News24 ishte sot në fshatin Qerekë të Fushë Krujës aty ku mbrëmjen e kaluar u zbulua një laborator kokaine. Gazetari Igli Çelmeta dhe ekipi i xhirimit të News24 ndodheshin vetëm disa metra lart nga shtëpia që ishte kthyer në laborator ku përpunohej droga e ardhur nga Amerika Latine. Çelmeta në një lidhje live zbuloi se punishtja e drogës ishte ngritur në një ambient të rrethuar nga banesat e fshatit dhe pa fushëpamje me aksin kryesor rrugor.
“Dy shtetas nga Venezuela dhe një nga Kolumbia ishin 3 kimistët që kishin si detyrë prodhimin e lëndës narkotike”, tha Çelmeta.
Sipas tij, dy shtetasit nga Venezuela dhe një nga Kolumbia ishin përgjegjës për operimin e laboratorit, i cili ishte ngritur në një shtëpi të fshehur në fshatin Qerekë. Ky laborator, sipas hetimeve, kishte si detyrë prodhimin e kokainës, duke përdorur një metodë të sofistikuar për fshehjen e lëndës narkotike, e cila kalonte nga Amerika Latine dhe transportohej deri në Shqipëri duke përdorur lëkurën e kafshëve.
“Droga fshihej në lëkurën e gjedhëve dhe më pas përpunohej nga kimistët e huaj, që e bënin këtë proces në laboratorin e fshehur. Pas përpunimit, kokaina tregtohej në Shqipëri dhe Spanjë kryesisht”.
Përmes një operacioni të koordinuar nga SPAK, autoritetet arritën të sekuestronin rreth 89 kilogramë përzierje të ngurtë dhe 50 kilogramë solucion të lëngshëm për krijimin e kokainës. Po ashtu, janë konfiskuar gjithashtu pajisje të specializuara për ngritjen dhe funksionimin e laboratorëve të drogës, si dhe substanca kimike të përdorura në procesin e përpunimit.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte sekuestrimi i rreth 48 tonëve lëkurë gjedhësh, që shërbenin si mbulesë për kokainën e kontrabanduar.
Ky laborator kishte nisur aktivitetin në vitin 2023, ndërkohë që procedimi penal është hapur nga autoritetet që prej atij momenti.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb