Në Rusi, lufta dhe frika shqetësojnë kandidaten për presidente

10 months ago 27
12:30 02/12/2023

Ish-gazetarja ruse dhe nëna e tre fëmijëve zotohet të sfidojë kontrollin e Putinit në pushtet në zgjdhjet e Marsit të ardhshëm

Në pushtet që nga viti 2012, Vladimir Putin është figura e vetme e cila ka drejtuar Rusinë. Por zgjedhjet për president që priten të mbahen vitin e ardhshëm, kanë nxjerrë në pah edhe rivalë kur njëra prej tyre është grua. A do ja dalë ajo të fitojë kundër kreut të Kremlinit për të cilin njerëzit kanë votuar për 11 vjet rresht?

Yekaterina Duntsova, e konsideron veten e saj një rivale të Putin, e cila ka shpallur kandidaturën e saj për presidente vitin e ardhshëm. Thirrja e saj është që Kremlini duhet t’i japë fund konfliktit në Ukrainë, të lirojë të burgosurit politikë dhe të ndërmarrë reforma të mëdha për të këputur telat me gjemba midis Rusisë dhe Perëndimit.

“Mbështetja e kreut aktual të shtetit është vërtet e madhe. Unë mund të kaloj në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, dhe kjo mund të të jetë e mundur me kusht që të ketë shumë kandidatë realë duke përfshirë ata që ndajnë vlerat demokratike dhe axhendën paqësore, kjo do të thotë se kreu i shtetit në detyrë nuk do të gëzojë një mbështetje unanime.”

Gati 32 vjet që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 ngjalli shpresat se Rusia do të lulëzonte në një demokraci të hapur. Duntsova, 40 vjeç, shprehet se kishte frikë ndërsa fliste për Reuters në Moskë.

“Frika është e pranishme. Të paktën, unë mendoj kështu. Deri më tani, nuk ka pasur lëvizje që do të më frikësonin vërtet. Edhe thirrja ime në prokurori shkaktoi frikë. Ndoshta është më tepër e mundshme për të ardhmen. Ndoshta vendimmarrësit nuk e ndiejnë ende se synimet e mia janë të sinqerta. Çdo person i arsyeshëm që merr këtë hap do të kishte frikë, por frika nuk duhet të fitojë.”

Ajo shprehet se duhej të zgjidhte fjalët e saj me kujdes, të cilat mund të përdoren për të ndjekur penalisht ata që kritikojnë atë që Kremlini e quan një “operacion special ushtarak”. Ish-gazetarja e cila u largua nga TV kombëtar rus në të cilin punonte ka tre fëmijë. Yekaterina refuzoi të përdorte fjalën “luftë” për të përshkruar konfliktin më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore për shkak të ligjit rus.

“Për disa njerëz është më e lehtë të kërkosh për armiq brenda ose jashtë vendit sesa të pasqyrosh operacionin special ushtarak në Ukrainë. Herët a vonë çdo konflikt i armatosur përfundon dhe shpresoj që ai të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Njerëzit janë shumë të lodhur nga ajo që po ndodh. Por kjo lodhje nuk shprehet. Perspektiva e tyre është keq kudo, ka armiq brenda, le të bashkohemi. Kjo është ideja kryesore që unë do të pasyrojë.”

Ajo nuk pranoi të përshkruante se si mund të dukej një paqe e mundshme. Duntsova duhet të mbledhë 300,000 nënshkrime për t’u lejuar të qëndrojë. Mediat shtetërore ruse e injorojnë atë.

Politikanët e opozitës këto zgjedhje i cilësojnë shumë larg asaj që quhet demokraci e mirëfilltë ku njerëzit votojnë për kandidatin e preferuar. Pushtetin 11-vjeçar të kreut të Kremlinit ata e shohin si diktaturë të korruptuar të Rusisë së Putinit. Zgjedhje të tilla, thonë ata, shpesh tërheqin kandidatë të dobët për të dhënë pretendimin e konkurrencës.

Mbështetësit e Putinit e hedhin poshtë këtë analizë, duke vënë në dukje një sondazh të pavarur që tregon se ai gëzon vlerësime në mbi 80% të qytetarëve. Ata thonë se Putini ka rivendosur rendin dhe një pjesë të ndikimit që Rusia humbi gjatë kaosit të rënies sovjetike.

Kur u pyet se çfarë mendonte për Putinin, Duntsova qesh.

“Unë nuk mendoj asgjë për presidentin rus Vladimir Putin. Disi ne gjithmonë përqendrohemi në disa personalitete. Unë mendoj se për një kohë të gjatë është një sistem brenda një sistemi. Nuk është një person i vetëm. Nuk është një për mua është njëe person i vetëm që drejton. Është gjithashtu gabim kur Europa dhe Shtetet e Bashkuara na identifikojne vetëm me një person, dmth rusët janë Putin ose Rusia është Putin. Unë nuk jam mbështetëse për atë që po ndodh. Vendimi që ai të jetë në krye u mor jo vetëm nga njerëzit që jetojnë në këtë vend.”

Duntsova shprehet se ajo fakti që po kandidon është një ambicie e saj e madhe, por për këtë e di shumë mirë që Putin nuk njeh kundërshtarë në pushtetin e tij.

“Kam diskutuar këto ditë se kush saktësisht mund të bëhet kandidat presidencial i cili do të promovonte vlerat demokratike. Gjatë shkëmbimit lindi ideja që ajo të ishte një kandidate femër. Kjo sepse politikës ruse i mungon butësia, mirësia. Ndoshta , kjo thirrje për paqe duhet të burojë më natyrshëm nga një grua. Por një gjë e kam të sigurtë se as Kremlini, as oligarkët dhe as biznesmenët ata nuk më mbështesin mua.”

Kur u pyet për kritikën nacionaliste se shumë mbështetës të demokracisë liberale në Rusi ishin agjentë të inteligjencës perëndimore që synonin të shkatërronin Rusinë, ajo tha: “Unë nuk jam agjente e CIA-s”.

Për ish-gazetaren ruse i vetmi lajm i mirë është që ajo nuk ishte klasifikuar ende si “agjente e huaj” nga Ministria e Drejtësisë, sikurse shumë të tjerë që Putin i ka shpallur kohët e fundit.

Prokurorët e thirrën atë javën e kaluar për të diskutuar pikëpamjet e saj politike, duke përfshirë “luftën dhe paqen”. Duntsova qeshi kur u pyet nga Reuters në lidhje me një artikull rus në internet që e quajti atë “Yekaterina III” dhe tha se heronjtë e saj ishin udhëheqësja indiane Indira Gandhi dhe Nelson Mandela i Afrikës së Jugut.

“Unë jam gati që Rusia dhe Ukraina të negociojnë në të ardhmen. Çdo konflikt, duke përfshirë atë të armatosur, merr fund, herët a vonë. Unë do të doja që të përfundonte sa më shpejt.”

Rusia, tha ajo, duhet të lirojë të burgosurit politikë, duke përfshirë Alexandra Skochilenko, Andrei Pivovarov, Ilya Yashin, Vladimir Kara-Murza dhe madje edhe Alexei Navalny.

“Shumica e atyre që mund të kishin marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale ose janë të burgosur ose të ndjekur penalisht ose kanë zgjedhur të largohen nga vendi. Është e qartë se në këtë situatë shumë njerëz janë të zhgënjyer. Nuk shoh asnjë alternativë që po ashtu konsideron bojkotimin e zgjedhjeve. Besoj se është gjithmonë e nevojshme të votohet dhe të shfrytëzohet çdo mundësi për të shprehur pikëpamjet. Është edhe më e rëndësishme në rrethanat aktuale kur mundësitë e tilla po bëhen gjithnjë e më të pakta.”

Propozimet e Duntsovës për heqjen e “vertikalës së pushtetit”, patriotizmin bosh dhe dhënien e pushtetit parlamentit do të përbënin një reformë të Rusisë.

“Nuk kam asgjë kundër të flas për patriotizëm dhe dashuri për atdheun, për ngjarje të Luftës së Madhe Patriotike, për vepra heroike dhe për njerëzit që i kishin bërë ato. Por nuk e pranoj kur çështja është se dashuria për Atdheu është i barabartë me vetëflijimin për të. Ka shumë gjëra të tjera të mira për të bërë, jo vetëm vdekja, një vdekje e mundshme për atdheun.”

Ajo tha se palët e vijës së ashpër në Perëndim dhe në Rusi do të ishin të lumtur ta shihnin Rusinë duke u mbyllur nga bota.

“Çdo ditë, bëhet më e qartë se ligjet do të bëhen më të ashpra dhe se do të ketë gjithnjë e më pak të drejta dhe liri. Disa njerëz madje mund ta pëlqejnë sepse nuk kanë nevojë të marrin vendime. Ka një kategori njerëzish që janë shumë rehat kur të tjerët marrin vendime për ta. Por ne po flasim për njerëz që duan të mendojnë. Ata janë të dëshpëruar nga situata kur nuk mund të flasin për të vepruar lirisht.”

Vladimir Putin do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Mars të vitit të ardhshëm.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citon burime që preferojnë të mbeten anonime për shkak të ndjeshmërisë së politikës së Kremlinit. Sipas kësaj agjensie, Putin mendon se duhet ta drejtojë Rusinë pasi e presin kohë të vështirë.

Këshilltarët e presidentit rus tani po përgatiten për fushatën dhe zgjedhjet e Putinit. Analistët thonë se zgjedhjet për Putin janë formalitet pasi atje nuk ka opozitë, ka mbështetjen e të gjithave mediave, por edhe të qytetarëve.

Por teksa ish-spiuni i KGB-së pritet të përballet me sfidat më të mëdha, që kur Mikhail Gorbachev u ballafaqua me rënien e Bashkimit Sovjetik para më shumë se 3 dekadash.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar përplasje më të madha me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962 dhe sanksionet perëndimore  kanë dëmtuar ekonominë ruse. Putin ka ardhur në pushtet në vitin 1999 pas Boris Jelsin, duke u bërë presidenti që ka qendruar më gjatë në pushtet që nga koha e Stalinit.

Ndërkaq presidenti rus Vladimir Putin nuk do të bëjë paqe në Ukrainë para se të dijë rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit 2024 në SHBA, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, mes shqetësimeve se një fitore e mundshme për ish presidentin amerikan Donald Trump mund të përmirësojë mbështetjen perëndimore për Kievin.

Trump, i cili kërkon rizgjedhjen në vitin 2024 dhe është kandidati kryesor për nominimin presidencial republikan, ka qenë kritik i ashpër ndaj mbështetjes së SHBA për Kievin.

Një zyrtar i lartë informoi gazetarët pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel tha se aleanca përsëriti mbështetjen e saj për Ukrainën duke e ditur se një marrëveshje paqeje në vitin e ardhshëm nuk ka gjasa.

“Pritja ime është që Putini nuk do të bëjë një paqe apo një paqe kuptimplotë përpara se të shohë rezultatin e zgjedhjeve tona”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar rezultatet e takimit.

I pyetur nëse ata shprehnin një opinion personal apo pikëpamjen e qeverisë amerikane, zyrtari tha se ishte një premisë gjerësisht e përbashkët duke thënë qartë se si rezultati i zgjedhjeve do të ndikonte në mbështetjen për Ukrainën.

Presidenti i SHBA Joe Biden një demokrat ka dhënë ndihmë ushtarake dhe mbështetje të tjera Kievit që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Shkurt të vitit 2022, por fondet shtesë për Ukrainën po pengohen nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në fillim të këtij muaji ftoi Trumpin, i cili ka thënë se mund t’i japë fund luftës në 24 orë nëse zgjidhet, në Ukrainë për të parë vetë shkallën e konfliktit.

Klan News


Read Entire Article