Nga Beogradi në Beersheba: Serbia i dërgon armë Izraelit gjatë sulmit në Gazë

3 months ago 14
Reklamë

Një investigim i përbashkët nga BIRN dhe Haaretz ka identifikuar gjashtë fluturime ushtarake izraelite nga Beogradi në Beersheba këtë vit që përkonin me eksportet serbe të armëve në Izrael me vlerë 15.7 milionë euro, armë që rrezikojnë të përdoren në shkeljen e ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë. Pak pas orës 14:00, më 5 shkurt, një vëzhgues aeroplanësh (planespotter) po filmonte nga një fushë pranë aeroportit të Beogradit kur vuri re atë që ai e përshkroi si një avion “i rrallë” që po ulej në tokë. I apasionuari pas avionëve e postoi videon në kanalin e tij në YouTube, duke e identifikuar avionin si një Boeing 707-300. “Pata kënaqësinë të filmoj këtë zogun e mrekullueshëm klasik sot në aeroportin e Beogradit!”, shkroi ai në anglisht. Me numrin serial 272, avioni i përket ushtrisë izraelite. Pas disa orësh pushimi, ai u ngrit pikërisht në orën 18:04, në një qiell dimri teksa dielli perëndonte. Nuk ka gjasa që ai të ketë qenë bosh. Informacioni i marrë nga një portal që mbledh të dhënat e biznesit serb tregon se në shkurt, tregtari kryesor shtetëror i armëve i Serbisë, Yugoimport-SDPR, eksportoi armë me vlerë 510,000 euro në Izrael.

Ndërsa avioni ishte ulur në pistën e aeroportit të Beogradit, Philippe Lazzarini, Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt, shkroi në X, dikur Twitter, duke thënë se rreth 100,000 njerëz ishin vrarë, plagosur ose zhdukur në luftën në Gazë dhe se “80 për qind e popullsisë është zhvendosur, shumica disa herë”. Brenda dy orëve nga postimi i Lazzarinit, faqet e internetit me burim të hapur që merren me gjurmimin e fluturimeve treguan se Boeing-u po shkonte drejt bazës ajrore Nevatim, pak jashtë qytetit të Beersheba në Izraelin juglindor. Një investigim i përbashkët nga BIRN dhe Haaretz zbuloi se fluturimi i 5 shkurtit ishte një nga gjashtë të tillë që përkon me shitjet serbe të armëve në Izrael që nga tetori 2023, kur grupi militant Hamas vrau 1,175 njerëz, sipas statistikave të përpiluara nga Haaretz, dhe mori 252 pengje në një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit. Të paktën 36,000 palestinezë janë vrarë në përgjigjen ushtarake të Izraelit në Gazë, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Por nëse fluturimi i shkurtit bëri që Serbia të fitonte gjysmë milioni euro, dy fluturime të kryera në mars përkonin me një marrëveshje armësh me vlerë më shumë se 14 milionë euro, pasi Beogradi shpërfilli thirrjet e përhapura – duke përfshirë një më 23 shkurt nga një grup ekspertësh të OKB-së – që vendet të ndalojnë fluksin e armëve për Izraelin duke pasur parasysh rrezikun që ato të përdoren në shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Së fundmi, më 26 maj, pavarësisht thirrjes së Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për të ndërprerë shitjen dhe transferimin e armëve në Izrael, tre avionë ushtarakë izraelitë u ulën në aeroportin e Beogradit, kaluan disa orë në pistë dhe më pas u kthyen drejt bazës ajrore Nevatim. Këto fluturime përkonin me eksportet e armëve drejt Izraelit të kryera në maj në vlerë prej 1.17 milionë euro. Në total, BIRN dhe Haaretz identifikuan shtatë fluturime ushtarake izraelite në Serbi që nga tetori 2023 dhe një të tetë të kryer nga një avion privat i një lloji të njohur për transportimin e llojeve të ndryshme të ngarkesave, përfshirë armët.

Por Serbia këtë nuk e bën vetëm për paratë, tha analisti i politikës së jashtme Bosko Jaksiç. Presidenti Aleksandër Vuçiç përdor eksportet e armëve të vendit për të forcuar pozicionin e tij me Perëndimin, tha ai. Por dërgesat në Izrael rrezikojnë ta bëjnë Serbinë “bashkëpunëtore në vrasjen masive të palestinezëve”, tha Jaksiç për BIRN dhe Haaretz. “Shtimi i eksportit të armëve dhe municioneve drejt Izraelit tani nuk mund të jetë një çështje krenarie”, tha ai. “Kur Izraeli paditet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, bashkëpunimi në vrasjet masive të palestinezëve nuk bën krenar asnjë.”

Mbështetja e Serbisë për Izraelin, “me fjalë dhe me vepra”

Më 26 shkurt, tre javë pasi vëzhguesi i avionëve (planespotter) filmoi mbërritjen e parë të Boeing 707-300 në Beograd, Vuçiç foli në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Duke postuar më pas në Instagram, Vuçiç tha se ata kishin diskutuar për “avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe”. Netanyahu dukej më i emocionuar, duke e përshkruar Vuçiçin si “mik të vërtetë të Izraelit”. “Unë shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e tij të palëkundur, si me fjalë ashtu edhe me vepra”, shkroi lideri izraelit në X. Ishte dita 143-të e sulmit të Izraelit në Gazë, në të cilën shumë nga të vrarët ishin gra dhe fëmijë. Kaluan tri javë të tjera, më 18 mars, dhe dy avionë të forcave ajrore izraelite u ulën në aeroportin e Beogradit. I pari ishte i njëjti Boeing si më 5 shkurt. Sipas të dhënave nga faqet e internetit të gjurmimit të fluturimeve me burim të hapur, ai u ul në orën 16:37 dhe u ngrit në orën 20:04.

Dyzet e dy minuta më vonë, u ulë një avion transporti ushtarak izraelit Lockheed C-130.
Të dy u kthyen drejt bazës ajrore Nevatim dhe të dhënat e doganave për atë muaj tregojnë se Yugoimport-SDPR eksportoi armë me vlerë rreth 14 milionë euro në Izrael – dërgesat më të mëdha në vite. Këto do të pasoheshin nga të tjera. Më 26 maj, tre avionë ushtarakë izraelitë u ulën me shpejtësi: i pari, Boeing 707-300 u ul diku pas orës 10:20 dhe u ngrit në orën 14:10; më pas erdhën dy Lockheed C-130 izraelitë, duke përfshirë të njëjtin avion që erdhi në Beograd më 18 mars. Të dy u larguan brenda pak orësh.

Të dhënat e doganave serbe për muajin maj tregojnë se këto fluturime përkonin me dërgesat e armëve drejt Izraelit në vlerë prej 1.17 milionë euro. Që nga muaji i sulmit të Hamasit, Serbia ka eksportuar gjithsej 16.3 milionë euro armë në Izrael. Përveç dërgesave të shkurtit, marsit dhe majit të këtij viti, me vlerë gjithsej 15.7 milionë euro, Serbia më parë kishte eksportuar armë në Izrael në vlerë prej 540,120 euro në tetor. Qeveria serbe nuk ka thënë asgjë në lidhje me përmbajtjen e dërgesave dhe më 8 mars Ministria e Tregtisë e Serbisë refuzoi një kërkesë për të drejtë informimi të paraqitur nga BIRN duke i kërkuar asaj të specifikojë se kur ishte dhënë leja e eksportit dhe çfarë lloj armësh janë dorëzuar, duke deklaruar se ky ishte një informacion “rreptësisht konfidencial”.

Gjashtë fluturimet që përkonin me dërgesat e armëve erdhën të gjitha pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e OKB-së, më 26 janar urdhëroi Izraelin të ndalonte forcat e tij nga kryerja ose nxitja e akteve gjenocidale kundër palestinezëve, në përgjigje të një rasti gjenocidi të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraeli. Një vendim përfundimtar nëse Izraeli ka kryer realisht gjenocid në Gazë mund të kërkojë vite. Më 5 prill, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbështeti një thirrje “për të ndaluar shitjen, transferimin dhe devijimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake në Izrael… për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut”.
Dhe më 20 maj, kryeprokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë i kërkoi gjykatës të lëshonte urdhër-arrestit kundër Netanyahu dhe ministrit izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe kundër tre liderëve të Hamashit për krimet e shfarosjes, vrasjes, pengmarrjes, përdhunimit, agresionit seksual dhe torturës.

Çfarë ka për t’i ofruar Serbia, Izraelit

Izraeli tashmë merr shumë armë nga SHBA-ja, e cila ka kryer një transport të paprecedentë armësh në vend, duke përfshirë qindra avionë ushtarakë ngarkesash dhe avionë Boeing 747, të cilët janë ulur kryesisht në bazën ajrore Nevatim pranë Beershebas. Armët e tjera kanë mbërritur me anije, mes tensioneve në rritje me Iranin dhe Hezbollahun në Liban. Në një moment, duke u përballur me ulje të rezervave, ushtria izraelite filloi të përdorë predha artilerie që shënonin “vetëm për stërvitje” dhe municione të prodhuara në vitin 1953, ka raportuar Haaretz. Sipas udhëzimeve ushtarake amerikane, eksplozivë të tillë kanë një jetëgjatësi maksimale prej 40 vjetësh.
“Thasët ishin të grisur. Ata vinin erë dhe griseshin sapo i ngrije lart”, tha një ushtar izraelit.

Sipas ekspertit ushtarak serb Vlada Raduloviç, Izraeli ka nevojë për municione të drejtuara dhe të padrejtuara për avionë, veçanërisht bomba ajrore për depërtimin e bunkerëve dhe objekteve nëntokësore, raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore, municione të kalibrit të mesëm, predha tankesh dhe artilerie dhe armë këmbësorie.
“Sasi shtesë municionesh të kalibrit të vogël për armë të vogla si dhe mina mortaja nevojiten gjithashtu”, tha Raduloviç për BIRN.

Predhat e artilerisë 155 mm të Serbisë, të prodhuara nga firma shtetërore Krusik, janë shumë të kërkuara, tha ai, dhe jo vetëm në Lindjen e Mesme.
“Rrjedhimisht, Serbia njihet në tregun botëror si një vend që, ndër të tjera, prodhon municione të cilësisë së lartë të kalibrit të vogël, të mesëm dhe të madh, duke përfshirë predha 155 mm, si dhe mina mortajash të kalibrit të ndryshëm, kështu që kjo potencialisht do të të jetë një fushë me interes për Izraelin”, tha Raduloviç.
Një tjetër ekspert armësh, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Serbia gjithashtu mund t’i shesë eksplozivë Izraelit si komponentë për prodhimin vendas.

Eksportet serbe të armëve në Izrael para tetorit 2023 nuk ishin të mëdha. Ministria e Tregtisë e Serbisë përmendi Izraelin për herë të fundit në raportin e saj vjetor të eksportit të armëve në vitin 2020, kur Serbia eksportoi në vend armë me vlerë rreth 554,000 euro – “bomba, silurë, raketa, predha, pajisje të tjera shpërthyese; municione dhe fitila për municione”. Midis përdoruesve përfundimtarë, megjithatë, nuk ishte vetëm Izraeli, por edhe Senegali dhe Sllovakia, gjë që tregon se armët u rieksportuan përmes Izraelit. Në mars, prill dhe qershor të vitit të kaluar, fabrika shtetërore Prvi Partizan në Uzice, në Serbinë jugperëndimore, eksportoi rreth 1.14 milionë euro armë në Izrael. Gjithashtu, në mars 2023, një prodhues serb armësh në pronësi kryesisht private, Edepro, eksportoi rreth 285,768 euro armë në Izrael.

Izraeli nuk voton për rezolutën e OKB-së për Srebrenicën

Ishte një kohë kur armët pretendohet se bënin drejtimin e kundërt.

Izraeli është lidhur vazhdimisht në raportet e mediave me dërgesat e armëve për forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje, në kundërshtim me një embargo të armëve nga OKB-ja. Në vitin 2016, Gjykata e Lartë e Izraelit la në fuqi një vendim gjykate që refuzoi një kërkesë për të drejtë informimi në lidhje me licencat e eksportit të armëve dhe vendimet e marra nga ministria izraelite e mbrojtjes për eksportet e armëve në ish-Jugosllavi midis viteve 1990 dhe 1996. Në prill të këtij viti, ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, u citua t’i kishte thënë degës së Sputnik-ut rus në gjuhën serbe se Izraeli nuk e ka pranuar kurrë etiketimin e masakrës së Srebrenicës në 1995 të 8,000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës si gjenocid – në kundërshtim kjo me vendimet e gjykatës së OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe nga gjykatat boshnjake.

Më 24 maj, Izraeli ishte në mesin e 22 vendeve që nuk votuan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për një rezolutë që përcaktonte një Ditë Ndërkombëtare vjetore Reflektimi dhe Përkujtimi të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë më 11 korrik.
Rezoluta u miratua, me 84 vende që votuan pro, 19 kundër dhe 68 vende abstenuan. Vuçiçi i Serbisë e dënoi rezolutën si “shumë të politizuar”.
“Kjo rezolutë do të hapë Kutinë e Pandorës; ju do të përballeni me dhjetëra rezoluta të tilla për çështjen e gjenocidit”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Jaksiç tha se autoriteteve serbe dhe mediave të lidhura me to u pëlqente ta interpretonin refuzimin e Izraelit për të mbështetur rezolutën si një gjest mbështetjeje për Serbinë. Në fakt, ai pohoi, “Izraeli nuk e njeh gjenocidin në Bosnje për të mbrojtur veten nga akuzat se ka kryer gjenocid në Gazë”.

Dy fluturime të tjerë ndërmjet Serbisë dhe Izraelit

Përveç tre fluturimeve për në Beograd të identifikuara nga BIRN dhe Haaretz në shkurt dhe mars, si dhe tre fluturimeve vetëm më 26 maj, pati edhe dy të tjerë për në Nis në Serbinë jugore. Njëri e 28 dhjetorit të vitit të kaluar përfshinte një tjetër avion ushtarak izraelit C-130, me numër serial 420, i cili përsëri fluturoi drejt bazës ajrore Nevatim, si të gjithë fluturimet izraelite nga Serbia. Tjetri ndodhi më 15 maj, kur një avion Antonov AN-12BK i regjistruar në Ukrainë, fluturoi nga Nisi në Tel Aviv në Izrael. Avionët Antonov të epokës sovjetike përdoren ndonjëherë për të transportuar armë dhe mallra të tjera të rrezikshme dhe në vitin 2013 Autoriteti i Aviacionit Izraelit autorizoi këtë Antonov specifik, UR-CGV, për të transportuar eksploziv nga Gjermania në Izrael.

Në korrik 2022, një Antonov AN-12BK u rrëzua në Greqi dhe në të kishte 12 tonë armë serbe, duke vrarë tetë anëtarë të ekuipazhit ukrainas. Avioni ishte marrë me qira nga një kompani ukrainase e quajtur Meridian, por supozohet se po i çonte armët në Dhaka, Bangladesh. Pothuajse dy vjet më vonë, mbeten ende shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me atë fluturim, jo më pak për identitetin e atyre që vdiqën.

Read Entire Article