetet e vetmja që do mund të qartësojë mjegullnajën e krijuar.

Duke parë emrat e kundërshtarëve në grup, motoja se rëndësi ka pjesmarrja do të shkonte perfekt.

Ndaj dhe futbolli është i bukur sepse gjithcka mund të ndodhë dhe kombëtarja jonë, nuk ka asgjë për të humbur. Lojtarët duhet të futen në fushë krenarë e me vetëdijen e lartë se përfaqsojnë një komb të tërë me shpresa.

Dhe ëndrra të mëdha.

Cdo minutë e kaluar në atë kompeticion, cdo qasje e cdo shqiptari e cdo flamur kuq e zi që do valëvitet rrugëve të Gjermanisë, është patjetër fillimi i një rrugëtimi të ri për ne.

Atë, në të vërtetë cka ky sport e arriti dy herë brenda një dekade ndërsa politika duket e ka pasur të vështire në këta 30 vjet.

Read Entire Article