“Nga emigracioni masiv te sulmet e jashtme dhe…”, ish-ministri Malaj: Ja rreziqet me të cilat mund të përballet Shqipëria në 2024

9 months ago 7

Ish-ministri i Financave Arben Malaj përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e Neës24 ka analizuar situatën ekonomike të vitit të kaluar për Shqipërinë, por edhe ka komentuar si mund të paraqitet situata në vitin 2024.

Malaj u shpreh se nëse nuk do të ketë goditje të jashtme, si konfliktet botërore që mund të ndikojnë burimet energjetike, viti i ardhshëm do jetë i ngjashëm me atë që po lëmë pas.

Ai u shpreh se ndër rreziqet e mundshme për vendin janë sulmet kibernetike, rritja e inflacionit që mund të influencohet lehtësisht sipas tij, por edhe largimi masiv i popullatës që ndikon në uljen e krahut të punës.

“Qeveria mori disa të ardhura nga inflacioni këtë vit. Nëse nuk do të ketë goditje të jashtme viti i ardhshëm do jetë i ngjashëm me atë të kaluarin. Në rreziqet e jashtme analizohet kriza energjetike, ndaj duhet të shpresojmë se konflikti në Izrael nuk do të përhapet në rajon, si psh në Iran.

SHBA ka rritur rezervat e saj strategjike së fundmi. Elementi i dytë që mbetet kritik janë sulmet kibernetike, të cilat i provuam. Ne i pamë kostot e këtij rreziku.

Rreziku i tretë është inflacioni, i cili edhe pse po mbahet nën kontroll influencohet lehtë nga zhvillimet që ndodhin. I fundit po jo më pak i rëndësishëm është sfida me kursin e këmbimit.

Largimi masiv mbetet po ashtu problematikë. Krahu i punës është në rrezik nëse shumë njerëz largohen. Flasim për mundësinë e rritjes së largimeve nga puna. Duhet të ketë reforma për kapitalin njerëzor, arsimi, shëndetësia, trajnimet, etj. Këto nuk duhet të nënvlerësohen.

Ne duhet të kemi parasysh se duhet një strategji kombëtare që të respektohet nga të gjitha palët politike. Sulmet kibernetike janë të rrezikshme, por bankat kanë sisteme mbrojtje  shumë më të zhvilluara se qeveritë. Nëse do kishte shqetësim te depozituesit do kishte ndërhyrë banka qendrore”, u shpreh ai mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article