“... në Serbi po ndërtohen shtëpi për serbë nga Kosova”/ Alarmon analisti: Ky do të ishte skenari më tmerrshëm i zyrtarëve aktualë serbë!

1 week ago 31
Reklamë

Mbase, Kosova do të ballafaqohet me një ‘problem të ri’.

Dy ditë më parë, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, i ka përcjellë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimet për disa informacione nga Serbia, se në rajonin e Sanxhakut në këtë vend, “janë duke u ndërtuar shtëpi dhe banesa për serbët e Kosovës, e sidomos ata nga veriu”, por theksoi se informacionet e tilla duhet të verifikohen.

“Si dikush që është marrë me çështjen e refugjatëve që nga vitet 1990 e këndej, ju kujtoj se gjithmonë ka pasur thashetheme, të cilat më vonë kanë rezultuar me eksod apo zhvendosje të popullsisë”, tha Biserko në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne i kemi thënë Qeverisë së Kosovës që duhet t’iu kushtojë vëmendje këtyre informacioneve dhe të bëjë gjithçka të mundur që popullata serbe të mbahet në veri të Kosovës”, ka thënë Biserko.

Analsiti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo vizitë shihet në kuadër të mirësjelljes dhe korrektësisë së tyre që kanë mbajtur ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

“Së pari, znj. Sonia Biserko dhe z. Nenad Çanak, janë dy figura publike në Serbi, të cilët hapur e kanë pasur qëndrim kundër regjimit të Millosheviçit dhe bëmave kriminale të tij në Bosnje dhe Kosovë, por edhe ndaj regjimeve të mëvonshme të V. Koshtunicës, B. Tadiçit dhe A. Vuçiqit, për shkak të politikave të tyre shoviniste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, gjegjësisht për shkak të mos pranimi të fajit dhe përgjegjësisë për krimet e Serbisë të bëra ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve në vitet 1991 - 99, për shkak të cilave qëndrime Biserko dhe Çanak nga regjimi dhe mediat nacional-shoviniste dhe pro-qeveritare të Beogradit, janë trajtuar si tradhtarë të kombit serb.

Prandaj, ardhjen e tyre dje në Prishtinë dhe takimin me kryeministrin Kurti, unë e shoh në kuadër të mirësjelljes dhe korrektësisë së tyre që kanë mbajtur ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, që nga paslufta e deri më sot, duke mbajtur qëndrim të drejtë ndaj viktimës, shqiptarëve, si dhe qëndrim parimor ndaj agresorit, shtetit të tyre Serbisë, gjithnjë në vazhdën e përpjekjeve të tyre, që sado pak të ndikojnë në përafrimin e serbëve dhe shqiptarëve, gjë të cilën e kanë dëshmuar me vizitat e tyre në Kosovë. Madje, z. N. Çanak para dy-tri viteve është përulur para varrezave të 450 shqiptarëve të vrarë dhe masakruar nga policia dhe ushtria kriminale e Millosheviçit, në Meje të Gjakovës”, shprehet ai.

Ai thotë se shqetësimi i tyre është i saktë, ky “do të ishte skenari më tmerrshëm i zyrtarëve aktualë serbë, mbase me prapavijë të qartë për t’i fajësuar shqiptarët dhe qeverinë e Kosovës, si armiq dhe popull anti-serb para faktorëve ndërkombëtarë”.

Tutje, elaboron skenarin e tyre për zhvendosje të serbëve të Kosovës thotë se mund të ngriten shumë pyetje dhe debate të shumta, si: “cilët janë skenarët tjerë pas zhvendosjes së tyre në Sanxhak, sidomos karshi mijëra boshnjakëve, kryesisht me prejardhje shqiptare, sa do të jetë i madh kompensimi për Serbinë për largimin e serbëve nga “vatrat e tyre shekullore” në Kosovë”.

“Pra, vizitën e tyre të djeshme në Prishtinë e shoh brenda kësaj fryme pozitive, ngase siç kanë deklaruar për media, në Prishtinë kanë ardhur që kryeministrin Kurti ta informojnë për një projekt të madh dhe ogurzi të regjimit serb, për zhvendosjen e serbëve nga veriu i Kosovës në disa vendbanime në Sanxhak, banesa të cilat regjimi i Beogradit na qenka duke i ndërtuar, me qëllim të zhvendosjes së mijëra serbëve nga veriu i Kosovës për t’i vendosur në Serbi.

Prandaj, nëse shqetësimi i tyre është i sakët, për çka kishin ardhur për vizitë te kryeministri Kurti, ky do të ishte skenari më tmerrshëm i zyrtarëve aktualë serbë, mbase me prapavijë të qartë për t’i fajësuar shqiptarët dhe qeverinë e Kosovës, si armiq dhe popull anti-serb para faktorëve ndërkombëtarë, përkatësisht si zullumqarë ndaj serbëve të Kosovës.

Mbase, duhet pranuar fatin, se në vende të ndryshme të botës ka pasur këmbim të popullsive, siç ishte këmbimi i popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë sipas Konventës së Llozanës për këmbimin e popullsisë greke dhe turke në vitin 1923, kur të paktën 1,6 milionë grekë ortodoksë u zhvendosën nga Azia e vogël në Greqi, si dhe mbi 400.000 myslimanë turq nga Greqia (Qiproja etj.) u vendosën në disa zona të Turqisë, pra jo me skenarë kriminal dhe prapavijë anti-shqiptare, siç kanë bërë gjatë historisë regjimet hegjemoniste të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, që nga mesjeta e deri më sot.

Madje, rreth këtij skenari për zhvendosjen e, diku 34.000 serbëve nga veriu i Kosovës, po qese vërtetë ekziston një skenar i tillë, mendoj se rreth tij mund të zhvillohen debate të shumta, se me çfarë prapavije po e bën këtë akt regjimi fashist i Beogradit, se cilët janë skenarët tjerë pas zhvendosjes së tyre në Sanxhak, sidomos karshi mijëra boshnjakëve, kryesisht me prejardhje shqiptare, sa do të jetë i madh kompensimi për Serbinë për largimin e serbëve nga “vatrat e tyre shekullore” në Kosovë, a mund ta bën këtë zhvendosje regjimi i Serbisë pa marrëveshje me fuqitë e mëdha në Evropë, Francën, Gjermaninë dhe Anglinë, SHBA-të, si do pranohej kjo zhvendosje e serbëve në Evropë, dhe, a mund ta destabilizon Ballkanin perëndimor dhe Evropën një veprim i tillë, si një hapje e kutisë së Pandorës, të cilës nuk do i dihej fundi, por as fati i shumë pakicave etnike në Evropë, të cilat jetojnë në zonat kufitare, kudo në shtetet ballkanike dhe në Evropë..!?”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article