“Nga ish - pushteti janë dhënë premtime joshëse për veriun” – Shala: Ura mbi Ibër të mos përdoret si “shkas” për rrëzimin e Qeverisë

1 month ago 14
Reklamë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar të premten një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, me të cilët ka diskutuar rreth koordinimit për hapjen e Urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve. 

Ai ka deklaruar se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Por, me këtë kërkesë të Qeverisë nuk u pajtuan ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Pas takimit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.

Çështja e hapjes së Urës mbi lumin Ibër tash e sa dit po vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, veçanërisht për faktin se kjo kërkesë nuk po mbështetet nga ambasadorët e shteteve mike të Kosovës.

Këtë situatë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar Hafiz Shala, veprimtar shqiptaro-amerikan dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Shala ka thënë se ura duhet të hapet, derisa ka kërkuar nga krerët e shtetit që t’i sqarojnë mospajtimet me shtetet e QUINT-it rreth kësaj teme.

Image

Hafiz Shala

Nuk ka ndarje të veriut, ura duhet të hapet

Për hapjen e urës, takohen Ambasadorët e Quin-tit dhe e kundërshtojnë hapjen e sajë, ndërsa, për sanksionet ekonomike ndaj Kosovës (Dardanisë) që një vit heshtin, Turp

Presidentja dhe Kryeministri, duhet t’i sqarojnë mospajtimet dhe për këtë duhet ta informojnë popullin

Në pyetjen tuaj rreth gjetjes së mirëkuptimit në mes qeverisë së Kosovë ( Dardanisë) dhe vendeve të Quin-tit për hapjen e urës mbi lumin Iber, unë do të thosha se nga ish pushteti janë dhënë premtime joshëse ndaj Serbisë rreth ndarjes së pjesës veriore, duke ia nxitur apetitet asaj që ta vazhdojë me insistimin këmbëngulës rreth formimit të Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe si prelud e realizimit të ndarjes, tezë të cilën në heshtje deri diku e përkrah edhe Evropa, tani, fatkeqësisht edhe Amerika ani pse sipas deklaratave të kësaj të fundit, nuk ka Republikë serbe, nuk ka ndarje, nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive e kështu me radhë në infinit.  Por, kërkesat për koordinim për çështje të brendshme siç është kjo rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër më parë e dakorduar, e hapur e mbyllur disa herë, i demanton deklaratat bombastike por shterpe.

Realisht po të mendohej seriozisht në afrimin e komuniteteve, po këta ambasadorë do të duhej që të gjithë së bashku ta caktojnë një ditë që në mënyrë solmne ta bëjnë  hapjen e urës për qarkullim të automjeteve me prezencën e tyre dhe të dyja komuniteteve dhe kështu do ta tregojnë një gjest serioz, human, njerëzor, politik e diplomatik që do ta përfundonin një agoni të pa qenë, ta shndërrojnë në realitet”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar, se përpos strukturave kriminalo-terroriste të dirigjuara nga Vuçiqi, askush nga komuniteti serb në veri nuk e ka as me të voglën frikë se me qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve rrezikohet siguria e serbëve të veriut.

Kjo është teori e Vuçiqit dhe e opozitës, duke e akuzuar Kurtin për këtë.

Këtë, ndërkombëtarëve në kokë ua ka futur Vuçiqi dhe, ne si shqiptar nuk duam e nuk lejojmë ta bëjmë këtë kualifikim si arsyetim për të mos u hapur ura.

E kam bindjen time personale nga eksperienca e mbi tri dekadave në këtë shtet dhe ballafaqimi dhe eksperienca në situatat e ndryshme dhe sjelljet e Departamentit të Shtetit rreth politikave të jashtme, mund të ndodhe që, për mos t’u arritur ndonjë marrëveshje që siguron paqen, nuk është larg mendësh që dikush ua bën me sy atyre mbeturinave të strukturave paralele terroristo-fashiste që të bëjnë veprime dhe akte terroriste pa viktima e që për qëllim e kanë mos lejimin e veprimit të organeve shtetërore rreth zbatimit të ligjit. Kjo, e vërteton teorinë se një premtim i dhënë rreth veriut nga ish pushtetet që në fillim të jetë një organ një etnik i cili pastaj shndërrohet në organ vendimmarrës për serbet të cilët, me organizimin e tubimeve dhe sjelljeve destruktive t’i detyrojnë organet e rendit të marrin masa sigurie dhe ndokush të pësojë për t’i akuzuar shqiptarët dhe pushtetin se po u bëhet presion siç deklaron Vuçiqi tani se qëllimi i Albinit është “t’i dëbojë serbët nga Kosova (Dardania)” teori të cilës po i bashkohet si në kor, edhe opozita.

Mandati KFOR-it është t’i ruaj e mbroj kufijtë nga agresioni i Serbisë e jo t’i ruaj urat e rrugicat në qytet.

Është e pa mundur që të udhëhiqet me vendin nën dorëzaninë e të huajve si shtet sovran e demokratik i cili e ka obligim e përgjegjësi për sigurimin e të drejtave të komuniteteve që monitorohemi nga Bashkimi evropian dhe Bashkësia Ndërkombëtare në përgjithësi.

Pakicave e posaçërisht atyre serbe, duhet bërë me dije se nëse duan të jetojnë në këtë shtet duhet t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi, përndryshe kjo botë është e hapur dhe e lirë dhe mund të shkojnë ku të duan. Nuk mundet një popull shumicë të jetë nën diktatin e një pakice të cilën ua mësuan ndërkombëtarët e posaçërisht të asaj pakice si pjesë e asaj popullate e cila kryer gjenocid ndaj popullatës autoktone. Zotëri ambasador, ju, nuk e keni gatishmërinë e as guximin t’ua thoni këtë komunitetit serb”, është shprehur ai.

Më tej, Shala ka rikujtuar gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës(Kosovës- Dardanisë Lindore) të cilët jetojnë në stres e pa siguri se a do t’i qelë mëngjesi nga terrori politik e nacional që ushtrohet ndaj tyre, ndërsa për Kosovën përdoren standarde të dyfishta.

“Këtu nuk bëhet fjalë për “frikën” por për obligimet të cilat i kanë marrë që çështja e veriut të stërgjatët sa më shume qoftë edhe me regjinë e largimit të kësaj qeverie respektivisht Kryeministrit Kurti si “kryeneç, mos bashkëpunues e mos koordinues me Bashkësinë Ndërkombëtare”, teori të cilën e propagandon opozita hajdute duke e vjedhur shtetin dhe popullin e vetë, përderisa minatorët sot janë grevë urie që sa kohë përderisa ish pushtetarët kanë sigurua pasuri marramendëse të cilën po t’u konfiskohej shumë probleme sociale do të zgjidheshin.

Zotëri ambasador ju keni njohuri të mjaftueshme për këto dukuri prandaj nuk e di pse jo vetëm heshtni por, duke bashkëpunuar ngushtë me ketë opozitë të korruptuar, inkriminuar, të pasuruar jashtëligjshëm, të gjithë se bashku iu keni lëshua në qafë, kur ai është duke e bërë të pa mundurën duke luftuar ndaj këtyre dukurive. Zotëri, mos i keni futur gishtat në mjaltin e këtij korrupsioni ose atij të Serbisë sepse ne e njohim mirë Serbinë për kësolloj veprimeve.

Opozita, sikur iu kanë drejtuar Grenelit ashtu iu kanë drejtuar edhe juve prandaj, si të korruptuar, të pasuruar jashtëligjshëm e të shantazhuar nga Serbia dhe Radoiçiqi, i cili ende nuk ka folur, përndryshe një ditë do t’i zbuloj si bashkëpunëtorë në biznese të pista prandaj, ju e keni shansin që t’i përdorni për qëllimet dhe interesat e juaja politike e gjeopolitike, nëse ua pranon populli për t’i sjellë me dhunë politike në pushtet. Qëllimi i opozitës për ta marr pushtetin është qartë e shprehur, kundërvënia e ligjit për konfiskimin e pasurisë, të cilët turra- vrap e dorëzuan në Kushtetuese dhe ajo ua ktheu sepse, edhe atje sikur në prokuroritë, janë mbeturinat e ish pushtetit, të cilat Kryeministri Kurti edhe pas katër viteve nuk qe në gjendje t’i pastroj pasi po has në rezistencë nga organet prokuroriale e gjyqësore të instaluara nga ish pushtetet.

Zotëri Ambasador, nuk jeni të si qartë, nuk po përdorni standarde të njëjta ndaj palëve në dialog, e keni marrë anën e agresorit respektivisht pushtuesit klero-fashist, me qëllim po e përdori shprehjen “klerofazhizëm” si ideologji, strategji, bashkëpunim në krimet e ushtruat në luftën e fundit ku, ushtria, policia dhe paramilitarët serb, shumicën e armatimit të tyre edhe ato të rënda, i kanë strehuar nëpër kisha e manastire “si shtëpitë e zotit”.

Kush ua ka dhënë të drejtën ta nënçmoni, injoroni, poshtëroni e shantazhoni një popull të tërë ndaj të cilit u ushtrua gjenocid i pa parë ndërsa, ju edhe sot e injoroni atë gjenocid sepse nuk jeni në gjendje të ushtroni trusni ndaj Serbisë që t’i kthej të pa gjeturit familjareve e të tyre ndërsa, në anën tjetër nuk po mund t’i rezistoni kërkesës absurde në forme ultimatumi rreth formimit të Asociacionit si kusht të vetmin për t’i vazhduar gjëja bisedimet, gënjeshtër serbe, për të cilin e dini se ku qëndron qëllimi kryesor, prandaj, mos ushtroni presioni ndaj këtij populli të cilin e keni mbështetur për muri për t’u dorëzuar që ta pranoj ndarjen e veriut”, ka shtuar ai.

Të zbatohet marrëveshja e vitit 2016!

Sipas veprimtarit shqiptaro-amerikan, udhëheqja e Kosovës nuk mund ta pranojë mbi kurrizin e sajë të kërrusur frikën e QUINT-it nga Rusia, që po e ushtron përmes Serbisë.

“Prandaj duhet ta keni parasysh së deklaratat qesharake, infantile, poshtëruese e shantazhuese e qëllimkëqija të disa ambasadorëve se, Kurti gjoja këto veprime po i përdor për nevoja elektorale, vërtetë janë qëllimkëqija dhe njëherit opozitës së korruptuar, të inkriminuar dhe të injoruar nga populli në zgjedhjet e fundit dhe në zgjedhjet e ardhshme, po u jepni përkrahje që në të vërtetë, jeni duke punuar për ta destabilizuar këtë vend. Kjo opozitë nuk është e vetme e cila, përpos juve, në anën e sajë është anti-shqipfolësi i përbetuar, Edvin Kristaq Rama i cili me tërë kapacitetin e tij antishqiptar idiotesk e në bashkëpunim me juve, po punon për dobësimin e pozitës së shqiptarëve duke i sjellë ata në kohën e sharragjinjve të kohës së ish Jugosllavisë, duke i përfshirë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që e vërteton edhe skandali i fundit ndaj Presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit. Ish partitë shqiptare në MV-iut në koalicion me ish pushtetin, bënë të pa mundurën që ky skandal të jetë i suksesshëm për t’i akuzuar partitë e reja në pushtetin aktual të cilat, nëse nuk janë në gjendje t’i mbajnë premtimet e dhëna shqiptarëve, duhet të largohen nga koalicioni më partinë në pushtet duke krijuar krizë, e cila, sipas simptomave të para, janë aleat të denjë të Vuqiqit që u vërtetua pas marshimit të ushtrisë serbe në Ohër”, ka potencuar Shala.

Më tej, ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës (Dardanisë), edhe sipas Marrëveshjes së vitit 2016, duhet ta zbatojë hapjen e urës.

“Ambasadorët të rrinë të qetë në zyrat e tyre dhe mos të hedhin benzinë në zjarr për ta përdorur si adut për largimin të pushtetit aktual, sipas kërkesës së Serbisë sepse, do të ndodhë ajo që askush nuk e dëshiron, nëse masa i drejtohet veriut për ta hapur urën. KFOR-i duhet të rrijë i qetë dhe t’i ruajë kufijtë, ndërsa, sigurinë e brendshme e menaxhon policia e jo KFOR-i sipas Edvin Kristaq Rames.

Dështimi i bisedimeve për marrëveshje me fqinjin tonë kanë ndodhur dhe me fajin e Serbisë dhe të tuajin e cila zyrtarisht ua bëri me i dije që se i refuzon propozimet e BE-së që në një mënyrë, ky është edhe dështim i juaji të cilin nuk po keni gatishmërinë politike ta pranoni prandaj si ngushëllim, iu keni vërsul Kosovës ( Dardanisë ) pa mëshirshëm për ta plandosë për tokë, politikisht ekonomikisht.

Ambasador Hovenier, jeni duke punuar me zell e përkushtim rreth përçarjes së udhëheqjes aktuale kosovare( dardane) sipas logjikës së Richard Grenelit, duke tentuar ta largosh Kurtin nga pushteti pasi opozitën e ke të gatshme për çdo lëshim qe i kërkoni vetëm për të ardhur në pushtet. Prandaj bashkëpunimi i juaj vetëm me Presidenten duke e injoruar Kryeministrin, është skandal diplomatik, ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran dhe veprim antikushtetues ndaj organeve demokratikë e udhëheqëse të cilin autorizim nuk mundet t’ua jep as Departamenti Shtetit i cili ndërhyrjen në punët e brendshme institucionale nuk ka hezituar ta ushtroj që sa kohë edhe përmes Qeverisë Shqiptare.

Prandaj, z. Ambasador do të jesh përgjegjës moral për një situatë të krijuar e cila mund të sjell të pa parat të cilat askush nuk i dëshiron e ma së paku populli i Kosovës( Dardanisë) i stërlodhur me ndërhyrje gjithkund e për gjithçka”, ka thënë Shala.

Nga ana tjetër, Shala i ka kritikuar sjelljet e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë ndaj udhëheqjes së Kosovës.

“Sjelljet e shteteve fqinjë, Serbi e Maqedoni e Veriut e Bashkimi Evropian në mënyrë poshtëruese ndaj udhëheqjes legjitime, të popullit shqiptar të Kosovës ( Dardanisë ) në forma raciste të pa tolerueshme, na qon deri të marrja e hapave për të siguruar ekzistencën tonë kombëtare sepse, nuk mund të durohen me këso-lloj sjelljeve të kujtdo-qoftë që të na trajtoj si popull inekzistent karshi popujve tjerë ani pse populli më vjetër në Evropë”, ka shtuar ai.

Në fund, veprimtari doli me dy propozime për Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të merren masa mbrojtëse ndaj zhvillimeve e veprimeve që e atakojnë shtetin.  

I propozoj Qeverisë që përmes Parlamentit të sjell vendime dhe të marrë masa mbrojtëse përmes Rezolutave:

1.Rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullim edhe të automjeteve dhe, nën

2. Të formohet një organ parlamentar profesional rreth, hulumtimit, regjistrimit dhe evidentimit të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta siguruar një numër përafërsisht të saktë.

Arsyeja se, nuk mund të jetojmë me nën mëshirën dhe diktatin, nen parimet kanunore të dorëzanisë të askujt por, fatin ta marrim në duart tona, duke i mbrojt interesat e tona kombëtare pa iu lutur e përkulur askujt. Do të befasohemi me numrin e shqiptarëve të cilët jetojnë në shtete e kontinente të ndryshme, numri i cili do t’i tejkalon shume shtete ballkanike e ndodhta edhe disa evropiane.

Definitivisht fatin duhet ta marrim në duart tona që nuk do të jetë e lehtë por, ne jemi përgjegjës për të ardhmen tonë definitivishtë të vetëvendosur.

Bashkimi gjithëkombëtar përpos dëshirës dhe vullnetit gjatë gjithë historisë, do të jetë edhe imperativ i kohës”, ka përfunduar Shala

Read Entire Article